Papa, Veprimit Katolik argjentinas: dëshmoni bukurinë e fesë përmes mikpritjes e solidaritetit
Dëshmoni bukurinë e fesë: kështu u shkruan Papa pjesëmarrësve të Asamblesë së 27-të
të Përgjithshme të Veprimit Katolik argjentinas, që vazhdon në Lujàn. Sipas Benediktit
XVI, këto janë përparësitë në shpalljen e Ungjillit: “Të jeni bujarë, mikpritës, solidarë
e sidomos, dëshmitarë të bukurisë së fesë”. Veprimi Katolik mund të kontribuojë në
krijimin e një kulture popullore pozitive, në formimin e njerëzve të përgjegjshëm,
të aftë t’i shërbejnë vendit. Grupet tuaja janë palestra shenjtërie, thekson Papa,
ku njerëzit stërviten të punojnë më mirë për Mbretërinë e Hyjit, duke ndjekur parimet
ungjillore. Asambleja e përgjithshme e Veprimit Katolik mbledh rreth 7 mijë vetë
nga Argjentina dhe nga vende të tjera të Amerikës Latine. Tema e sivjetme është “Bëni
çfarë t’ju thotë. Të mbjellim shpresën, t’i shërbejmë jetës”. Aktualisht, Veprimi
Katoli ka 30 mijë anëtarë, që bëjnë pjesë në 800 famulli të ndryshme në Argjentinë.