2012-08-22 17:53:38

Ja çka do të thotë liria e vërtetë fetare


“Liria e vërtetë fetare është fryt i dashurisë së Zotit dhe i betejës shpirtërore brenda zemrës së njeriut. Kush e fiton këtë betejë, është i lirë në të gjitha aspektet e tjera të jetës”. Këtë nënvizoi kryeipeshkvi i Justinianës së Re dhe i gjithë Qipros, Chrysostomos II në Mitingun e Riminit, duke folur në takimin me temë: “Liria fetare: parimi e pasojat”. Në kuvëndim morën pjesë edhe Salman Shaikh, drejtor i Brooking Doha Center dhe anëtar i Saban Center për politikën në Lindjen e Mesme; Franco Frattini, kryetar i Fondacionit “Alcide de Gasperi” dhe kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemanno. Konferencën e drejtoi Roberto Fontolan, drejtor i qendrës ndërkombëtare të lëvizjes “Bashkim e Çlirim”.Në diskutimin e tij, kryeipeshkvi qipriot analizoi gjendjen dramatike të të krishterëve në veri të ishullit, duke shpjeguar, me fakte, se pas pushtimit të 1974-ës, besimtarët e krishterë vijojnë të dhunohen e të persekutohen. Këto vite Ankaraja flaku jashta banesave mijëra familje vendase, duke i zëvendësuar me kolonë të ardhur nga Anatolia, që rrëmbyen troje e vendbanime. Me shpalljen e Republikës së Qipros së veriut, më 1983, shteti turk bëri çmos të shlyente çdo gjurmë të fesë së krishterë, duke shndërruar më se pesëqind ndërtesa kulti në muzeume e xhami e duke arritur deri atje, sa ta shesë një pjesë të mirë të pasurisë artistike të Kishës qipriote. E gjithë kjo, vijoi kryeipeshkvi, shkakton dhimbje e vuajtje, në mënyrë të veçantë sepse ndodh në një vend anëtar të Bashkimit Evropian e edhe të Kombeve të Bashkuara.
Kur shuhet një vatër e krishterë, deklaroi, shuhet një dritë për mbarë universin! Krishterimi ka një dhuratë të pashembullt: të ndriçojë njerëzimin. Për Chrysostom-in II, liria fetare nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin e tolerancës politike. Ajo është fryt i thellimit të vlerave morale dhe etike, të skalitura përgjithmonë në zemrat njerëzore. Ku nuk hapet dy kanatash porta e lirisë fetare, saktësoi, gjithçka s’është tjetër, veçse amulli.
Fjalët e kryipeshkvit qipriot u mbështetën edhe nga Salman Shaik, që tërhoqi fort vëmendjen e të pranishmëve, duke folur për frytet lirisë fetare lidhur ngushtë me përvojën e jetës së tij, si mysliman i martuar me një grua të krishterë. “Gjatë katërmbëdhjetë vjet martese, shpjegoi, e pashë situatën e pakicave fetare në Lindjen e Mesme dhe në vendet myslimane, në sytë e gruas sime. Pa të krishterët, kjo zonë do ta humbiste fytyrën e saj të vërtetë”.
Drejtori i Brooking Doha Center foli kryesisht për shtetet, që po jetojnë ndryshime të thella në jetën e tyre, sidomos pas viteve 2011, me Pranverën arabe. Kjo stinë e re bëri të njohur në mbarë botën dëshirën e popullsive arabe për dinjitet e liri, por njëkohësisht, pati si pasojë edhe organizimin e grupeve islamiste (Vëllezërit myslimanë e Salafitë), që më parë ishin të shtypura nga diktatorët. Për Shaikun, një nga udhët për sigurimin e respektimit të lirisë fetare, është përfshirja e pakicave në krijimin e qeverive të reja. Studiuesi citoi shembullin e komitetit të tranzicionit për rindërtimin e Sirisë, që do të përurohet pas pak ditësh në Kairo, duke u mbështetur përsëri në përvojën e jetës së tij e pikërisht, në marrëdhëniet ndërmjet gruas së krishterë e nënës, myslimane praktikante. “Duhet të shkosh deri në fund të fundit të fesë e të kulturës sate, për t’u kuptuar, pastaj, e edhe për t’u ballafaquar”.
Franco Frattini e Gianni Alemanno nënvizuan se është tepër e nevojshme që Perëndimi të mbrojë vlerat universale, shpesh herë të injoruara nga autoritetet evropiane e nga mjetet e komunikimit, posaçërisht nga ato italiane. Shembull i kësaj atmosfere indiferente është qëndrimi ndaj lajmit të burgosjes së një vajze pakistaneze 11 vjeçare, me kufizime mendore, që mbahet në burg si e pandehur për blasfemi. Të pakta, gazetat, që u morën me historinë e saj të dhimbshme, revoltuese. Mjetet kryesore të komunikimit ishin tejet të zëna me mbrojtjen e trios femërore ruse Pussy Riot, dënuar për dhunimin e një Kishe të Moskës, ku u këndua një pseudo-lutje, krijuar enkas për t’iu kundërvënë Putinit.
Kujtojmë se kënga-pseudolutje i drejtohej Theotókos (Nënës së Zotit), domethënë Zojës së Bekuar (rusisht Bogorodice), që të ndërmjetësonte për ta flakur Putinin nga skena e historisë ruse. Kjo pjesë e këngës u këndua sipas muzikës së Sergej Rachmaninov/a> (Bogorodice Dievo, radujsja) rusisht: Богородице Дево, радуйся. Në këngë kujtohej edhe patriku rus Kirili, për të cilin theksohej se i beson shumë më tepër Putinit, sesa Zotit.
Prej këndej, kjo shfaqje e jashtëzakonshme u dënua nga mbarë shoqëria ruse, që e konsideroi si fyerje të ndjenjave dhe traditave të saj fetare e, natyrisht, edhe nga Patriku Kiril i cili, gjatë një liturgjie në një nga Kishat e Moskës, uroi që grupit t’i jepet një përgjigje e rreptë për gjestin blasfem, zgërdhimje e vetë djallit.







All the contents on this site are copyrighted ©.