Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës
Hyjnore të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik
të Kishës. Kujdesuni jo për ushqimin që prishet, po për atë që qëndron për jetën
e amshuar” (Gjn 6,27). Javën e kaluar, në pjesën e ungjillit Jezusi na la me këtë
fjalë, vërtetësia e së cilës është e pohuar në mënyrë paradoksal edhe nga ata persona
që nuk besojnë. Albert Camus, ateist, ka shkruar: “Toka nuk i mjafton njeriut”. Roger
Garaudy, edhe ai ateist, po thellësisht në krizë, arrin deri tek lutja: “Na ktheni
Krishtin. Jeta e tij dhe vdekja e tij na përkasin edhe neve”. Këto fjalë janë ofshamë
ndershmërie. Në të vërtetë, në asnjë njeri mund të shuhet pritja e diçkaje që tejkalon
e që shkon përtej kësaj jete tokësore: fjala e Jezusit është kaq e konfirmuar nga
eksperienca e njerëzimit të të gjitha kohërave, nga besimtarë e jo besimtarë. Po
si mund të gjejmë e sigurojmë ushqimin që qëndron e siguron jetën e amshuar? Jezusi
pohon: “Unë jam buka e gjallë zbritur nga qielli” (Gjn 6,51). Në tjetër rast, Jezusi
thotë: “Para se të ishte Abrahami, Unë Jam” (Gjn 8,58). E në darkën e mbramë, duke
u lutur, Jezusi shprehet kështu: “ O Atë, bota nuk të njeh, por une ty të njoh” (Gjn
17,25). E Filipit i përgjigjet: “Filip, kush më ka pa mua, e ka pa Atin. Më besoni:
unë jam në Atin e Ati është në mua; nëse jo, së paku besojeni këtë për shkak të veprave
të mia” (Gjn 14,9-10). Kurrë, askush nuk ka folur kështu. Kurrë asnjë themelues
religjionesh (fesh) nuk ka pohuar të ketë qenë Biri i Zoti. Prej mëse dy mijë vjetësh,
fjalët e Jezusit shkandullojnë e magjepsin: “Krishti është dashur deri në adhurim
dhe urrejtur deri në çmenduri”, ka vërejt ndershmërisht Blaise Paskal. Kuptimi
i Fjalëve të Jezusit është i qartë. Thotë Ai: “Unë jam Biri i Zotit, unë jam Jeta
e Amshuar që kërkoni, unë jam ajo që çka i mungon paqes tuaj, unë jam Dhurata që Ati
ju bën, unë jam Përgjigja problemeve tuaja”. Për atë që beson në Krishtin, këto fjalë
konfirmohen rregullisht në jetën e përditshme. Për atë që nuk beson, Krishti mbetët
enigmë e Ungjilli dritë e pashpjegueshme. Do të them më shumë: për atë që nuk beson
në Krishtin – janë fjalët e Paskalit – jeta e vdekja mbesin të padeshifrueshme”. Dalin
jashtëzakonisht të vërteta fjalët e F. Werfelit, një hebreu bashkëkohor i joshur nga
Krishti. Ai ka deklaruar: “Unë njoh vetëm një problem: Kush është Jezu Krishti?” Përgjigjen
në këtë pyetja na ndihmon ta gjejmë Bibla.
Liturgjia e Fjalës
së Zotit Leximi I 1 Mbr 19, 4-8
Profeti Elia përplaset me
një qeveri të dhunshme dhe kërcënuese dhe me ankthin dhe frikën e vet.
Do të donte të braktiste gjithçka, por Hyji vetë e ngre dhe e mbështet me një ushqim
që na kujton manën e shkretëtirës. Arratisja e Elisë shndërrohet në një shtegtim
drejt Hyjit. Ai ashtu si Moisiu arrin në malin Oreb ku do të takojë Hyjin e besëlidhjes.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në atë kohë,
Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul
të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot!
Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën
hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur
qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe
përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe
i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu.
I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në
Horeb. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin
Psalmi 34 Ushqimi
yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre
Përherë do ta bekoj Zotin, në
gojën time përherë është lavdi i tij. Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë
të përvujtët e le të gëzohen. Bashkë me mua jepni lavdi Zotit, le ta lartësojmë
së bashku Emrin e tij. E kërkova Zotin e ai më dëgjoi, edhe më çliroi nga çdo
frikë që pata.
Shikojeni atë e do të ndriçoheni, fytyra juaj nuk do të turpërohet. Ja,
skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet
e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre që e kanë frikë dhe i
shpëton. Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti! I lumi ai që shpreson në të!
Leximi
II Ef, 4.30-5.2 Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë të jetosh dialogun
e vërtetë me Atin e mëshirshëm; do të thotë t’i lejosh Hyjit të vulosë praninë e tij
në botë. Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë, që nën shembullin e Krishtit,
të kryesh një kalim të madh (Pashkët), pra të dalësh prej vetvetes për tu dhuruar.
Lexim
prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, mos
e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit.
Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj
ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin
sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe
jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit
porsi kusht e fli që jep erë të mirë. Fjala e Zotit. Falënderojmë
Hyjin
Aleluja. Aleluja. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej
qiellit, thotë Zoti: kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim. Aleluja.
Ungjilli
Gjn 6, 41-51
Farisenjtë nynykasin kundër Jezusit, janë të shurdhër
ndaj mësimit të Atit, nuk dëgjojnë Ungjillin e tij, përçmojnë Jetën që u falet atyre.
Jezusi na ofrohet ne si Buka e jetës, jo vetëm nëpërmjet besimit, por edhe nëpërmjet
Eukaristisë. Është e nevojshme të jemi të tërhequr prej Atit: e gjitha kjo është
hir, dhe jo fryt i forcave tona.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas
Gjonit
Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam
buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit?
Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?”
Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë,
po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.
Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin
dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin,
përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën mannën
në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të
mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha
këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën
e botës.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht
E
tani ti dëgjojmë leximet biblike e komentin e leximeve liturgjike të kësaj së diele
nga prifti shqiptar nga Kosova dom Tomë Karrica..............