Mesha në festën e Shndërrimit të Jezusit, kremtuar në Tokën Shenjte u transmetua
për herë të parë përmes satelitit. Ajo u kryesua nga Rojtari i Tokës Shenjte, atë
Pierbatista Picabala, në Bazilikën e Malit Tabor, më 6 gusht. Kremtimi liturgjik u
transmetua në tri gjuhë: arabisht, spanjisht e italisht.
Në Indi, Kisha
Katolike, sidomos murgeshat, po punojnë për ndalimin e aborteve, që bëhen sa herë
fëmija është femër, pra, kanë si qëllim, thjesht përzgjedhjen e seksit. Kjo fushatë
po mbështetet edhe nga autoritetet e disa shteteve indiane, ku ky fenomen është në
rritje. Në shoqërinë patriarkale të vendit aziatik, femrat konsiderohen vetëm një
peshë ekonomike për familjen, e cila privilegjon trashëgimtarin mashkull. Natyrisht,
vjen koha që kjo mendësi kthehet kundër shoqërisë, pasi ndryshon raportin ndërmjet
meshkujve e femrave, duke krijuar çekulibrime të ndjeshme demografike. Kështu, në
Indi e në Kinë, kampione të kësaj praktike, lindin 120 meshkuj kundrejt 100 femrave.
Kufiri natyror do të ishte deri në 105 meshkuj çdo 100 femra. Ndërkaq, në disa zona
të Indisë, gratë vriten edhe kur familja e tyre nuk është në gjendje të paguajë prikën
e caktuar para martesës.
Vikariati Apostolik i Arabisë së Veriut e
transferon selinë e vet qendrore nga Kuvajti në Bahrein, sepse lidhjet nga ky vend
janë më të mira dhe është më lehtë të merret viza për meshtarët e murgeshat, që shpesh
duhet të mblidhen në takime pune. Lajmi është dhënë nga vetë vikari apostolik, imzot
Kamilo Balin. Vikariati përfshin katër shtete: Kuvajtin, Bahreinin, Katarin dhe Arabinë
Saudite, me dy milion besimtarë, gati të gjithë emigrantë.
“Të mos e përjashtojmë
Zotin nga familja!” Kjo është thirrja e kryeipeshkvit të Qytetit të Meksikos,
kardinalit Norberto Rivera, duke pasur parasysh përpjekjet për vënien e shenjës së
barazisë ndërmjet lidhjeve të dy homoseksualëve me martesën e burrit me gruan. Kemi
humbur sensin e Zotit, duke e larguar nga shkolla, nga sporti, nga mass media, nga
politika, nga ekonomia e, edhe nga puna kërkimore në favor të jetës. Kështu, vazhdon
kardinali, kemi humbur identitetin tonë si njerëz, duke i konsideruar ndryshimet seksuale
ndërmjet burrit e gruas jo si biologjike, por si shoqërore. Kardinali meksikan bën
thirrje të rizbulohen marrëdhëniet ndërmjet burrit e gruas, dhurata, që ata i bëjnë
njëri-tjetrit si bashkëshortë dhe rëndësia që ka kjo për shoqërinë.