2012-08-18 19:37:47

Shenjtorët e javës 19 – 26 gusht 2012


të dielën e 20-të gjatë vitit kishtar, Kisha Katolike përkujton shën Gjonin Eudes, meshtar, themelues i Eudistëve, si edhe shën Sikstin II, papë e shën Manjon, martir. “Kush ushqehet me trupin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të”(Gjn 6,56), thotë Krishti në Ungjillin e ditës.

Më 20 gusht, ditë e hënë, bie festa liturgjike e shën Bernardit, abat e dijetar i Kishës, e shën Samuelit, profet dhe i shën Marisë de Matias, virgjër, themeluese e Motrave Adhuruese të Gjakut të Krishtit. Ungjilli i ditës na jep këshillën e Jezusit: “Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!”(Mt 19,21).

Të martën, më 21 gusht, Kisha Katolike kremton shën Piun X, papë. “Kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur”(Mt 19,29). Kështu na thotë Krishti në Ungjill.

Më 22 gusht, ditën e mërkurë, përkujtojmë Zojën Mbretëreshë, shën Timoteun, martir romak dhe shën Filip Benicin, meshtar. “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”(Lk 1,38): kështu i përgjigjet Maria, engjëllit që i lajmëron lindjen e Jezusit. Kjo bindje pa kushte e bën atë “Mbretëreshë”.

Të enjten, më 23 gusht, kremtohet shën Roza nga Lima, virgjër, terciare domenikane, shenjtorët Abondi dhe Ireneu, martirë, si edhe shën Qiriaku e shën Arkelau, martirë. “Shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur”(Mt 22,14) na paralajmëron Ungjilli i ditës.

Të premten, më 24 gusht, bie festa liturgjike e shën Bartolomeut, apostull. “Rabbi, ti je Biri i Hyjit! Ti je mbreti i Izraelit!”(Gjn 1,49) thotë Natanaeli në Ungjillin sipas Gjonit, duke u bërë simbol i të gjithë atyre, që e njohin dhe e pranojnë Jezu Krishtin.

Të shtunën e ardhshme, më 25 gusht, kremtohen shën Ludoviku, apo Luigji IX, mbret i Francës, shën Jozef Kalasancio, meshtar, themelues i Skolopëve. Krishti përcakton si duhet të jenë dishepujt e tij: “Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet”(Mt 23,11-12).

Të dielën e 21-të gjatë vitit kishtar, më 26 gusht, përkujtojmë edhe shën Zefirinin, papë e shën Masimilianin, martir, por të gjithë shqiptarëve u bie ndërmend Nënë Tereza, e cila lindi pikërisht në këtë ditë, në vitin e largët 1910. Ungjilli i ditës duket sikur përshkruan jetën e së Lumes shqiptare, e etur për Hyjin: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur!”(Gjn 6,68), i thotë shën Pjetri, Jezusit.







All the contents on this site are copyrighted ©.