2012-08-16 12:40:50

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Urtia e Drejtësia


Pas Besës, virtytet që çmon më shumë shqiptari i traditës, janë Urtia e Drejtësia.
“Me kenë burrë i urtë” ndër Malet shqiptare do të thotë të jesh njeri i zoti, që mund t’i zgjidhësh problemet më të kapërthyeshme e t’u japësh përgjigje të matura, pyetjeve më të vështira. Njeriu i urtë dallohet nga të tjerët për sjellje të mirë, për bisedë të qartë, për fjalë të peshuara, për gjykim me vend.
“Burrat e urtë” u çmuan përherë e në çdo vend e qenë krahu i djathtë në drejtimin dhe në ndihmën e popullit, aty ku shkohej pas Kanunit. Burrat e urtë e diftonin veten në mbledhje të katundit, ndër pleqni e kudo e lypte puna.
Prandaj Urtia, që fitohet me shumë mundime, edhe prej njerëzve të pashkollë, lidhet kurdoherë e në mënyrë të pazgjidhshme, me Drejtësinë. Prej këndej, shqiptarët u përpoqën t’i edukojnë fëmijët me këto dy virtyte, marrë së bashku, që në prehër të nënës e buzë vatrës, kur ishin fare të mitur.
Drejtësia, ashtu si e kuptonte shqiptari i traditës, kërkohej posaçërisht nga pleqtë, që merrnin mbi vete ose ngarkoheshin për të ndarë a për të pleqëruar çështjet e pazgjidhura e për të hyrë ndërmjetës, duke i pajtuar njerëzit e përçarë për probleme nga më të ndryshmet, që shoqërojnë jetën e përditshme. Probleme, këto, që ndër male mund t’i zgjidhte më shpejt gryka e pushkës.
Dhe nuk e kishin aspak të lehtë, ndërmjetësit, ta kryenin këtë detyrë, sepse tejet e vështirë është t’ia mbushësh mendjen fajtorit a ankuesit se çështja e tij u zgjidh me drejtësi. Por kur Urtia e Drejtësia lidhen bashkë në mënyrë të pazgjidhshme, edhe problemet më të ngatërruara zgjidhen drejt, pa pasur nevojë për kod e as për avokat.
Tradita na kujton se, sipas mendësisë së shqiptarit, përforcimi i drejtësisë a vërtetimi i një pohimi bëhet në mënyrë të padyshimtë, përmes besë në Ungjill, mbi elter a edhe “me gur” .
Me i qitë benë dikujt, ishte hapi i fundit që mund të bëhej, për të kërkuar të drejtën. Çështjen e besë e shtjellon gjërë e gjatë Kanuni i Maleve, si i atyre të Veriut, ashtu edhe të Jugut.
Po e ilustrojmë mendimin, me një skenë beje mbi Ungjill, me ngjyrime historike nga “Besëlidhja e Lezhës”, shkëputur nga shkrimi i Atë Daniel Gjeçajt OFM, me titull “Skanderbegu”:
“Në Lezhen e Gencit mblidhen në kuvend homeridat shqiptarë. Janë princat e Arbënit, të përmendun për armë e trimní, për zemër e urtí. Nuk i ka thirrë as Akili grek, as Leka i Madh maqedonas, as Burri epirotas. Nuk duen të ndeshkojnë as Trojen madhështore as të shtrojnë Azinë e hapët, as të maten me Romën e pathyeshme. Duen të mbrojnë tokët e të parëve, trojet e etënve, votrat e lokeve.
Arianitas, Topiaj, Muzakaj, Spanaj, Balshaj, Dukagjinas, Gropaj, Zakariaj e Dushmanaj rrahin bénë me dorë në Ungjill e flakë në zemër. Dridhen harqet e katedrales së Shën Kollit, kur akejtë me çakçirë e fustanella, tue thirrë në ndihmë Zotin e Orën e fisit, tue vû peng jetën e rrasën e vorrit, lidhen me besë të burrave, me atë besë që për shqiptarin asht jetë a dekë, bekim qiellet a shitim rrëfeje, së cilës s’i pështohet i gjáll. Para kambëve të elterit kryqzojnë shpatat, lirohen jataganash, në nderim të tempullit e në shenj paqe e vëllaznimi. Shtëpia e Zotit, e dijnë, s’duron kërcnim armësh as “sherbezllek krenie”. Xixillojnë kllefat nga ari, gurët e çmueshëm e fildishi. Ngatërrohen vetima armësh e flakë qirash që fafiten me dritë të lëmekët. E katedralja duket si qiella jonë në ditët e verës, kur shndrisin mija hyj vezullues.
Ndihet tashti një zâ i plotë e i kumbueshëm. I ngjet zânit të kumbonës së madhe që bjen në ditë të lumnueshme nga Kështjella e Lissusit mitologjik. Asht zâni i Princit të Krujës, i cili “par inter pares” për kambë, por i pashoq ndër të zgjedhun për dukë e zotsí, shqipton i pari: “Për ketë bé bâ para Zotit, e si e bâna më ndihmoftë, pa më dalë para shpirti trupit, ‘i pëllambë tokë t’Arbënisë s’ ia lëshoj pa gjak të ‘pakryqit’ e i gjáll s’i trathtoj vëllazënt e farefisin”. Përsërisin, pa huqë një germë ketë bé, tanë princat mbas tij. Jehon beja, si jehon shkambi i Velës, që përcjellë valë-valë me qinda herësh të njejtën fjalë e shprehje.
Shën Gjergji luftár e Shën Kolli mrekullbâs, ipeshkëv e frat, janë dishmitárë. Më ketë jetë e më atë jetë, tash e përherë, kanë për të kenë shkas dënimi a shtim lumnie për betárë, simbas besës së mbajtun apo të thyeme. Djalë mbas djali ka për t’u thanë për trathtarët se i vrau beja e thyeme, ajo bé që vret deri në të shtatëtin brez e që heret a vonë trathtarin e qet faret si krypa barin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.