2012-08-10 15:21:59

Kriza ekonomike, Marksi dhe Doktrina shoqërore e Kishës


Në këtë moment, ndërsa bota kalon një krizë të thellë ekonomike, në disa organe shtypi janë botuar komente, që në një mënyrë, apo në një tjetër, përmendin kritikat e Karl Marksit kundër kapitalizmit, në vitet ‘800. Disa nënvizojnë madje, se ai e pati parashikuar rënien e sistemit kapitalist, të tjerë theksojnë kritikat e tij kundër botës së bankave. Në një vend si Shqipëria, e cila ka kaluar komunizmin, që zuri fill nga Marksi, ndokush mund të mbetet i çuditur: “Paska pasur të drejtë ekonomisti i ‘800-ës”? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje dhe për të krahasuar qëndrimin e Karl Marksit me Doktrinën Shoqërore të Kishës, iu drejtuam edhe ne një ekonomisti, të kohës sonë, natyrisht. Është italiani Stefano Zamanji, në mikrofonin tonë:
Para udhëve qorre e të kufizuara të kapitalizmit, ka dy qëndrime. I pari është ai i Marksit dhe i të tjerëve, që e ndoqën, të cilët thonë: “Kapitalizmi duhet zhdukur”. Qëndrimi tjetër pohon: “Kapitalizmi është një sistem ekonomik, që ka dinamikën e vet e që pranon evolucionin”, pra, pranon se mund të tejkalohet, më tepër se të zhduket. Ky, për shembull, është qëndrimi i Doktrinës Shoqërore të Kishës.
Të flasim pak për disa kufizime të kapitalizmit, që vihen re sidomos sot, me krizën në vazhdim…
Kufizimet janë tri. I pari është rritja endemike-sistematike e pabarazive shoqërore; kufizimi i dytë ka të bëjë me mohimin e konceptit se gjithçka ka kufi, koncept i rrezikshëm sidomos për burimet natyrore, energjitike etj. Sot, njohim aspektin tragjik të kësaj çështjeje, sepse tematikat ambientale janë në qendër të vëmendjes. Kufizimi i tretë ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet ekonomisë, pra tregut dhe politikës: kjo është një pikë për të cilën “Caritas in veritate” ka thënë fjalë, që vërtet hedhin dritë mbi shumë aspekte. Enciklika e Benediktit XVI shpjegon se kapitalizmi priret të gllabërojë edhe sferën politiko-demokratike. Me fjalë të tjera, logjika kapitaliste ndryshon marrëdhëniet mbizotëruese brenda sferës së demokracisë. E ky është problem serioz.
Ju, që jeni ekonomist e jo teolog, kërkoni që në qendër të gjithçkaje të rivendoset njeriu, ashtu siç thotë Doktrina shoqërore e Kishës Katolike…
Pikërisht, është e qartë. Por duhet ta sqarojmë mirë këtë koncept, është fjala për qënien njerëzore, për personin njerëzor. Sepse edhe rryma të tjera mendimi flasin për personin, por nënkuptojnë individin e izoluar, ose subjektin si pjesë e kolektivit. Ajo e Doktrinës shoqërore të Kishës, është perspektiva e personalizmit, që refuzon si individualizmin, ashtu edhe kolektivizmin. Individualizmi ka parasysh vetëm individin; kolektivizmi, vetëm kolektivin, apo klasën.
Kriza ekonomike aktuale filloi nga bankat, me të ashtuquajturën flluskë financiare. Karl Marksi i quante bankierët “banditë”, ose “klasë parazitësh”. A kishte të drejtë?
Është e qartë se detonatori i krizës financiare qe flluska e pasurive të patundshme në Amerikë dhe spekullimet në këtë fushë, në vende si Spanja e të tjera. Por, kujdes: kjo është shenja e një fenomeni më të thellë. Kriza për të cilën po flasim i ka rrënjët në humbjen e konceptit të qënies njerëzore e në ekzaltimin e lakmisë, ose – siç e ka quajtur dikush – në ekzaltimin e shoqërisë së dhjamosur. I majmuri ha jo sepse ka nevojë, por për të qenë më i fortë se të tjerët. Është pasoja e ndarjes ndërmjet tregut dhe demokracisë. Kriza filloi në çastin kur demokracia pati një boshllëk politik. Klasa politike perëndimore e, sidomos ajo anglosaksone, ka përgjegjësi të mëdha, sepse e la krejtësisht mënjanë rolin e vet, nuk qe në gjendje të tregojë rrugën drejt së mirës së përbashkët dhe e la të lirë tregun spekullativ.







All the contents on this site are copyrighted ©.