2012-08-17 16:25:47

Ngushëllimi i Papës për vdekjen e Patrikut ortodoks të Etiopisë, Abuna Paulos, inkurajues i madh i dialogut ekumenik.


Benedikti XVI ngushëllon Patriarkanën e Etiopisë për vdekjen e Abuna Paulos, që ndërroi jetë në Adis Abeba, në moshën 76 vjeçare. Në mesazhin e ngushëllimit, Papa kujton impenjimin e Patrikut për dialogun ndërmjet Kishës ortodokse të Etiopisë dhe Kishës katolike. Ndalet posaçërisht tek fjalimi i Abuna Paulos në Sinodin për Afrikën, mbajtur në Vatikan, në tetor 2008. Papa nënvizon se lutet për shpirtin e Patrikut të ndjerë e për të gjithë ata, që mbajnë zi për vdekjen e tij.
Ja si e kujton atë Hailegebriel Meleku, zëvendës-drejtor i sekretariatit katolik, me telefon, nga Adis-Abeba:RealAudioMP3

Përgjigje: - Patriku ishte figurë e madhe. Jo vetëm atë shpirtëror për ortodoksët, por edhe për mbarë popullin etiop. Vdekja e tij lë një zbraztësi të madhe për bashkësinë fetare ortodokse, myslimane e edhe për Kishën katolike e fetë e tjera. Ishte edhe ambasador i paqes, shumë pranë Kishës katolike. Mori pjesë në salikimet e Gjon Palit II si dhe në Sinodin e jashtëzakonshëm për Afrikën, në vitin 2009. Kohët e fundit mikpriti një takim të Kishave ortodokse lindore me Kishat katolike, në Adis Abeba.
Ishte zë i fortë për Kishën ortodokse, për të gjitha zonat e Etiopisë: zë që dëgjohej në mbarë botën!

Në një mesazh ngushëllimi, sekretari i Këshillit Botëror të Kishave, i nderuari Olav Fykse Tveit, kujton figurën e jashtëzakonshme shpirtërore të Patrikut si dhe rolin e tij të rëndësishëm në dialogun ndërfetar dhe ekumenik. Këshilli Botëror i Kishave, në të cilin Patriku i ndjerë ishte njëri nga zevendës-kryetarët, nënvizon posaçërisht betejat e Abun Paulos kundër Sidës e për progresin shoqëror të më nevojtarëve, jo vetëm në Etiopi. Falë këtij impenjimi të palodhshëm, Patriku meritoi shumë çmime të njohura ndërkombëtare.
Edhe Bashkësia e Shën Egjidit e kujton me emocion të ndjerin. Patrik që nga viti 1992, deklaroi kryetari i Shën Egjidit, Marko Impaliaco, Abun Paulos mblodhi dëshmitë e një kishe të lashtë, që kaloi vitet shumë të vështira të diktaturës e të luftës. Ai vetë pësoi persekutime për fenë, duke e paguar besnikërinë e tij ndaj Krishtit me burgime e internime. U bë, kështu, protagonist i rilindjes së Kishës në Etiopi, por edhe një nga zërat më autoritare të krishterimit afrikan, sepse mishëroi fenë e thjeshtë e të pathyeshme të miliona të krishterëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.