2012-08-10 15:12:20

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Mirërritja e fëmijëve në Mirditë


Si ndër krahina të tjera të Shqipërisë, edhe në Mirditë vërejmë pak a shumë të njëjtën mënyrë edukate a mirërritjeje, me të gjitha virtytet kombëtare, ndonëse jo pa vese.
Baza e mirërritjes në Mirditë ka qenë gjithnjë besimi në Zotin e drejtimi i fesë.
Duhet theksuar se mirditorët, sipas traditës, nuk flisnin lirisht e nuk përdornin fjalë të papërshtatshme, sidomos në sy të fëmijëve e të grave.
Vajzat e gratë nuk çoheshin çobanesha, as me qengja, as me keca, as me dhi e as me lopë, veç shumë-shumë brenda kufijve të shtëpisë.
Fëmijëve u jepej mësim më shumë me vërejtje serioze, sesa me ndëshkime e të rrahura.
Babai i edukonte fëmijët që ta donin, por edhe ta dronin.
Mirditasi, pas mirërritjes familjare e pas rrethit ku rritej, paraqitej në shoqëri me disa veçanti të posaçme, që nuk i vërejmë në vise të tjera. I mirditasi ka qenë gjithnjë tip i zgjuar, që pyet e përgjigjet në mënyrë alegorike. Gjithnjë besnik, ishte shumë i peshuar në bisedë. Nuk ia hapte kujt shpirtin lehtas. Më shumë blinte, sesa shiste. Shumë i disiplinuar, në kuvend nuk e çonte kurrë zërin, por priste të fliste, kur t’i vinte rendi.
I shtrohej urdhërit të më të mëdhenjve pa shumë vështirësi. Shquhej për mikpritje. Sado i varfër të ishte, nuk e linte kurrë jashtë mikun, që i trokiste në portë, por e priste me gjithë zemër.
I mirditasi u shqua gjithnjë për trimëri, por edhe për gjaknxehtësi, nganjëherë deri në marrëzi, deri në shkrehjen e pushkës për gjëra fare pa vlerë. I mbetej shpejt hatri, fyhej për çkado e nuk e harronte lehtë fjalën e keqe.
Në pikëpamje fetare, mirditasi ka qenë gjithnjë besimtar, plot nderim për të parët e fesë, për Kishë, për vende të shenjta, për varre e varreza. Ai vinte kryqe në dyert e shtëpisë, në vath, në arë e në rrugë të vështira, si dhe aty ku bëhej pushimi i udhëtarit. E kishte tepër frikë benë në Kishë.
Ishte fort e përbuzur hajdutëria në Mirditë. Ai që kapej duke vjedhur, mbahej si njeri i poshtër dhe ndëshkohej duke paguar dy për një. Por, mjerisht, për shkak të katundeve në kufi me fushë, të dhëna pas hajdutërisë e pas cubërisë, kjo njollë u shtri mbi gjithë Mirditën aq, sa të mbetet në kujtesë të popullit shprehja: “Mirdita ka fenë e hajninë”.
E vërteta historike është se në kohë të Turqisë e edhe më vonë, bëheshin së bashku 50-60 burra prej shumë katundesh të Mirditës e shkonin në vende të largëta, si në Fushë Dibër e në Lumë, ku plaçkisnin, duke marrë me vete gjithfarë bagëtish: dhen, dhi, lopë, kuaj, deri në njëmijë krerë, që pastaj i ndanin ndërmjet tyre.
Kujtuam veset, pas virtyteteve të shumta të Mirditës, sepse të dytat peshojnë shumë më rëndë e vlejnë shumë më tepër, edhe sot, si modele për të zgjedhur një rrugë të re, rrugën e përtëritjes, pas shndërrimeve të shumta, nga të cilat nuk shpëtuan Mirdita, as mirditori.







All the contents on this site are copyrighted ©.