2012-08-13 11:37:44

Ta ndajmë bukën me vëllezërit. Thirrje e Papës në Engjëllin e Tënzot për popullsitë e Filipineve dhe të Iranit.


Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, pasi komentoi Ungjillin e së dielës, kushtuar bukës së zbritur nga qielli, Benedikti XVI bëri thirrje në ndihmë të popullsive të përmbytura të Filipineve dhe të Republikës Popullore të Kinës si dhe atyre të dëmtuara nga tërmeti, në Iran.RealAudioMP3

Pamjet, që vijnë nga Azia, janë dramatike: dhjetra të vdekur në Filipine e në Kinë, vende të dëmtuara rëndë nga shirat e rrëmbyera. Edhe më tragjik, bilanci i tërmetit, që lëkundi vrullshëm Veri-perëndimin e Iranit. Për këto vende e popullsi bëri thirrje Papa dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke i ftuar gjithë besimtarët t’i ndihmojnë këta vëllezër me lutje e me të gjitha format e mundshme të solidaritetit:
Ju ftoj të bashkoheni me lutjen time për ata që humbën jetën e për të gjithë njerëzit e vënë në provë nga fatkeqësi kaq shkatërrimtare të natyrës. Uroj që këtyre vëllezërve të mos u mungojë solidariteti e ndihma jonë”.
E kjo thirrje papnore e djeshme, u lidh ngushtë edhe me katekizmin, koment i fjalëve të Jezusit për bukën e zbritur nga qielli. Hajeni me fe, nënvizoi Papa, sepse kjo bukë e shndërron jetën tonë e na jep zemër të ndajmë gjithë ç’kemi me vëllezërit e motrat tona, që kanë uri për bukën e gojës e atë të shpirtit, për dashuri e shpresë.
Papa shpjegoi ç’dëshiron të na thotë Jezusi kur, duke shumëzuar bukët e peshqit, shuan urinë e pesëmijë njerëzve:
Jezusi dëshiron të na ndihmojë ta kuptojmë simbolikën e thellë të mrekullisë që kreu: duke shuar mrekullisht urinë e tyre fizike, i përgatit ta pranojnë kumtimin se është Ai vetë buka e zbritur nga qielli (cfr Gjn 6,41), që e shuan urinë njeriut një herë e përgjithmonë”.
Papa kujtoi edhe se populli hebraik, duke ravguar gjatë, rrugë pa rrugë, në shkretëtirë, e shijoi bukën e zbritur nga qielli, manën, me të cilën mbajti frymën gjallë. Tani Jezusi flet për vete; e quan veten Bukë e vërtetë, e zbritur nga qielli, që të mban gjallë përgjithmonë e jetës:
Ai është shujta, që jep jetën e pasosur, sepse Bir i vetëm i Hyjit, që është në gji të Atit, i ardhur për t’i dhuruar njeriut jetën e përkryer, për ta përfshirë në vetë jetën e Zotit”.
Në mendimin hebraik, vijoi të shpjegonte Papa, ishte e qartë se buka e vërtetë e qiellit, që ushqente Izraelin, ishte Ligji, Fjala e Zotit:
Tani Jezusi, duke u dëftuar si Bukë e qiellit, dëshmon se është Ai vetë Fjala e Zotit, Fjala e mishëruar, përmes së cilës njeriu mund të ushqehet me vullnetin e Hyjit (cfr Gjon 4,34) që e orienton dhe e mban gjallë jetën. Atëherë mund të themi se të dyshosh për natyrën hyjnore të Jezusit, siç bëjnë judenjtë në fragmentin ungjillor të së dielës, do të thotë t’i kundërvihesh veprës së Hyjit”.
Judenjtë, shpjegoi Papa, nuk shkojnë përtej zanafillës tokësore të Jezusit e prandaj edhe nuk duan ta pranojnë si Fjala e mishëruar e Hyjit sepse, siç na kujton Shën Agostini “ ishin shumë larg nga kjo bukë qiellore e të paaftë të ndjenin uri për Të”:
“E edhe ne duhet ta pyesim veten në se kemi vërtet uri, uri për Fjalën e Zotit, uri për ta njohur kuptimin e vërtetë të jetës. Vetëm kush tërhiqet nga Hyji Atë, kush e dëgjon dhe e ndjek pa asnjë kundërshtim mësimin e Tij, vetëm ai mund të besojë në Jezu Krishtin, mund ta takojë, të ushqehet me Të e të gjejë, kështu, jetën e vërtetë, rrugën e jetës, drejtësinë, vërtetësinë, dashurinë”.
Së fundi Papa, duke kujtuar se të hash bukën e gjallë do të thotë të rilindësh për një jetë më të vërtetë, i lartoi lutjen e tij Marisë:
“Duke e lutur të Shenjtnueshmen Mari, t’i kërkojmë të na prijë në takimin me Jezusin, që miqësia jonë me Të të jetë gjithnjë më e ngushtë; t’i kërkojmë të na hapë portën e bashkimit me Birin e saj, bukë e gjallë, e zbritur nga qielli, që kështu të përtërihemi prej Tij deri në thellësitë e shpirtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.