2012-08-16 16:30:38

Përvjetori i shtatë i vdekjes së Frère Roger Schutz, themeluesit të Bashkësisë së Tezesë


Si sot, më 16 gusht 2005, një grua e çekuilibruar mendërisht, vrau gjatë lutjes së mbrëmjes, themeluesin e Bashkësisë ekumenike të Tezesë, Frère Roger Schutz. Shqiptarët, prej 20 vjetësh, frekuentojnë fshatin e vogël francez, pranë Lionit, ku shkojnë për t’u lutur e për të ushqyer shpirtin. Ndër motrat, që ndihmojnë fretërit është edhe një shqiptare, motër Sonila Meta e murgeshave të shën Andreut, që merren me mikpritjen e mijëra të rinjve e të rriturve, të cilët ndjekin Tezenë sidomos gjatë verës, por edhe Takimet ndërkombëtare të Vitit të Ri, që, zakonisht, organizohen në një kryeqytet të botës. Kujtojmë se këtë vit, Takimi ndërkombëtar do të zhvillohet në Romë, kryeqytet i Italisë.
Shtatë vjetori i vdekjes së papritur të Frère Roger bie njëkohësisht me 50-vjetorin e kishës kryesore të Tezesë, Kishës së Pajtimit, përuruar më 6 gusht të vitit 1962. Na pëlqen ta kujtojmë sot themeluesin e kësaj bashkësie ekumenike, ku të gjithë të krishterët janë vërtet një, siç i deshi Krishti, me fjalët që tha, gjatë përurimit të kishës, të cila tregojnë fenë e gjallë të këtij njeriu fisnik:
“Ata që vijnë në Taizé, krejtësisht të vetëdijshëm ose jo, kërkojnë diçka që i tejkalon. Nëse na kërkojnë bukë, a mund t’u japim atyre gurë për të kundruar? Pasi të vijnë në këtë kishë Pajtimi, në vend që të marrin me vete kujtimin e mureve të saj, duhet t’u bjerë ndër mend thirrja për pajtim e duhet ta kthejnë atë në bukën e përditshme të jetës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.