2012-08-13 19:30:28

Kisha katolike kremtoi sot Maksimilian Maria Kolben


Jeta e Shenjtit françeskan polak i ngjet një drame shumë të pasur me ngjarje, me përfundim sa tragjik, aq të lumnueshëm: ai radhitet mes njerëzve, që u flijuan për të shpëtuar të afërmin nga vdekja e sigurtë. Shpëtoi një baba familjeje, që do të mbyllej në bunkerin e urisë, në kampin nazist të përqendrimit, në Aushvic.
I lindur më 8 janar 1894 në Zdunska Vola, vdekur në kampin nazist të Aushvicit, më 14 gusht 1941, frat françeskan konventual, u shpall i Lum më 17 tetor 1971 nga Papa Pali VI, shenjt, më 10 tetor 1982, nga Papa Gjon Pali II.
Festa e Maksimilian Maria Kolbes, pajtor i radioamatorëve, kremtohet më 14 gusht.
Jeta e këtij frati të thjeshtë, lindur në gjirin e një familjeje me jetë të trazuar, është shumë e pasur me ngjarje, duke nisur nga studimet në shkollat françeskane polake, për të kaluar në Universitetin romak Gregorian, ku studioi matematikë, fizikë e kimi e, natyrisht, filozofi e teologji, e për t’u diplomuar dy herë. E në sa diplomohej, i jati, zyrtar i legjioneve polake, burgosej e pushkatohej nga rusët, ndërsa e ëma mbyllej në një kuvend murgeshash.
U shugurua meshtar në bazilikën e mirënjohur romake të Sant’ Andrea della Valle, për t’u rikthyer menjëherë në atdhe. Nisi të japë mësim në seminarin e Krakovisë, por shumë shpejt e la këtë mision, për t’u kujdesur për tuberkulozët në Zakopane e në Nieshvava. Më 1922 u botua numri i parë i ‘Milicisë së Zojës së Papërlyer”, themeluar nga Kolbe në vitin 1917, pasuar nga “Kalendari-Almanak” dhe “Gazeta e vogël. “Kush ka nënë Marinë, ka vëlla Krishtin” thoshte shpesh françeskani polak.
Pas misionit në atdhe, ndonëse fizikisht i ligështuar nga tuberkulozi, që e mori duke u shërbyer të sëmurëve, u nis për mision në Japoni, pastaj në Indi, për t’u rikthyer në Poloni, ku nisi të merrej me radioamatori. Prej këndej, pajtor i radioamatorëve,
Ndërkaq Polonia u pushtua nga nazistët gjermanë e, më 19 shtator 1939, atë Kolbe u arrestua, së bashku me 37 sivëllezër. U lirua më 8 dhjetor, për t’u arrestuar përsëri më 17 shkurt 1941. Më 28 maj 1941 e mbyllën në Kampin e Aushvicit, ku pushoi së qeni njeri e frat, për t’u kthyer në numrin 16670 e për të nisur punën e tmerrshme të mbartësit të kufomave.
Në fund të muajit korrik u transferua në Bllokun 14, ku punoi si bujk. Arratisja e një të internuari i zemëroi aq nazistët, sa të zvarrisnin dhjetë vetë nga e njëjta barakë, për t’i mbyllur në bunkerin e urisë.Kur njëri prej tyre, Françesk Gajovniçek, u mbyt në lot, duke kujtuar familjen që e priste, Kolbe doli nga radha e të burgosurve: ishte gati të vdiste në vend të shokut të mjerimit. Çuditërisht vullnetarit të jashtëzakonshëm iu plotësua menjëherë dëshira, edhe pse në atë vend vdekjeje synohej zhdukja e çdo gjesti solidarieti. U mbyll, kështu, në bunkerin 13. Pas dy javësh agonie, pa ujë e pa ushqim, shumica e të mbyllurve në këtë varr të tmerrshëm, vdiqën, ndërsa katër prej tyre, ndërmjet të cilëve, atë Kolbe, vijuan të jetojnë. Madje gjetën forcë edhe të këndonin, me zë të mekur, Himne kushtuar Zojës së Bekuar. Kënga i tërboi SS-ët, që i nxorrën nga vrima e vdekjes e i pushkatuan. Ishte data 14 gusht. Kolbe e lëshonte shpirtin në dorë të Zotit, në festën e të Ngjiturit të Zojës së Bekuar në Qiell. Fjalët e fundit ishin pikërisht ato, që kishin qenë deviza e jetës së tij: “Te Jezusi, përmes Marisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.