Vendimi për hedhjen në gjyq të Paolo Gabrieles – hap tjetër drejt transparencës. Notë
e atë Lombardit.
Javës së kaluar u dha vendimi për kujdestarin e dhomës së Papës, Paolo Gabrielen,
i akuzuar për vjedhjen e dokumentave të rezervuara nga tryeza e punës e Benediktit
XVI dhe për nxjerrjen e tyre jashtë Vatikanit. Gjykatësi hetimor vendosi ta hedhë
në gjyq, së bashku me një punonjës tjetër të Guvernatoratit, i cili akuzohet vetëm
për favorizim, pra shumë më pak se Gabriele. Siç thekson zëdhënësi i Selisë së Shenjtë,
atë Federiko Lombardi, në një notë zyrtare, vendimi nuk i jep fund çështjes, pasi
hetimi vazhdon për të sqaruar akuza të tjera dhe përfshirjen e elementëve të tjerë
në këtë çështje. Por, siç nënvizon atë Lombardi, vendimi është diçka e re në politikën
e ndjekur nga Vatikani, hap konkret, bërë me mjete e metoda juridike specifike, për
t’i përballuar problemet me rigorozitet e transparencë. Të dëgjojmë atë Federiko Lombardin: “Publikimi
i zgjeruar dhe i plotë, duke mbajtur të rezervuar vetëm emrat dhe mbiemrat e personave,
që duhen mbrojtur, është një akt i guximshëm dhe deri tani, mjaft i pazakonshëm në
mënyrën vatikanase të sjelljes. Vendimi i Papës për të inkurajuar punën
e magjistraturës ka vlerë në vetvete, sepse respekton kompetencat dhe autonominë e
këtij institucioni, si edhe shpreh besimin në kontributin që mund të japë në udhën
e vështirë e të lodhshme në kërkim të së vërtetës e në vendosjen e drejtësisë me mjete
njerëzore. Ndoshta krahasimi është i guximshëm, por mund të mendohet se
ashtu si konfrontimi me institucionet e jashtme të Moneyval ndihmon sigurisht të ecim
në drejtimin e transparencës ekonomike e financiare, ashtu edhe pranimi më i madh
i rolit të magjistraturës mund të ndihmojë sot transparencën dhe koherencën në fushën
e komunikimit e të diskutimit të çështjeve të tjera, jo ngushtësisht kishtare. Kontributi
i magjistraturës pra, nuk mjafton për përballimin e të gjitha problemeve, por është
serioz dhe impenjativ e mund të na ndihmojë të reflektojmë, nga një këndvështrim i
ri, mbi besnikërinë ndaj institucioneve, që përdorin vlerën e besimit e të komunikimit
konfidencial, atë të solidaritetit e të përgjegjësisë në shërbimin ndaj tyre. Edhe
kjo është një perspektivë, në të cilën mund të shohim vijën e ndjekur me vetëdije
nga Ati i Shenjtë, i cili përcakton me largpamësi kohët e mënyrat e udhëheqjes së
bashkëpunëtorëve të vet, në shërbimin ndaj Kishës, shërbim gjithnjë e më i frytshëm
e ungjillor”.