2012-08-21 11:42:04

Leksionet e Nënë Terezës: “Në një nga shtëpitë e motrave të së Lumes”


Një nga mjediset kryesore shkollore për mësimet e Nënë Terezës është, pa dyshim, kapela, zemra e të gjitha shtëpive të saj, tashmë të përhapura deri në skajet më të humbura të botës, ku jetojnë njerëz të feve nga më të ndryshmet. Hyjmë, pra, në një nga Kapelat e misionareve të bamirësisë. Është mëngjes heret, po kishëza është plot me njerëz të gjunjëzuar ose të ulur përdhe, sipas mënyrës indiane, mbështetur mbi thembra. Të gjithë, të zbathur. Ndërsa këpucët i shikojmë të renditur me rregull para portës. Mbi murin përballë, Kryqi. Përskaj, në gjuhën angleze, Krishti na kujton: “I thirst!” – “Kam etje!”. Ulemi në gjunjë pranë e pranë me nja njëzet motra, mbështjellë me saret e tyre të bardha me anë blu, të zhytyra në kundrim e në lutje. Dikur mes tyre vinte shpesh Nënë Tereza. E vjen edhe tani, në krahët e uratës, për t’i ndihmuar nga qielli, bijat, që vijojnë të ecin në gjurmët e saj me këmbë zbathur në sandalet e thjeshta, pa bujë, pa zhurmë, duke lënë pas vepra paqeje. Është hapi i parë, që na shtyn të hyjmë në Shtëpinë e misionareve të bamirësisë. Com and See! Vijon ta këshillojë Nënë Tereza çdo njeri, që interesohet për veprën e saj. Mos i dhuro të varfërit vetëm paratë tua, dhuroji zemrën!.
Leksionet e Nënë Terezës mund t’i ndjekim vetëm duke bërë diçka, për të mos mbetur tek fjalët. Kërkojmë ndihmë nga motrat. Na shoqërojnë në një kuzhinë të vogël, ose më mirë të themi, në një mjedis, që s’e dimë a mund të quhet kështu. Në sa kujtohemi se duhet të kishim marrë me vete një përparëse, njëra nga bashkëpunëtoret na e lidh një për bel, duke na përgatitur të nisim menjëherë punën. Zbatojmë urdhërat, që na jepen, në sa ndjekim me admirim punën e kujdesshme të të tjerave, që vijnë prej kohe të marrin mësime në këtë shkollë. Na ngarkojnë detyrën të zgjedhim frutat, me të cilat do të përgatitet sallata, që njihet me emrin maqedonia. Marrim menjëherë mësimin se aty zgjedhja bëhet në mënyrë krejt të kundërt, nga ajo që jemi mësuar të bëjmë në shtëpitë tona: nuk duhen zgjedhur frutat që janë në kushte më të mira, por më të këqija, sepse më të mirat mund të durojnë për të nesërmën. Nisin, kështu, mësimet tejet konkrete. Për t’i nxënë, duhet të revolucionarizosh mënyrën tënde të të menduarit, duke nisur nga gjërat e vogla, të përditshme. E ndërsa mendojmë kështu, nga një skaj dëgjohet kënga e valimit të ujit në një kusi të madhe, që zë njëzet kile makarona.
Përfundojmë së përgatituri sallatën e frutave, ndërsa dikush tjetër ka përgatitur salcën për pjatën e parë e një i tretë sjell një proshutë të madhe të zjerë, që duhet prerë me dorë, duke përdorur thika, të cilat e kanë harruar ç’është tehu i mprehtë: mjete moderne prerëse, elektroshtëpijake, lavatriçe, që na shoqërojmë prej kohe në jetën tonë të përditshme, këtu nuk njihen fare. Në shtëpitë e Nënë Terezës gjinden vetëm ato orendi, që mund t’i kenë edhe të varfërit më të varfër. Si mund të kuptohen të varfërit, në se nuk jeton si ata? E ky është leksioni i parë, që marrim në një nga shtëpitë e Nënë Terezës.







All the contents on this site are copyrighted ©.