Festa e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: jeta nuk asgjësohet, na pret dashuria e pafundme
e Zotit.
Maria na tregon se jeta jonë nuk përfundon në asgjë, por në fund të fundit na pret
Zoti, me dashurinë e tij të pambaruar: këtë theksoi Papa gjatë homelisë së Meshës,
kremtuar sot paradite në famullinë e Shën Tomës së Vilanovës, në Kastel Gandolfo,
me rastin e solemnitetit të të Ngjiturit të Zojës në Qiell.
“Maria, si e
kreu shtegtimin e jetës së vet mbi tokë, u ngjit në lumninë qiellore me korp e me
shpirt”: kështu, më 1 nëntor 1950, Papa Piu XII shpallte dogmën e Të Ngjiturit të
Zojës në Qiell. Është një e vërtetë feje, shpjegoi Benedikti XVI, që na tregon se
në Zotin ka hapësirë për njeriun. E Maria, vijoi, duke u bashkuar me Zotin, nuk largohet
nga ne, nuk shkon në një galaktikë të panjohur, por bëhet edhe më e afërt me të gjithë
ne, me secilin nesh. Zemra e saj bëhet edhe më e madhe, për të na zënë të gjithë: “Maria,
e bashkuar plotësisht me Zotin, ka një zemër aq të madhe, sa të zërë gjithë Krijesën,
gjë që e dëshmojnë dhuratat kushtore, të cilat e rrethojnë në të katër anët e botës.
Maria është afër, mund të na ndihmojë, është pranë të gjithëve, e ka një zemër aq
të gjerë, sa vetë zemra e Zotit”. Në Zotin ka gjithnjë hapësirë për njeriun,
por edhe në njeriun ka hapësirë për Zotin: “Në ne ka hapësirë për
Zotin e kjo prani e Zotit në ne është tejet e rëndësishme për të ndriçuar botën e
zhytur në trishtim, në probleme; kjo prani realizohet në fe. Në fe i hapim portat
e shpirtit tonë, që Zotit të hyjë brenda nesh, si forcë, që jep jetë. Duke ia hapur
zemrat Zotit, nuk humbasim asgjë. Përkundrazi, jeta jonë bëhet shumë më e pasur, shumë
më e madhe”. Papa kujtoi se sot qarkullojnë shumë ide, që ngjallin shpresa,
të rreme e të vërteta, për ndërtimin e një bote më të mirë. Këtë botë njerëzimi e
pret prej shekujsh, e dëshiron, e shpreson: “Në se e kur do të vijë
kjo botë më e mirë, nuk e dimë, nuk e di. Veç e di me siguri se një botë, që largohet
nga Zoti, nuk bëhet më e mirë, por më e keqe. Vetëm prania e Zotit mund të garantojë
edhe një botë më të mirë”. Të gjithë njerëzit jetojnë me shpresë, por të
krishterët kanë shpresën më të sigurtë: “Zoti na pret, na ndjek me vëmendje,
ne nuk humbasim në zbraztësi, pritemi. Zoti na pret e, duke kaluar në botën tjetër,
gjejmë mirësinë e Nënës, gjejmë njerëzit tanë, gjejmë Dashurinë e amshuar, Zoti na
pret: ky është gëzimi ynë e kjo shpresa, që lind pikërisht nga kjo festë”.Maria,
tha në përfundim Papa, është gëzimi i jetës sonë, është ngushëllim e shpresë për shtegtimin
tonë tokësor:
“T’ia besojmë vetveten ndërmjetësimit të saj amëtar, që
të na nxjerrë nga Zoti hirin e forcimit të besimit tonë në jetën e pasosur; të na
ndihmojë ta jetojmë mirë kohën, të cilën Zoti na e jep plot me shpresë. Shpresë e
krishterë, që nuk është vetëm mall për Qiellin, por dëshirë e gjallë e vepruese për
Zotin këtu, në këtë botë; dëshirë për Zotin, që na bën shtegtarë të palodhur, duke
na mbushur me guximin e forcën e fesë, njëkohësisht edhe guxim e forcë e dashurisë”.