2012-08-15 14:35:29

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Besa


Fjala e dhënë duhet mbajtur; duhet mbajtur amaneti; amanetin s’e tret dheu; të japësh besën; të marrësh në besë dikënd; t’i japësh besën dikujt – të gjitha këto shprehje në traditën e shqiptarit, të ftojnë të jesh i paprekshëm e i pathyeshëm para çdo miklimi, para çdo shpërblimi, para çdo premtimi, para çdo kërcënimi, para çdo flijimi, e edhe përpara vdekjes.
Kur dëshironte të shprehte kuptimin, që kishte për të Besa, shqiptari përdorte shprehje të shkurtëra, të rënda, si shkëmbi, mbi të cilin kishte gjetur strehë, pikërisht për ta ruajtur Besën, në të gjitha kuptimet e fisme, që merr kjo fjalë: “Besa-besë e fjala- fjalë”; “Burri lidhet për fjalet e kau për brinash”. Amanetin e mban edhe toka”.
I mbështetur mbi këto thënie, që janë parime të vërteta, shqiptari, në rrjedhën e historisë së tij arriti ta mbajë besën me bindje të plotë, deri në heroizëm.
Derisa e prenë në besë. Qëndroi besnik ndaj vetes e kombit, deri sa besa u vra në njëmijë mënyra, kryesisht duke u quajtur pabesi. Me synimin që të kthehej vetëm në objekt muzeal a subjekt studimi për të huajtë.
Miqtë e Shqipërisë e të shqiptarit, duke e njohur nga afër këtë virtyt, mbetën të çuditur e shprehën lavdërimet më larta për burrin e thjeshtë të maleve tona, kur panë se dinte ta mbante besën në kushte të pabesueshme.
Ngjarjet, që kanë të bëjnë me këtë virtyt, janë më të bukurat e më të rëndësishmet në jetën e malësorëve besnikë.
Besë në gjuhën e shqiptarit do të thotë fjalë e dhënë dhe e mbajtur, armëpushim, besnikëri, përvuajtëri, nder, e sa e sa virtyte të tjera të përmbledhura në virtytin e Besës!
Shqiptarët e vjetër, jo më shumë se një gjysmë shekulli përpara, kur lidhnin besën me tjetrin, që mund të ishte edhe i huaj, mik e armik, nënkuptonin një lidhje në të gjitha rrethanat dhe e mbanin me të gjitha fuqitë e veta e të njerëzve të vet. Po të ishte nevoja, bëheshin hi e pluhur me fis, farë e pasuri, për ta mbajtur “Besën e dhënë”, humbisnin gjithçka, edhe vetë jetën, për të mos e thyer besën.
Fuqia morale e therorisë dhe e vetmohimit, që përmblidhen në fjalën “Besë”, sot ndoshta kuptohet me vështirësi; e aq më vështirë është të gjesh ndonjë popull, që ta ketë mbajtur besën, si populli shqiptar.
Shqiptari i traditës e shikon atë, që then besën e dhënë, si njeriun më të poshtër, më të ulët, më të përçudur. Besëthyesi përbuzet nga e gjithë vëllazëria, nga mbarë fisi, nga krejt kombi. Nuk ka më vend ndër mbledhje, ndër festa, ndër gëzime e as ndër morte.
Ky virtyt, që është i domosdoshëm e mbështetje për marrëdhniet shoqërore, edukohet në shpirt të fëmijës qysh në mituri, që e gjithë jeta dhe i gjithë veprimi i tij të ujiten e të frymëzohen prej besës.
Shumë fjalë të urta ka krijuar shqiptari për besën:
Besa asht ma e fortë se vdekja.
Besa e burrit, pesha e gurit.
Burri i mirë flet një herë.
Detit i ka hije vala, burrit, fjala.
Deti njihet në valë, burri njihet në besë e sa e sa të tjera.
Në Librin X të Kanunit të Lekë Dukagjinit, §.855, shkruhet:
“Me çue gjind per besë âsht kanû, me dhânë besë âsht detyrë e burrni”.
E nuk duhet harruar se thirrja më e fuqishme, që u drejtohet gjithë shqiptarëve nga Himni i Flamurit, tejet aktuale në 100 vjetorin e ngritjes së tij, është: “Të lidhim Besën për shpëtim!”.
E në përkthimin shqip të Biblës, nuk u përdor më fjala ‘Testament’, por ‘Besëlidhje’, që shqiptari ta kuptonte më mirë se besa e lidhur me Zotin është e pathyeshme!








All the contents on this site are copyrighted ©.