2012-08-13 11:37:55

Vritet një meshtar tjetër në Kolumbi. Gjatë 27 vjetëve janë vrarë 2 ipeshkvij, 79 priftërinj, 8 rregulltarë e 3 seminaristë.


Një viktimë e re e dhunës në Kolumbi, ndërmjet anëtarëve të klerit: Atë Pablo Sançez Albarracín, 67 vjeç, meshtar i dioqezës së Kukutës, famullitar i “Santa Maria Madre de Dios”, bashkia e Los Patios, vdiq pas 72 orësh agonie. U sulmua më 9 gusht nga një njeri, i cili kishte hyrë në banesën e priftit i armatosur me thikë. Pa sulmit, prifti u gjet në gjendje shumë të rëndë. Sipas policisë vendase, popullsia e donte shumë, prej këndej nuk kishte pasur kurrfarë kërcënimi. Shqetësues, prandaj, ky sulm i ri, në një vend si Kolumbia, ku gjatë 40 vjetëve të fundit kanë gjetur vdekjen me dhjetra meshtarë. Shumica ranë viktimë e njerëzve që merren me trafikun e drogës, të tjerë, e paraushtarakëve ose grupeve të guerriljes. Në qytetin e Kukutës, prej kohe ekzistojnë probleme serioze të rendit publik e askush nuk kujdeset për sigurinë e qytetarëve. Kisha vendase është kërcënuar shumë herë, madje i është kërkuar të largohet nga kjo zonë. Më 15 korrikun e kaluar nunci apostolik, imzot Aldo Kavali, vizitoi qytetin, për të inkurajuar njerëzit e Kishës që ta vijojnë shërbimin e tyre baritor. Kisha nuk do t’i braktisë kurrë këta njerëz e, aq më pak, misionin e saj ungjillëzues, pati pohuar prelati.
Fliste kështu pak kohë pas vrasjes së një meshtari tjetër, atë Gustav Garthia, viktimë e një hajduti, që i mori jetën thjesht për t’i vjedhur celularin.
Sipas episkopatit kolumbian, ndërmjet vitit 1984 e shtatorit 2011, në vend janë vrarë 2 ipeshkvij, 79 priftërinj, 8 rregulltarë e 3 seminaristë.









All the contents on this site are copyrighted ©.