2012-08-20 13:56:40

Leksionet e Nënë Terezës: “Vepra, jo fjalë!”.


Afrohen tri data, që na çojnë në Shkup, në Kalkutë e në Romë, duke na kujtuar tri ditë të paharrueshme, jo vetëm për Kombin shqiptar: ditëlindjen e së Lumes Nënë Terezë (26 gusht 1910), kalimin në amshim (5 shtator 1997) dhe lartimin në nderimet e elterit (19 tetor 2003).
Ata, që ishin të pranishëm në salikimet e Nënë Terezës, në Kalkutë, nuk mund të harrojnë se dikund, pranë trupit të saj, ishte shkruar: “Veprat e dashurisë janë vepra paqeje” dhe “Fryti i shërbimit është paqja”.
Janë fjalët e para të leksioneve, që i dha botës e Lumja shqiptare. Duke iu përgjigjur shkurt, atyre që i kërkonin shpjegime: “Come and See”(Eja e shiko). Vepra jo fjalë”. “Puna jonë, pati shpjeguar një ditë, është t’u japim zemër të krishterëve e jo të krishterëve, që të kryejnë vepra dashurie. Sepse çdo vepër dashurie, e bërë me gjithë zemër, i merr njerëzit për dore e i çon më pranë Zotit”.
Veprat e dashurisë janë gjithnjë vepra të paqes. Sa herë u jep të tjerëve sadopak dashuri, do ta ndjesh menjëherë se paqja pushton shpirtin tënd e të të tjerëve. Ku është paqja, aty është Zoti. Ku ka paqe, Zoti i prek zemrat dhe e dëshmon dashurinë për njeriun, duke ia mbushur shpirtin me gëzim. Kemi të drejtë të gëzojmë paqen e lumninë. U krijuam për këtë. Për të qenë të lumtur. E paqen dhe lumturinë e vërtetë mund t’i gjejmë vetëm kur jemi të lidhur fort me dashurinë e Zotit: kush e do Zotin është plot gëzim! Është tepër i lumtur, kush provon dashurinë e Zotit!
Me këtë hyrje na përgatit Nënë Tereza për leksionet e reja, në prag të tri festave të saj. Hyrje, pas së cilës vjen përsëri ftesa: “Com and See! Jo fjalë, po vepra”.
Të nisemi, pra, e të shkojmë, për të mësuar konkretisht nga Nënë Tereza, si mund të bëhemi edhe ne, misionarë të dashurisë.
Duke filluar nga njëzet e katër pyetje, për të marrë prej së Lumes, njëzet e katër përgjigje, themelore për jetën e çdo njeriu:

Dita më e bukur? E Sotmja.
Pengesa më e madhe? Frika.
Gjëja më e lehtë? Të gabosh.
Gabimi më i madh? Të heqësh dorë.
Rrënja e gjitha të zezave? Egoizmi.
Dëfrimi më i këndshëm? Puna.
Disfata më e tmerrshme? Të të lëshojë zemra.
Profesionistët më të mirë? Fëmijët.
Nevoja e parë? Komunikimi.
Lumturia më e madhe? Të jesh i dobishëm për të tjerët.
Misteri më i thellë? Vdekja.
E meta më e madhe? Zymtia.
Njeriu më i rrezikshëm? Gënjeshtari.
Ndjenja më dërmuese? Brerja e ndërgjegjes.
Dhurata më e bukur? Falja.
Ç’gjë është e pazëvendësueshme? Familja.
Shtegu më i mirë? Ai i drejti.
Ndjesia më e këndshme? Paqja e shpirtit.
Mikpritja më e dëshiruar? Buzëqeshja.
Ilaçi më i vlefshëm? Optimizmi.
Kënaqësia më e madhe? Detyra e kryer.
Forca që tund malet? Feja.
Njerëzit më të nevojshëm? Meshtarët.
Më e bukura gjë në botë? Dashuria!







All the contents on this site are copyrighted ©.