2012-08-16 16:27:41

Salezianët në festë për përvjetorin e lindjes së shën Gjon Boskos


Familja saleziane ishte sot në festë për ditëlindjen e themeluesit të saj, shën Gjon Bosko, ardhur në jetë më 16 gusht 1815. Po sot, filloi edhe faza e dytë e përgatitjes për 200-vjetorin e lindjes së don Boskos, që do të kremtohet në vitin 2015. Faza e parë kishte të bënte me njohjen e historisë e të jetës së shenjtit, ndërsa e dyta përqendrohet në studimin e pedagogjisë së tij. Kujtojmë se salezianët janë të pranishëm edhe në trevat shqiptare, nga Shqipëria, në Kosovë e në Mal të Zi, ku vetë kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Zef Gashi, është anëtar i Familjes së madhe të shën Gjon Boskos. Por cilat janë karakteristikat e metodës edukative të themeluesit të salezianëve? Të dëgjojmë drejtorin e përgjithshëm të Tipografisë së Vatikanit, salezianin don Serxho Pelini:RealAudioMP3
Trinomi gëzim, studim e mëshirë. Ose tri “sh”-të, që kujtonte shpesh ai vetë: shëndeti, shkenca, shenjtëria. Moraliteti, kultura, ungjillëzimi e qytetërimi. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për orientimet kryesore të metodës, për shembull, të sillesh në mënyrë të tillë që të të duan, në vend që të ta kenë frikën. Arsyeja, feja, dashamirësia, tri shtyllat mbi të cilat mbështetet sistemi parandalues i don Boskos. Të jesh atë, vëlla e mik. Të fitosh zemrën e të rinjve. Edukatori duhet t’ua kushtojë jetën nxënësve të vet, për të mirën e tyre.
Tipare, që shprehen me gjithë këto fjalë të rëndësishme… “Da mihi animas cetera tolle” ishte motoja e don Boskos, apo lutja e tij drejtuar Zotit: “Me jep shpirtrat, merre gjithçka tjetër”. Ç’do të thotë kjo?
Do të thotë të kesh parasysh gjërat më të rëndësishme! Të bësh gjithçka për dashuri e me dashuri, kjo është jetë shenjte. Do të thotë të shohësh përreth me shqetësimin e don Boskos, që sjell si rezultat vepra shprese për të ardhmen. Besimi në Provaninë Hyjnore, shqetësimi për ta çuar Zotin në të gjithë botën, përmasa misionare, kujdesi për botën e punës, duke u dhënë garanci planeve të zemrave rinore për të ardhmen: ky është don Bosko.







All the contents on this site are copyrighted ©.