Mesazh për fundin e Ramazanit: të rinjtë e krishterë e myslimanë, lajmëtarë të paqes
e të drejtësisë
Nesër, më 18 gusht, myslimanët e gjithë botës festojnë fundin e Ramazanit. Dita e
parë e Fitër Bajramit është të dielën. Për të përgatiten edhe besimtarët shqiptarë,
të cilëve u urojmë “Gëzuar festën”. Me këtë rast, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar
u drejton të gjithë myslimanëve të botës një mesazh, këtë vit, mbi temën e edukimit
të të rinjve në drejtësi e në paqe. Edukimi i të rinjve është punë e bukur, por
edhe e vështirë, vihet në dukje në mesazh. Kjo detyrë i besohet krejt shoqërisë, në
veçanti, prindërve dhe shkollës, pa harruar përgjegjësit e jetës fetare, kulture e
shoqërore. Në tekstin e nënshkruar nga kryetari i dikasterit vatikanas, kardinali
Zhan-Lui Turan, theksohet se duhen “ndihmuar të rinjtë të zbulojnë e të vlerësojnë
pasuritë, që u ka besuar atyre Krijuesi, të marrin përsipër përgjegjësinë e marrëdhënieve
personale e të formohen me vlera si drejtësia e paqja”. Për besimtarët e të gjitha
feve, vazhdon mesazhi, drejtësia e vërtetë e ka bazën në faktin se të gjithë njerëzit
janë krijuar nga Zoti për të formuar një familje të vetme. Fryti i drejtësisë dhe
efekti i bamirësisë është paqja, e cila nuk është thjesht “mungesë lufte, as ekuilibër
ndërmjet forcave të kundërta, por është njëkohësisht dhuratë e Zotit e vepër e njeriut,
për t’u ndërtuar pa pushim. Duke vënë në jetë ndjenjat e mëshirës, të solidaritetit,
të bashkëpunimit e të vëllazërimit, besimtarët, lexohet më tej në mesazh, mund të
përballojnë me vendosmëri e me më tepër forcë shpirtërore, sfidat e botës së sotme:
rritjen e harmonishme, zhvillimin e gjithanshëm, parandalimin e zgjidhjen e konflikteve”.
Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dëshiron t’i inkurajojë të rinjtë myslimanë
e të krishterë të punojnë gjithmonë për të vërtetën e për lirinë, pa kompromis, për
t’u bërë lajmëtarë të vërtetë të drejtësisë e të paqes e nxitës të një kulture, që
respekton të drejtat e dinjitetin e çdo qytetari.