2012-08-15 15:02:09

Thirrje e Patrikut ekumenik Bartolomeu I për paqen në botë


“Dialogu është shpresa e vetme për arritjen e paqes”; “çdo krim në emër të fesë është krim kundër fesë”: frazat, që dëgjuat, janë pjesë e thirrjes së fuqishme të Patrikut ekumenik ortodoks të Kostandinopojës, Bartolomeu I, me rastin e festës së Zojës së Madhe. Nota, në të cilën Patriku shpreh shqetësimin e tij të thellë për rritjen e dhunës në botë, u bë e njohur dje. “Nga Amerika në Afrikë, nga Evropa në Azi – lexohet në tekst – kontinentet gjenden përballë fenomenit të intolerancës, që jo vetëm minon qëndrueshmërinë dhe paqen në botë, por përbën edhe mohim të dinjitetit të njeriut”. Bartolomeu I e ngre zërin sidomos kundër vrasjeve racore, genocideve, spastrimeve etnike, kundër antisemitizmit e shkatërrimit të vendeve të kultit, duke i quajtur akte barbarësh, që duhen denoncuar publikisht, sidomos kur maskohen me fenë, në përpjekjen për t’i justifikuar.
Patriku shpreh shqetësim për gjendjen në Siri, sidomos për të ardhmen e bashkësisë së krishterë të vendit. Ai bën thirrje të ulen armët dhe t’i jepet përparësi zgjidhjes së problemeve humanitare. Pastaj, e hedh vështrimin mbi Lindjen e Mesme, mbi Nigerinë e Sudanin, duke vënë në dukje ndeshjet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve dhe nevojën urgjente të nxitjes së dashurisë për njëri-tjetrin, lidhje që dallon e bashkon qëniet njerëzore. Thelbi i pajtimit është dialogu, thekson Bartolomeu I. Prandaj, u kërkon të gjithë krerëve fetarë të punojnë së bashku, përmes dialogut, për të sjellë paqen e Zotit në botë. Ata kanë detyrën morale për t’i rezistuar luftës e për të punuar që paqja të konsiderohet vërtet, nevojë jetësore e themelore për njerëzimin. Patriku nënvizon edhe një herë se feja nuk mund të jetë kurrë në bazën e konflikteve e nuk duhet përdorur për qëllime fondamentaliste, ose edhe thjesht, politike. Në fund, thirrja e Patrikut ortodoks për të gjitha Kishat autoqefale, Kishat e krishtera e bashkësitë fetare, për organizatat ndërkombëtare e shtetet e, për të gjithë njerëzit vullnetmirë, që të kontribuojnë për fitoren e paqes mbi luftën e urrejtjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.