2012-08-17 16:25:35

Falje e pajtim: mesazhi historik i përbashkët i Patriarkanës së Moskës e të episkopatit polak.


Ditë historike sot në Varshavë, me frymën e pajtimit ndërmjet Kishës ortodokse ruse e Kishës katolike polake. Kryetari i Konferencës ipeshkvnore polake, kryeipeshkvi Jozef Mihalik dhe Patriku i Moskës dhe i gjithë Rusive, Kirill, që viziton për herë të parë Poloninë, nënshkruan dokumentin e titulluar “Mesazh i përbashkët i popujve të Rusisë e Polonisë”. Në tekst theksohet në mënyrë të posaçme thirrja për falje, pajtim e dialog, për të shëruar plagët e së kaluarës e për t’i hapur rrugën përtëritjes shpirtërore e materiale.

Paqe e pajtim, pra, janë dy termat, që ndeshen më shumë në dokumentin, “kontribut – lexohet, në veprën e afrimit të Kishave tona e të pajtimit të popujve tanë. Hapi i parë për të siguruar mirëkuptimin reciprok, pa të cilin nuk mund të ketë pajtim, është pikërisht dialogu. Të falësh - lexojmë në dokument - nuk do të thotë të harrosh. Kujtesa është pjesë përbërëse e identitetit tonë. Nuk mund të harrojmë, prandaj. Do të ishte fyerje e padrejtësi ndaj atyre, që dhanë jetën për t’i qëndruar besnikë Krishtit e atdheut.Të falësh, do të thotë të mos hakmerresh, të mos urresh, me bindjen se vetëm kështu mund të sigurohet paqja. Është detyrë ta njohësh historinë e së kaluarës, sepse një njohje e tillë ndihmon për të zbuluar plotësisht të vërtetën, pa asnjë shtrembërim.
Lufta dhe totalitarizmat – një pikë tjetër e historisë ruse e polake, shkatërruan miliona njerëz të pafajshëm, gjë që e kujtojnë edhe varrezat e njohura e të panjohura, hapur në trojet ruse e polake. Prandaj nuk është e lehtë, por as e pamundur, të rindërtosh besimin reciprok, t’i afrosh njerëzit e të krijosh kushtet e nevojshme për ardhmërinë paqësore të të dy vendeve e popujve, pa dhunë, pa luftë, pa hakmarrje, pa varreza të reja masive.
E dokumenti vijon me thirrjen për dialog vëllazëror, që çon në pajtim e hamendëson edhe gatishmërinë për t’i falur fyerjet dhe padrejtësitë e pësuara.
Në tekst flitet edhe për sfidat e reja, përballë ndryshimeve shoqërore e politike të këtij shekulli, në të cilin ndjehet fort indiferenca fetare e përparimi i shekullarizimit.“Është Krishti i ngjallur, shpresa për Kishat tona e për mbarë botën”, përfundon dokumenti, në të cilin rusë e polakë, plot devocion për Virgjërën Mari, i luten Zojës të ndërmjetësojë në veprën e madhe të pajtimit e të afrimit të dy Kishave të dy Kombeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.