2012-08-11 10:42:46

Përkujtimi i Shën Kiarës së Asizit, që na fton t’ia dhurojmë jetën Krishtit.


Lindi më 16 korrik 1194 në Asizi. Ishte bijë e Favrone Offreduccios dhe Ortolanës. Emri i saj është i lidhur ngushtë me atë të Shën Françeskut. Kur fama e Françeskut u përhap në gjithë qytetin, në sa një pjesë e mirë e asizianëve mendonin se i biri i Bernardonit ishte çmendur, Kiara u mahnit nga ideali françeskan i varfërisë, ndjeu një thirrje të fuqishme për ta ndjekur dhe, duke ecur në këtë rrugë, u mbyll në kuvend bashkë me shoqet e para. Themeloi kështu klariset, murgesha kundruese, që u përhapen kudo në botë.
Kiara vdiq më 11 gusht 1253. Në salikimet e saj solemne mori pjesë edhe Papa Inoçenci IV me një numër të madh shoqëruesish nga autoritetet më të larta të Kishës. Natyrisht për të marrë pjesë në një ngjarje kaq të jashtzakonshme, rrani gjithë populli i vendit e i rrethinave. Nuk ishte parë kurrë një turmë aq e madhe në Asizi. Papa propozoi që salikimet të mos kremtoheshin me oficen e të vdekurve, por me atë të virgjërave. Në këtë mënyrë do ta shpallte shenjte para se të zbriste në varr. Njëri nga kardinajtë i tërhoqi vëmendjen, duke i kujtuar se një kremtim i tillë nuk përkonte me praktikën e Kishës. Dhe qe një fat i madh, sepse gjatë procesit për shenjtërimin e saj u pyetën shumë dëshmitarë dhe u grumbulluan dëshmi, të cilat përbëjnë një pasuri të madhe për françeskanizmin e për mbarë Kishën. Por të mos ishte ndjekur praktika e shenjtërimit, këto dëshmi ndoshta nuk do të ishin njohur kurrë.
Për Shenjtoren asiziane ka folur edhe Benedikti XVI.
Në audiencën e përgjithshme të 10 gushtit 2011, natë e festës liturgjike të Shën Kiarës, në sa u kujtonte besimtarëve se duhet heshtur, për ta dëgjuar zërin e Zotit, mendimi i Atit të Shenjtë shkoi nga kështjella e moçme e Papëve, tek një kuvend i largët, ai i Shën Damianit, në Asizi, oazë e shpirtit, tepër e dashur për familjen françeskane e për gjithë të krishterët. Pranë kësaj kishëze, rindërtuar nga Shën Françesku pas kthesës së madhe, pohoi Papa, Kiara dhe shoqet e saj krijuan bashkësinë e tyre, duke jetuar në shoqëri me ‘motrën varfëri”, me lutje e punë të vogla, që u siguronin jetesën e përditshme:
“Quheshin ‘Motrat e varfëra’ e forma e tyre e jetës ishte si ajo e fretërve të vegjël. Jetonin sipas mësimeve të Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krishtit, duke ruajtur bashkimin dhe dashurinë e anasjelltë e duke ecur mbi gjurmët e Jezusit e të Nënës së tij Shenjte, në rrugën e varfërisë e të përvujtërisë”.
Në këtë vend, ashtu si në oazat e tjera të shpirtit, shtoi Papa, mund të shihet menjëherë pasqyrimi i harmonisë shpirtërore, që bashkësitë murgare e jetojnë ditë për ditë:“Duke i parë gjërat me syrin shpirtëror, këto vende të shpirtit janë struktura të rëndësishme të botës! E nuk është rastësi që shumë njerëz, posaçërisht në periudhën e pushimeve, i vizitojnë këto vise e ndalohen aty për disa ditë, sepse edhe shpirti ka kërkesat e veta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.