2012-08-22 14:48:11

Në Ishullin e Shurdhahut festa e të Ngjiturit e Zojës së Bekuar në Qiell


Dioqeza e Sapës sivjet kremtoi festën e të Ngjiturit të Virgjërës Mari në Qiell në Kishën mesjetare të Zojës së Bekuar në Ishullin e Shurdhahut. Besimtarët katolikë u mblodhën përreth elterit të shenjtë për të nderuar Virgjërën Mari, e cila qe e para që e mori në krahë Birin e Hyjit, Jezusin bërë foshnje, ndërsa tani ajo është e para që rri pranë Tij në Lumturinë e Qiellit. Kjo festë e Zojës së Madhe flet edhe për ardhmërinë tonë. Na tregon se edhe ne do të jemi pranë Jezusit në gëzimin e pa mbarim të Hyjit. Na fton të besojmë se pushteti i Ngjalljes së Krishtit mund të veprojë në shpirtrat tanë e të na bëjë burra e gra, të cilët përpiqen çdo ditë të jetojnë si të ringjallur, duke rrezatuar, në errësirën, që vijon të dyndet mbi botë, dritën e së mirës e të gëzimit qiellor.
Këtë mister shprese e gëzimi për të gjithë njerëzit, kremtuan pra, besimtarët e dioqezës së Sapës më 15 gusht në Kishën e lashtë mesjetare të Zojës në Ishullin e Shurdhahut. Mbi këtë kremtim, nga Vau-Dejës na njofton Violeta Marashi.......RealAudioMP3

Në dioqezën e Sapës, ditë më parë, me rastin e festës së Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, shumë besimtarë morën udhën e shtegtimit drejt Ishullit të Shurdhahut, për të kremtuar festën e Zojës së Madhe, në Kishën mesjetare me të njëjtin emër.
Gjatë udhëtimit nëpër liqen ndjehet natyrshëm gëzimi dhe kënaqësia e asaj bukurie, ku vetë Zoti me mrekullinë e Tij i ka gërshetuar shushurimën e gjetheve e zogjve të malit me gurgullimën e ujit të liqenit Vau-Dejësit
Në ditën e festës së Zojës së Madhe, me ftesë të imzot Lucjan Avgustini nderoi me pjesëmarrjen e tij Nunci Apostolik i Shqipërisë, imzot Ramiro Moliner Ingles ipeshkvi titullar i ish-dioqezës së Sardës, , i cili kryesoi Meshën Shenjte në bashkëkremtim me ipeshkvin e vendit dhe me mbarë meshtarinë dioqezane të Sapës.
Në lidhje me kremtimin e kësaj feste të Shenjtë, Nunci Apostolik imzot Ingles përshëndeti besimtarët e pranishëm duke shprehur “kënaqësinë që gjendem në mesin tuaj dhe në këto troje të lashta dhe historike, të cilat ende sot flasin më së miri për të kaluarën e lavdishme ndër shekuj. Ndaj sot jemi bashkuar këtu dhe kemi ardhur për të nderuar e përkujtuar nënën e Zotit, Marinë, e cila është dhe nëna e jonë. Kemi ardhur për të nderuar këtë Nënë të dashur, që i dhuroi botës Shëlbuesin”.
Më pas vazhdoi kremtimi eukaristik sipas ritit të zakonshëm liturgjik.
Pas Meshe të gjithë të pranishmit vizituan gjithë territorin e këtij ishulli, të quajtur ndryshe Kalaja e Sardës (Shurdhahut), e vendosur në krahun e majtë të lumit Drin. Ndodhet në mes të katër kështjellave: asaj të Shkodrës në juglindje, të Dejës në verilindje, Dalmacës në Koman, si dhe asaj të Drishtit.
Në këtë kështjellë kanë qenë të ndërtuara shumë kisha si ajo e Shën Mërisë (e Zojës), që ekziston edhe sot dhe tashmë është e rindërtuar; Kisha e Shën Pjetrit; Kisha e të Pafajve ose Kisha e të Mbyturve; Kisha e Shën Kollit etj.
Sipas gojëdhënave të popullit kanë qenë të ndërtuara në këtë kështjellë 365 Tempuj ose Elter. Është interesante se mesha jepej çdo ditë në elter të ndryshëm dhe mendohet se kjo shërbente si kalendar për banorët e këtij qyteti të lashtë.
Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.