2012-08-09 11:48:27

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nga vepra filozofike e Edit Shtain: “Kush është njeriu?”


Veprën filozofike të Bashkëpajtores së Evropës, Shën Terezës-Benedikta e Kryqit, e përshkon tejendanë shqetësimi për fatin e njeriut. Në të gjejmë pyetjen e përjetshme, të përsëritur në shekuj:
“Kush është njeriu?”.
Në se nuk ndalohemi tek kjo pyetje e tek përpjekja e saj për t’i dhënë përgjigje, vështirë se do ta kuptonim jetën e Shenjtores, që përkujtohet sot nga Kisha katolike; kësaj gruaje të jashtëzakonshme, që duket si e krijuar për të lidhur ngushtë dy Besëlidhjet: të Vjetrën, sepse hebreje, e të Renë, sepse filozofe, që jo vetëm e studioi Krishtin e Kryqëzuar e të Ngjallur, por edhe u flijua për Të, mbi një kryq, shpikur nga kohët moderne, që hyri në histori me emrin kamp i shfarosjes.
Udha, që do ta çonte në flijim, nis pikërisht nga pyetja: “Kush është njeriu?”. Kush është kjo qenie e përkryer dhe e ndërlikuar njëherësh, në të cilën korp e shpirt takohen, dialogojnë, kundërshtohen e bashkëveprojnë. Për filozofen Edit Shtain, që do të zgjidhte emrin rregulltar Tereza-Benedikta e Kryqit, analiza e njeriut të çon në përfundimin se ai përbëhet nga tri pjesë: trup, zemër e shpirt.
Në kohët tona, që sundohen nga fjala “thërrmim”, ka rëndësi të kujtojmë se Edit Shtain e studioi njeriun në tërësinë e tij, në një përmasë, në të cilën korpi, zemra e shpirti e venë në lëvizje gjithë qenien, duke pasur secila pjesë forcën e vet kushtëzuese e koordinuese mbi tjetrën. Korpi, larg çdo idhujtarie, është shprehje e pranisë konkrete të njeriut, elementi i parë i takimit me tjetrin. Zemra është qendra e jetës, vend i ndjeshmërisë e i perceptimeve. Shpirti, në fund, është vendi i shqisave, i ndjenjave, i aftësisë për të zgjedhur. E njeriu është shëndosh vetëm kur këto tri përmasa veprojnë së bashku, në mënyrë të harmonishme.
Në rrugën e rritjes shpirtërore koncepti i njeriut zhvillohet duke u nisur nga fjalët e Librit të Zanafillës: “Zoti e krijoi njeriun në përngjasim të vet, e krijoi në përgjasimin e Hyjit”( Dal. 1, 27). E kjo ide, që na kujton se njeriu u krijua sipas shembëlltyrës së Hyjit, ka një sërë pasojash tejet të rëndësishme. Ndikon, para së gjithash, në krijimin e antropologjisë fetare, që i jep njeriut dinjitetin më të lartë, e njëkohësisht, kërkon prej tij përgjegjësinë më të lartë për atë, që iu dhurua.
Njeriu e ka për detyrë të sillet në një mënyrë të tillë, që ta vërë sa më shumë në dukje ngjashmërinë e tij me Zotin. Çdo vepër njerëzore duhet të jetë jo vetëm e dobishme (t’i shërbejë njeriut), por edhe e bukur (pasqyrë e të Amshuarit).
Dinjiteti e përgjegjësia sintetizojnë sukseshëm idenë antropologjike shtainiane, njëherësh me përcaktimin e njeriut si i pambrojtur e mbrojtës.
Për Edit Shtain jeta duhet orientuar, duhet bërë shprehëse, duhet kuptuar përtej besimit fetar të njeriut. Prej këndej, Bashkëpajtorja e Evropës i kushtoi vëmendje të posaçme problemeve të formimit të njeriut, të zhvillimit të tij, të përmasës shpirtërore e të jetesës shoqërore. Njeriu është përgjegjës për jetën e vet e të të tjerëve, në sa ndodhet ndërmjet dy skajeve: nga njëra anë ringjallja, që në një farë mënyre vepron tashmë në të (cfr Kol 3,1-4; Ef 2,6); nga ana tjeter, nxitimi për t’u radhitur në procesin, që i çon të gjithë e gjithçka drejt përsosurisë, përshkruar nga Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve, me një figurë të shkëlqyer, që Filozofja-Shenjtore e citon për t’i dhënë përgjigje pyetjes “Kush është njeriu?”: “Ashtu si mbarë krijesa rënkon e vuan deri më sot porsi në dhimbje të lindjes; edhe ne, që kemi farën e Shpirtit (Shenjt), rënkojmë brenda vetes në pritje që të njihemi si bij në shpirt me anën e shpërblimit e të ringjalljes së korpit tonë. (cfr Rom 8, 18-23).
Njeriu është i thirrur të vihet në shërbim të krijimit, e, prej këndej, të atyre që i ngjasin. Prandaj, çdo njeri është njëkohësisht i pambrojtur e mbrojtës, në një realitet shoqëror, në të cilin të gjithë duhet të marrin mbi vete përgjegjësinë individuale, në gjirin e bashkësisë ku jetojnë.
Është fjala për përgjegjësi të të gjithëve për të gjithë, pa përjashtuar asnjeri!
“Kush është njeriu?” pyet Shenjtorja e edhe pëgjigjet: “Njeriu nuk u krijua për të ndenjur duarkryq, nuk u flak në jetë, por u thirr të sillet plot vëmendje ndaj jetës, ta ruajë jetën e të kujdeset për atë, që iu besua.
“Kush është njeriu?”. Në se Zoti e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së vet, çdo njeri e ka për detyrë të bëhet vërtet i ngjashëm me Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.