2012-08-21 15:04:04

Kongresi dytë panafrikan i laikëve katolikë në Kamerun


Nga data 4 deri më 9 shtator të ardhshëm, në Yaoundé, në Kamerun, do të mbahet kongresi dytë panafrikan i laikëve katolikë. Ky takim organizohet nga Këshilli Papnor për Laikët në bashkëpunim me Kishat vendore, në vazhdimësi me takimet e ngjashme në kontinente tjera, i fundi qe ai që u mbajt në Seul, në Azi, në shtator të vitit 2010. Tema e takimit afrikan është “Të jesh dëshmitar i Jezu Krishtit në Afrikë sot” e ka si synim inkurajimin dhe mbështetjen e besimtarëve laikë të atyre trevave, në një kohë kur atyre u kërkohet ta “thellojnë domethënien e thirrjes dhe të misionit të krishterë”, në kuadrin e fillimit të afërt të Vitit të fesë.
Në punimet e këtij takimi të laikëve katolikë të Afrikës, pritet të marrin pjesë mase 300 delegatë, që përfaqësojnë Konferencat ipeshkvnore, shoqatat e lëvizjet kishtare të përhapura në mbarë Afrikën. Ndër vendet që janë zgjedhur për kremtimin e kongresit, është Katedrala e Yaoundés dhe bazilika e vogël Mbretëresha e Apostujve në Mvolyé.
Pas një analize të situatës gjeopolitike e të prioriteteve të Kishën në këtë kontinent, do të trajtohen edhe thirrjet e shenjta dhe tema e misionit të besimtarëve, sipas mësimeve të dokumentit apostolik Christifidelis laici ( 1988), që flet mbi misionin e laikëve në Kishës. Dokumentet tjera themelore për këtë argument janë enciklika Redemptoris missio (1990), e dy nxitjet apostolike që janë botuar pas Sinodeve të ipeshkvijve afrikanë, Ecclesia in Africa ( 1995) e Africae minus ( 2011).
Për sa i përket kontekstit kishtar, “ideja udhërrëfyese” do të jetë ajo e Kishës si “Familje e Zotit” dhe vëmendja ndaj të varfërve si bashkëpërgjegjësi e laikëve në ndërtimin e afrimit dhe të bashkimit. Këtu do të flitet për përfshirjen e lëvizjeve të reja kishtare e të komuniteteve kishtare në Afrikë. Vëmendje të posaçme do t’i kushtohet mjediseve të jetës publike e çështjes së drejtësisë, paqes e pajtimit, për çka do të flitet në ditën e fundit të punimeve.
E këtu, nuk mund të mos kujtojmë se Afrika është në zemër të papnisë së Benediktit XVI. Këtë e dëshmojnë edhe dy udhëtimet papnore që ai bëri në kontinent: ajo në Kamerun e Angola, nga 17 deri më 23 mars 2009, për botimin e dokumentit Instrumentum laboris, e ajo në Benin, nga 18 deri 20 nëntor 2011, për dorëzimin e dokumentit pas Sinodal Africae minus.







All the contents on this site are copyrighted ©.