2012-08-22 18:10:12

Marrëveshje e Kishës polake me Patriarkanën e Moskës. Imzot Miliore: politika e feja, aleate për të mirën e përbashkët.


“Akt historik i pajtimit”: kështu e komentuan ipeshkvijtë evropianë Deklaratën e përbashkët, nënshkruar pak ditë më parë nga Episkopati katolik polak dhe Patriarkana Ortodokse e Moskës. Marrëveshjen e nënshkruan, në Kështjellën Mbretërore të Varshavës, kryetari i ipeshkvijve polakë, Jozef Mihalik e Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kiril I. Gjest profetik, ky, në rrugën e dialogut, për të cilin Papa Benedikti XVI foli në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, duke e theksuar fort rëndësinë e duke shprehur dëshirën për thellimin e bashkimit vëllazëror dhe të bashkëpunimit, për të përhapur vlerat ungjillore në botën e sotme.Po cilat janë frytet, që priten tani? Pyetëm kryeipeshkvin Celestino Migliore, nunc apostolik në Poloni:

Përgjigje: - Që kishat dhe shoqëritë përkatëse, mbi valën entuziaste të vullnetit të mirë, nën shtytjen e këtij hapi të parë, të japin konkretisht ndihmesën për pastrimin e kujtesës, për dialog e bashkëpunim, të ushqyer nga Deklarata e përbashkët.

Pyetje: - Deklarata në fjalë u quajt “akt historik i pajtimit”. Por Kryetari i Konferencës ipeshkvnore, imzot Jozef Mihalik, tërhoqi vëmendjen që kjo thirrje për pajtim ndërmjet kombeve e kishave përkatëse, të mos vlerësohet me “terma politike”. Pse kjo druajtje?

Përgjigje: - Dy Kishat motra, ortodokse e katolike, impenjohen për të dhënë kontributin e tyre në parandalim, ndërmjetësim, pajtim të mospajtimeve, jo në kuptimin teknik e juridik ndërkombëtar të këtij termi, gjë që i takon politikës, por sipas termave të veta, atyre që nisen nga shndërrimi i zemrave, i mendjeve, i njerëzve të veçantë e bashkësive. Kur politika e feja japin, secila sipas mënyrës së vet, ndihmesën e veçantë, pa i vënë kufij njëra-tjetrës, atëherë i shërbehet më mirë e më shpejt pasurisë së përbashkët.

Pyetje: - Në deklaratë lexojmë ftesën, që u drejtohet besimtarëve ortodoksë e katolikë, rusë e polakë, për falje reciproke. Ç’vlerë merr sot fjala “falje”?

Përgjigje: - Dy bashkësitë e krishtera, si ajo katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, e realizojnë faljen reciproke, kur ndihmojnë njëra tjetrën për ta vlerësuar historinë e kaluar e atë të sotme e për të skicuar ardhmërinë e përbashkët të dritës e të vërtetësisë, që është përmbi ne, të vërtetën, që vjen nga lart, së cilës i nënshtrohemi pa kushte, duke e kërkuar të gjithë së bashku, si të krishterë që jemi. Kjo e vërtetë na ndihmon të lypim falje e të ndërtojmë të mirën, duke falur.

Pyetje: - Pas kësaj marrëveshjeje ndërmjet autoriteteve të dy konfesioneve, a mund të presim hapa të tjera nga ana e dy bashkësive?

Përgjigje: - Natyrisht. E ne shpresojmë nxehtësisht, pikërisht edhe pse ky hap i parë tërhoqi fort vëmendjen, si shprehje e vullnetit të mirë për të dyja bashkësitë.







All the contents on this site are copyrighted ©.