2012-08-16 12:40:39

Çelësi i fjalëve të Kishës: muret e Jerikut


Thuhet se qyteti i Jerikut është më i lashti në botë. Shtegtari, ose turisti, që e viziton sot, mbetet i mahnitur nga madhështia e rrënojave të tij, por edhe nga bukuria e oazës. Por, ai që lexon Biblën, nuk mund të mos i vijë ndër mend rënia e mureve nën tingullin e borive, që përshkruhet në librin e Jozuehut.

“Kur jehoi zëri i borive, u dëgjua kushtrimi i popullit, ranë muret përdhe! Atëherë secili prej vendit ku ndodhi, u nis drejt e në qytet dhe e morën qytetin”(Joz 6,20). Këto rreshta të kapitullit të 6-të të Librit të Jozuehut dëshmojnë rënien e mureve, që shemben e shkërmoqen krejtësisht. Kjo ngjarje ka tërhequr edhe vëmendjen e regjizorëve amerikanë, që në vitin 1948 e në vitin 1978, bazuan mbi të dy filma me titull të njëjtë: “Muret e Jerikut”. Shtegtarët e Tokës Shenjte shohin aty rrënojat, shkretëtirën, por edhe oazën pjellore me një diametër prej rreth 5 kilometrash, në luginën e Jordanit, 250 metra nën nivelin e detit. Palmat e trëndafilat e qytetit, të cilave u këndohet në Librin e Siracidit(24,14), janë simbol i dijes hyjnore, emblemë e bukurisë, shenjë e jetës në një botë të vdekur.
Udhërrëfyesit lokalë, në krye të grupeve të turistëve, s’bëjnë tjetër veçse të përforcojnë stereotipet: Jeriku është qyteti më i lashtë i botës, është qyteti i rënies së mureve, është qyteti i mallkuar (kujtojmë se Jozuehu u betua: ”Qoftë mallkuar para Zotit ai njeri që do të guxojë të ngrihet për ta rindërtuar qytetin e Jerikut! Mbi djalin e madh i shtiftë themelet e mbi më të voglin e vëntë derën e tij”(Joz 6,26)). Por, si gjithmonë, realiteti është paksa më i ndërlikuar. Është e sigurtë, nga studimet arkeologjike, se prania e një burimi dhe e një oaze i dha jetë një ngulimi shumë të lashtë, 7800 vjet para Krishtit, në zonën, që sot quhet Tell es-Sultan, në Turqi. Popullsitë e para u zëvendësuan nga të tjera, me kulturë më të rafinuar, që ndërtonin me tulla e që na kanë lënë statuja të vogla argjile të perëndeshës së pjellorisë, struktura me oborr qendror e shtatë kafka të vdekurish, tiparet e të cilëve ishin rindërtuar me argjilë e sytë me guacka, shenjë e një feje primitive për jetën pas vdekjes.
Rreth vitit 5000 para Krishtit, u dyndën popullsi të reja, të cilat banonin më së shumti në shpella, jashtë qytetit të lashtë, por që sollën një element të rëndësishëm për datimin e ngjarjeve, qeramikën. Që atëherë, duke qenë pikë strategjike, Jeriku u bë porta e hyrjes në tokën e Kanaanit e është kjo arsyeja, që u shkatërrua e u rindërtua disa herë. Sipas studimeve të arkeologëve, njëri nga muret, për shembull, është shkatërruar e rindërtuar 17 herë. Këtu paraqitet problemi jo i lehtë i “mureve të Jerikut”, siç përmendet në Bibël. Arkeologjia ka vërtetuar se në epokën e ardhjes së hebrenjve në tokën e premtuar (në shekullin XIII para Krishtit), Jeriku ishte i shkatërruar e gati i pabanuar. Shumë-shumë kishte ndonjë ngulim nomadësh përreth mureve. Gërmimet e fundit dëshmojnë se ka gjurmë (si gruri e materiale të tjera të djegura) për luftën, që çoi në fitoren e hebrenjve edhe në këto zona. Gjithsesi, me provat që kemi deri tani në dorë, nuk është e mundur të mendohet se qyteti kishte mure të fortifikuara në epokën e hyrjes së hebrenjve në të.
Atëherë, historia e mureve të rëna është legjendë? Në të vërtetë, mund të mendohet për një betejë, që në Bibël përshkruhet në mënyrë epike e “teologjike”. Edhe nëse pranojmë se Jeriku ishte gati krejtësisht i shkatërruar në epokën e ardhjes së hebrenjve – siç ka më tepër mundësi – tregimi biblik është gjithsesi i saktë. Si mund ta dëshmojmë këtë? Izraelitët arritën në Jordan me frikën e kalimit në një qytet të fuqishëm, siç ishte Jeriku, por e gjetën atë të shkatërruar e të braktisur. Atëherë, fitorja mbi të u përshkrua jo si sulm ushtarak, por si procesion liturgjik me Arkën e Besëlidhjes: qyteti ra në duart e Izraelit, sepse qe vetë Zoti, ai që ua bëri dhuratë hebrenjve. Ja si shpjegohet krejt skena e mureve të rëna nga tingulli i borive të shenjta e nga thirrjet e popullit, në fund të shtatë ditëve të procesionit. Mënyra historiko-teologjike e pasqyrimit të ngjarjes në Bibël kishte si qëllim të shpjegonte ngjarjen historike konkrete, atë të qytetit të fuqishëm, përkulur nga një fitore e mëparshme, që e kishte shkatërruar. Hebrenjtë kalojnë aty pikërisht në këtë kohë, prandaj e konsiderojnë dhuratë të Zotit dorëzimin pa luftë të qytetit. Zoti kishte punuar për ta më parë…
Jeriku u gjallërua shekuj më vonë, sidomos me Herodin, i cili ndërtoi një qytet rezidencial, me vila, pishina, amfiteatër, hipodrom e pallat mbretëror, vetëm dy kilometra nga qyteti i lashtë. Aty edhe vdiq, në vitin 4 para Krishtit. Aty kaloi edhe Jezusi, kur shëroi Bartimeun e verbër (Mk 10, 46-52) e kur mori me vete Zakeun, kreun e pasur të publikanëve, që për ta parë u ngjit në pemë(Lk 19,1-10).








All the contents on this site are copyrighted ©.