2012-08-20 13:51:12

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: Jezusi nuk kërkon të pëlqehet, por të japë jetë të plotë.


“Jezusi, kokrra e grurit, e hedhur në brazdat e historisë”. Për këtë foli dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga Pallati Apostolik i Kastel Gandolfos.
Shumëzimi i bukëve dhe i peshqve na flet drejtpërdrejt për kuptimin e ardhjes së Krishtit. E shpjegon Ai vetë, të nesërmen e mrekullisë, në sinagogën e Kafarnaos. Hyji Atë na e dërgoi të Birin si bukë për jetën e pasosur, e kjo bukë është korpi i tij, jeta e tij, flijuar mbi kryq për ne:
“Duhet, prandaj, ta pranojmë me fe, pa u shkandulluar nga natyra e Tij njerëzore; e duhet edhe të hamë korpin e Tij e të pijmë gjakun e Tij, që të kemi në vetvete jetën e ta kemi të plotë”.
Jezusi nuk foli kurrë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, për t’u pëlqyer nga turmat, vërejti Benedikti XVI. Njerëzit, e edhe vetë dishepujt, entuziazmoheshin prej Tij, kur bënte punë të bindshme. E pas mrekullisë së shumëzimit të bukëve dhe të peshqve, turma deshi ta mbarte me ngadhënjim Jezusin e ta shpallte Mbret të Izraelit:
“Por nuk ishte kjo, dëshira e Krishtit, i cili pikërisht me këtë fjalim të gjatë, e shoi entuziazmin dhe shkaktoi shumë mospëlqime e kundërshtime”.
Kush dëshiron ta ndjekë Jezusin, duhet të bëhet një me Të, personalisht e thellësisht:
Prandaj Jezusi, në Darkën e Mbrame, do të themelonte Sakramentin e Eukaristisë: që dishepujt e tij të mund ta kenë në vetvete dashurinë e Zotit e, si një korp i vetëm, i bërë një me Të, ta shtrijnë në botë misterin e shëlbimit”.
Njerëzit e kuptuan se Jezusi nuk ishte mesia, që synonte të ulej mbi një fron tokësor:
Prandaj e mbajti Fjalimin, për t’i dhënë fund ëndrrës së turmave e, posaçërisht, për t’i nxitur dishepujt të merrnin një vendim. Në të vërtetë shumë prej tyre, që asokohe, nuk e ndoqën më”.
Prej këndej, ftesa e Papës: “nuk mund të mos mrekullohemi përsëri nga fjalët e Jezusit”:
“Ai, kokrra e grurit, e hedhur në brazdat e historisë, është fryt i parë i njerëzimit të ri, të çliruar nga kalbësira e mëkatit edhe e vdekjes”.
Ta rizbulojmë, pra, tha në përfundim të katekizmit të djeshëm Benedikti XVI, bukurinë e Sakramentit të Eukaristisë, që shpreh gjithë përvuajtërinë dhe shenjtërinë e Zotit...
që u bë i vogël, grimcë e universit, për të na pajtuar plotësisht në dashuri”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, Papa kujtoi veçanërisht Patrikun e Moskës dhe të të gjithë Rusive, Kirilli I, këto ditë mysafir i Kishës ortodokse në Poloni. Gjatë kësaj vizite u takua edhe me ipeshkvijtë katolikë. Fryt i këtij takimi ishte deklarata e përbashkët, që përshkohet nga dëshira për thellimin e bashkimit vëllazëror dhe të bashkëpunimit, për të përhapur vlerat ungjillore në botën e sotme.







All the contents on this site are copyrighted ©.