2012-08-13 16:02:01

Paolo Gabriele, përgjegjës për daljen e dokumenteve të rezervuara nga Vatikani, do të dalë para gjyqit


U bë i njohur sot vendimi i gjykatësit hetimor për ndihmësin e dhomës së Papës, Paolo Gabriele, i akuzuar për vjedhjen e dokumenteve të rezervuara nga tryeza e punës e Benediktit XVI dhe për nxjerrjen e tyre jashtë Vatikanit. Sipas gjykatësit vatikanas, Piero Antonio Bonnet, Paolo Gabriele do të hidhet në gjyq për këto akuza, së bashku me një informaticien të Sekretarisë së Shtetit, Klaudio Sharpeleti, 48 vjeçar, aktualisht në arrest shtëpiak, i akuzuar vetëm për favorizim. Në vendimin e njoftuar sot nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë dhe në dosjen e përgatitur nga promotori i drejtësisë, Nikola Pikardi flitet edhe për njerëz të tjerë, që pasqyrohen me sigla. Prandaj procesi hetimor, siç nënvizon gjykatësi, është “pjesërisht i mbyllur”.
“Për respekt ndaj personave, janë hequr të gjithë emrat që përmenden në rezultatet e procesit hetimor dhe në vendim, por disa prej tyre mund të merren me mend lehtë”, tha zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Natyrisht, dihet emri i gazetarit, që ka publikuar dokumentet. Ai është italiani Gianluigi Nuzzi e emri i tij nuk është sekret për askënd. Hetimet për dy të akuzuarit dhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje, vazhdojnë, theksoi atë Lombardi. Mesa duket Paolo Gabriele nuk ishte i vetmi që ka nxjerrë dokumente nga Vatikani, pasi disa prej tyre u janë dorëzuar gazetarëve kur Gabriele ishte arrestuar, sqaroi gjithnjë zëdhënësi i Selisë së Shenjtë.
Në dosjen e tij, promotori i drejtësisë, Nikola Pikardi shkruan se procesi hetimor ka të bëjë me një sërë krimesh si: krime kundër shtetit, krime kundër pushtetit shtetëror, mospërfillje e institucioneve shtetërore, shpifje, përhapje e informacioneve të rreme, përfshirje në krim të mëse një personi, favorizim, dhunim i sekretit.
“Në një situatë të tillë – shpjegon gjykatësi i Vatikanit – procesi hetimor paraqitej i ndërlikuar dhe me shumë punë, prandaj ishte e natyrshme që të vazhdonte për një periudhë shumë të gjatë. Lindi nevoja të përcaktohej një rend në trajtimin e akuzave të ndryshme dhe gjykatësi hetimor, pas mendimit pozitiv të promotorit të drejtësisë, i dha përparësi vjedhjes së rëndë, edhe sepse për atë krim mbaheshin në arrest dy persona”. Në fund, sqarohet se hetimet do të vazhdojnë si për akuzat e tjera, ashtu edhe për personat e tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Një nga pikat, që bën më tepër përshtypje në dosjen, ku flitet për Paolo Gabrielen, kujdestarin e dhomës së Papës, që pretendonte se po bënte gjithçka për të mirën e Kishës, është pikërisht ajo ku vihet në dukje se në banesën e tij në Kastel Gandolfo i janë gjetur, përveç 37 dokumenteve të tjera të pabotuara, edhe një çek prej 100 mijë eurosh, i destinuar për Atin e Shenjtë nga Universiteti Katolik i Shna’Ndout në Guadalupe, një gur i çmuar dhe një kopje e viteve ‘500 e “Eneidës” së poetit të famshëm latin Virgjili, botuar në Venedik në vitin 1581, dhuratë për Papën nga “Familjet e Pomecias”. Paolo Gabriele është justifikuar se fajin e ka kaosi, që mbretëron në shtëpinë e tij, ose se librat i dhuroheshin nganjëherë nga sekretari personal i Papës, imzot Genshvajn. Natyrisht, gjykatësit nuk japin mendime mbi vërtetësinë e këtyre justifikimeve, por i marrin parasysh për vazhdimin e hetimeve.
Paolo Gabriele është ekzaminuar nga dy specialistë të psikologjisë, njëri, profesor në Universitetin “La Sapienza” të Romës dhe tjetri në Universitetin Papnor Gregorian. I pari e konsideron ndihmësin e dhomës së Papës me mani madhështie (kujtojmë se ai e konsideron veten si “të infiltruarin” e Shpirtit Shenjt në Kishë) e me probleme të tjera mendore, por jo deri në atë pikë, sa të ndikojnë mbi dëshirat dhe mbi aftësinë e tij për gjykim e veprim. Profesori tjetër, ai i Gregorianës, e konsideron Gabrielen të paaftë për të gjykuar. Gjykatësi i Vatikanit dhe promotori i drejtësisë kanë konsideruar si më të vlefshme ekspertizën e parë, prandaj kujdestari i dhomës do të dalë para gjyqit. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, nuk duhen pritur lajme të tjera për këtë çështje deri më 20 shtator. Vullneti e dëshira e Selisë së Shenjtë, theksoi atë Lombardi, është të sqarohet mirë çështja, duke e lënë magjistraturën e Vatikanit të punojë e pavarur. Strategji kjo, e njohur dhe e ndjekur edhe nga Papa Benedikti XVI. Por të dëgjojmë atë Lombardin:
“Është e qartë se Papa ka ndërmend të respektojë punën e magjistraturës dhe rezultatet e saj e kjo shpjegon mungesën e ndërhyrjeve të Papës për këtë argument. Këto ndërhyrje, gjithsesi, nuk përjashtohen në të ardhmen: Papa ka gjithnjë pushtet për të ndërhyrë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.