2012-08-21 10:41:36

“Petali dhe lulja” në ekspozitën shqiptare në Rimini


Në ekspozitën e shqiptarëve të Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” në Takimin e Riminit në Itali, bën pjesë edhe një shfaqje e shkurtër me një akt. Quhet “Petali dhe lulja” me tekst të Françesko Markitit dhe me regji të Antonio Xanoletit. Për ta përshkruar po ua lemë fjalën dy autorëve:
“‘Petali dhe lulja’ lindi në kuadrin e ekspozitës – shkruan Françesko Markiti. Duke thelluar miqësinë me përgatitësit e duke iu afruar historisë së tokës së tyre, dolën në dritë materiale të shumta origjinale. Tregime plot kuptim e jetë; pyetje për gjetjen e identitetit; takime e përgjigje të jetuara. Historia shqiptare është një dramë, që shpesh kalon në tragjedi. Ja fara e teatrit më tradicional, që mund të bëhet: është përfaqësimi i tragjedisë së një bashkësie e të një populli. Nga teksti i plotë u zgjodh vetëm një episod për ta paraqitur gjatë ekspozitës si akt të shkurtër. Dialogu ndërmjet dy protagonistëve – diktatori Enver Hoxha dhe imzot Vinçenc Prennushi – përmbledh dhe simbolizon krejt tregimin. Diktatura përpiqet ta bëjë për vete Kishën e, refuzimi i saj i pashmangshëm shkakton nisjen e një dhune të tmerrshme. Dënimi me vdekje nuk është fjala e fundit. Pavarësisht se drama zgjidhet me “deus ex machina”, ajo është e nevojshme për të nxjerrë në pah vetë shpirtin e popullit shqiptar, i cili, përmes profecisë së martirëve të vet të shenjtë, thotë se fjala e fundit nuk është vdekja, por jeta. “Petali dhe lulja” është një homazh i sinqertë për miqtë, që u kujdesën për ekspozitën, për tokën e tyre, për historinë e tyre”.
“Në bazë të këtij ‘akti të vetëm e të shkurtër’ – shkruan regjisori Antonio Xanoleti – qëndron ndeshja ndërmjet njeriut të fesë dhe njeriut të pushtetit politik (si në profetiken “Vrasje në Katedrale”); qëndron lidhja, dritë-hija e problemeve të ndërgjegjes individuale e kolektive të një populli, i cili duhet të përballojë pasojat e një politike totalitare. Një copëz e grisur dhe e shqyer e historisë së një toke, mbajtur shumë gjatë në errësirë, që tani kërkon me zë të lartë të njihet. Teatri na ndihmon për këtë. Teatri lind aty ku do, por sigurisht, është teatër vetëm nëse ka këtë aftësi: të rrezatojë dashuri. Ky koncept i thjeshtë është në bazën e teatrit. E vetëm me zemër mund t’i flitet atij që të dëgjon (spektatorit, edhe ky, njeri). Asgjë tjetër! Sot, më shumë se kurrë, teatri ka nevojë për ngrohtësinë njerëzore. Duhet të mbetet ai që ka qenë në synimet më të mira të krijuesve të vet: vendi ku bashkësia, e mbledhur lirisht, të nxjerrë në dritë vetveten. E vetëm nëse rrezaton dashuri, është teatër. Përndryshe, siç do të thoshte Testori, ‘është hi e asgjë’”.







All the contents on this site are copyrighted ©.