2012-08-21 12:43:01

Në Pakistan arrestohet një vajzë e krishterë
me sindromën Daun, e akuzuar për blasfemi


Në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, 600 familje ikin, të tmerruara nga dhuna e së shtunës, kur një turmë e zemëruar në kulm, me në krye imamin e zonës, deshi t’i vinte zjarrin një vajze 11-vjeçare, e sëmurë me sindromën e Daunit, akuzuar për blasfemi. E në ditën kur myslimanët kremtonin Fitër Bajramin, në fund të Ramazanit, presidenti Asif Ali Zardari kërkoi një raport të detajuar për ngjarjen. Duket se vajza është gjetur me disa fragmente të djegura të një doracaku për leximin e Kuranit e vetëm ndërhyrja e policisë pengoi degjenerimin e gjendjes. Tani Rifta Masih, ky është emri i vajzës, gjendet në burgun e të miturve në Ravalpindi dhe rrezikon të mbetet aty për jetë. Frika e atentateve ka shkaktuar alarm edhe në Lahore, Multan e Karaçi. Pikërisht në Karaçi jeton e punon motra italiane Daniela Baronkeli, murgeshë e Bijave të Shën Palit:
“U informuam që vajza nuk di as t’u përgjigjet pyetjeve. E kanë gjetur me një çantë, ku kishte pjesë të djegura të Kuranit. Por, nuk e dinë se kush ia ka dhënë, ose ku i ka marrë, nuk dinë asgjë. Donin ta digjnin të gjallë, sepse thonë se i është bërë fyerje e madhe Kuranit. Kjo situatë, fatkeqësisht, po bëhet e zakonshme: fakti është që ekstremistët nuk i duan më të krishterët këtu. Prandaj, mjafton pak gjë – e vërtetë, ose jo – për të zgjuar revolta”.
Gjendja e të krishterëve në Pakistan bëhet kështu, gjithnjë e më e vështirë. Sipas agjensisë kishtare “AsiaNews”, vetëm një muaj më parë, u dogj një person me të meta mendore në Bahavalpur, në jug të vendit, sepse kishte “fyer Kuranin”. Asia Bibi, gruaja e krishterë, nënë e pesë fëmijëve, u dënua me burgim të përjetshëm më 9 qershor 2010, pasi rrezikoi jetën. E dikush nga partitë e krishtera i kërkon qeverisë t’u lejojë besimtarëve të mbajnë armë për t’u mbrojtur. Akoma motër Daniela:
“Nuk është Islami, këtu flitet për ekstremistë e nuk dimë si t’i kontrollojmë: nuk arrijmë me dialog, nuk arrijmë me sjelljen tonë të mirë, me favorizimin e festave të tyre, me ndihmën që u japim e të tjera. Janë grupe. Këto raste, shpesh krijohen enkas: nganjëherë, dikush shpërndan copëza të Kuranit gjithandej, për të na akuzuar pastaj ne. Në këtë rast, është fjala për një fëmijë të sëmurë, prandaj është e lehtë ta përdorin sipas qejfit, por nuk kam të dhëna për ta konfirmuar një gjë të tillë”.
Në këtë skenar, presidenti Asif Ali Zardari kërkoi një raport të detajuar për Rimshën e vogël, ndërsa këshilltari i Ministrit për Harmoninë kombëtare, katoliku Paul Bhatti, vëllai i të cilit u vra nga fondamentalistët islamikë, i ftoi krerët fetarë myslimanë të qetësojnë besimtarët e të mohojnë çdo formë ekstremizmi. Motër Daniela:
“I lutem Zotit t’i bekojë të krishterët, t’u japë forcë në këto çaste kaq të vështira, por t’i bekojë edhe myslimanët, që të gjejnë udhën e paqes, të dialogut e të bashkëjetesës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.