2012-08-17 13:49:04

Nesër, kryevjetori i DBR-së së Madridit. Papa: Ujëvarë drite, që e bën të dukshme fenë në botë.


Nesër përkujtohet kryevjetori i Ditës Botërore të Rinisë së Madridit, e treta për Benediktin XVI, pas asaj të Këlnit e të Sidneit. Me këtë rast, kardinali Antonio Roko Maria Varela, kryeipeshkëv i Madridit, i ftoi besimtarët të marrin pjesë në liturgjitë e shumta të falënderimit për frytet e begata të takimit të madh kishtar. Të rikthehemi në atmosferën gazmore të një viti më parë, e cila ndjehet fort në fjalët, që Benedikti XVI u drejtoi të rinjve të mbarë botës.RealAudioMP3
Ditët Botërore të Rinisë lidhin botën e Zotin. Frytet e tyre u përkasin jo vetëm të rinjve, por edhe mbarë Kishës. Gjatë fluturimit drejt Madridit, Benedikti XVI nënvizoi rëndësinë e DBR-së. Nuk janë, pohoi, ngjarje e izoluar, por pjesë e një rruge më të gjatë, më të madhe. E Papa përdori një figurë vërtet të gjetur, për të përshkruar përmasat e këtyre ditëve të mëdha e të jashtëzakonshme:
Do të thosha se këto DBR-së janë sinjal, ujëvarë drite; e bëjnë fenë të dukshme; të dukshme e bëjnë edhe praninë e Zotit në botë e u japin, kështu, njerëzve, guximin për të besuar. Shpesh besimtarët ndjehen të izoluar në këtë botë, që është e bukur kur jetohet në frymën e miqësisë universale” (Bisedë me gazetarët në avionin papnor, 18 gusht 2011).
“Të rrënjosur e të bazuar në Krishtin, të fortë në fe” (Kol 2,7) ishte tema e DBR-së së Madridit, mbi të cilën u ndaluan, për të reflektuar e për t’u lutur, të rinjtë e mbarë botës, mbledhur në kryeqytetin spanjoll. Në Festën e mikpritjes, në Sheshin e Sibeles, të mbushur sa më nuk zinte, Papa nënvizoi se kur nuk ecën krah për krah me Krishtin, mund të dredhosh rrugë, të shkelësh në shtigje të tjera, në shtigjet e verbërisë e të egoizmit.
Prej këndej, ftesa e Papës për ta ndërtuar jetën mbi shkëmbin e pathyeshëm, për ta realizuar për e me Jezu Krishtin. Vetëm kështu, kujtoi Papa, mund të jemi të lirë e ta projektojmë dritën e Krishtit mbi mbarë njerëzimin. Më pas, duke u folur të rinjve të ardhur në Spanjë nga Italia, Benedikti XVI u kujtoi frymën me të cilën duhen jetuar DBR-së:
“Jetojini këto ditë me frymën e lutjes së thellë e të vëllazërisë, duke dëshmuar gjallërinë e Kishës në Itali, të famullive, shoqatave, lëvizjeve. Ndajeni me të gjithë këtë pasuri” (Festa e mikpritjes, 18 gusht 2011).
Një pasuri shpirtërore, që e panë të gjithë e në mënyrë të jashtëzakonshme, në Mbrëmësoren e paharrueshme në aeroportin Kuatro Vientos, gjatë së cilës Papa ia kushtoi të rinjtë Zemrës së Krishtit.
E paharrueshme për gëzimin, entuziazmin, lutjen e dy milionë zemrave të reja, gjatë Adhurimit Eukaristik. E paharrueshme edhe për stuhinë e papritur, që rrahu me erë e rrebesh sheshin e madh, duke e detyruar Papën ta ndërpresë homelinë. Gjithsesi, as Papa e as të rinjtë nuk u trembën, edhe në çastin kur një çadër u shemb papritmas nga era e fortë, duke plagosur lehtë shtatë vetë.
Shiu e era vijuan të tërbohen – të rinjtë, të këndojnë, të duartrokasin e të brohorasin emrin e Benediktit XVI. Papa, tejet i kënaqur, i falënderoi për entuziazmin, në një kohë kaq të papërshtatshme për gjithë këtë hare.
Pas ndërprerjes, e cila zgjati më se 10 minuta për shkak të kohës së keqe, duke krijuar edhe probleme në dëgjimin e zërit, Papa e kapërceu homelinë dhe kaloi menjëherë tek përshëndetjet në gjuhë të ndryshme:
Vetëm Krishti – u tha të rinjve të gjuhës franceze – mund t’u përgjigjet dëshirave që keni në zemër. Lëreni Zotin t’ju pushtojë, që prania juaj në Kishë t’i japë asaj një shtytje të re.
Dashtë Zoti – tha në anglisht – ta ndikojë Shpirtin e vet mbi ne e mbi të gjithë Kishën, që të bëhemi fanar lirie, pajtimi e paqeje për mbarë botën.
Nga thellësia e zemrës – u tha të rinjve të gjuhës gjermane - dëshirojmë gjithçka është e madhe dhe e bukur në jetë. Mos lejoni që dëshirat e ëndrrat tuaja të humbasin, por realizojini, në Jezu Krishtin. Ai vetë është themeli, mbi të cilin mund të ecësh i sigurt e pikëmbështetja e patundur për një jetë të përkryer.
Më pas, Papa iu drejtua të rinjve italianë:
“Të dashur miq, kjo mbrëmësore do të mbetet përvojë e paharrueshme në jetën tuaj. Ruajeni gjithnjë flakën, që Zoti ndezi në zemrat tuaja në këtë natë: mos lejoni të shuhet, duke e ushqyer ditë për ditë; ndriçojini me të edhe bashkëmoshtarët tuaj, që jetojnë në errësirë e kërkojnë një dritëz, për të gjetur udhën”.
“Shkoni në mbarë botën e predikoni Ungjillin”: Këtë mandat u dorëzoi Benedikti XVI të rinjve në Meshën përfundimtare të ngjarjes së madhe. Papa i nxiti të rinjtë e DBR-së t’i përgjigjen me bujari e guxim ftesës që u bën Jezusi për të lidhur miqësi me Të. E shtoi:
“Ju kërkoj, miq të dashur, ta doni Kishën, që ju lindi në fe, sepse të vetëm nuk mund ecni pas Jezusit”.
E nesër, pas një viti, kujtohet Dita Botërore e Madridit, me syrin e drejtuar kah Rio-de-Zhanéjro i Brazilit. Më 29 korrikun e kaluar, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i inkurajoi organizatorët e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet pikërisht pas një viti, duke e shikuar, plot me shpresë, si takim të rëndësishëm kishtar
Është rast shumë i çmuar, i cili u krijon të rinjve mundësitë ta provojnë gëzimin e bukurinë që lind në shpirt, kur i përket Kishës dhe e jeton fenë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 29. 07. 2012).
Kujtojmë se Dita Botërore e Rinisë 2013 me temë “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19), do të kremtohet në Rio-de-Zhanéjro të Brazilit, ndërmjet 23 e 28 korrikut.







All the contents on this site are copyrighted ©.