2012-08-09 12:04:31

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Mirërritja e fëmijëve


Po e fillojmë ciklin kushtuar virtyteteve të shqiptarit në shekuj, me mirrërritjen e fëmijëve, sepse pikërisht me këtë virtyt krijohet harmonia, vazhdimësia e dokeve dhe e zakoneve më të mira, nga breznia në brezni.
Në familjen shqiptare, për fëmijët e vegjël, si djem, ashtu edhe vajza, kujdesej gjithnjë nëna. Ajo i lante, i ndërronte, i ruante prej rreziqesh, i ndiqte në marrëdhëniet e tyre shoqërore, hynte në botën e tyre shpirtërore, për të ditur ku shkojnë, me kë rrinë, si sillen e si formohen, në lidhjet me mjedisin e jashtëm.
Ajo ishte gjithnjë mësuesja e parë e fëmijës, të cilit i jepte mësimet fillestare të fesë, të jetës shoqërore e të praktikës së përditshme.
Nëna i mësonte fëmijët si t’i përshndesin miqtë, si t’ua japin dorën, si të ngrihen në këmbë, kur hyn kush në dhomë, si t’ua ndezin cigaren burrave; si të rrinë në shtëpi të vet e në të huajën, pa bërë zhurmë; si të heshtin, kur bisedojnë të mëdhenjtë; si ta çojnë një send që ka rënë në tokë, si të bëjnë punë të vogla nëpër shtëpi e si t’i përgjigjen kërkesave, që krijon çdo çast jeta e përditshme.
Kur fëmijët bëheshin 10-12 vjeç, atëherë me djemtë merrej më shumë babai; me vajzat, nëna. Prej këndej, fjalët e urta popullore: “Ditës shihi diellin, babës shihja t’birin”; “Natës shihi hënën, vajzës, nënën”.
Sipas nevojave të shtëpisë, fëmijëve u caktoheshin punë të vogla, si të shkonin me qengja, me keca e me viça. Në këtë rast babai i porosiste djemtë të mos zihen me shokë, të mos dëmtojnë gjënë e huaj, të mos vjedhin, të mos i lënë bagëtitë vetëm, të mos ngacmojnë vajzat me fjalë e as me lojë. Këto mësime, të përsëritura shpesh, babai i përforconte edhe me shembuj, që i nxirte nga jeta e përditshme: “Kështu i ndodhi filanit, kështu filanit, prandaj të mos na ndodhë edhe ne kjo gjë, që të mos turpërohemi”- ishte porosia kryesore, që i jepte në fund prindi fëmijës.
Babai i përshkruante fëmijës farë e fisin, miqtë e armiqtë, nevojat e punët që duheshin bërë; tokat, që duheshin punuar; nënshtrimin kundrejt prindërve e kundrejt më të mëdhenjve; sjelljen kundrejt të tjerëve. E nxiste e i jepte zemër të mos e dinte veten të vogël, por të zotin për t’iu bërë shumë shpejt krah në kullotjen e gjësë së gjallë, në ruajtjen e shtëpisë e të kopshtit, në vaditjen e arës, duke i sjellë ujin a duke i mbajtur pishën.
Kështu, në mendjen e fëmijës, nga bisedat e shpeshta e, sidomos, nga shembulli i prindit, vjen e skalitet, pa u kujtuar, kuptimi i virtyteve, që do të ndiqen në jetë e i veseve, që do të urrehen. Fëmija fiton një natyrë të pasur me virtyte, trashëguar nga i ati, ashtu si i ati i ka trashëguar nga të parët e vet në rrethin ku jeton, i cili i ka shenjtëruar, duke i bërë të domosdoshme për shtëpi të ndershme e për shoqëri që bazohet mbi një rend të patundur.
Kështu babai mendonte t’i jepte fëmijës çka vlerësonte më shumë në jetë, përpiqej ta bënte të aftë për shoqëri e për shtëpi.
Në këtë mënyrë u rritën, në trojet shqiptare, burrat që u shquan për nder, besë, burrëri, urti, guxim, bujari e për virtytet e tjera të rralla, që nuk i gjen as në jetën e kulturuar të vendeve të përparuara.
Mirërritja e fëmijëve në trojet shqiptare ka pa dyshim, brumë të pasur e të zgjedhur, vërtet të ngjeshur në mënyrë primitive, larg rregullave e drejtimeve moderne të edukatës, por që përbëjnë një sistem më vete; sistem të shtrëngueshëm e të prerë, ashtu si janë tokat, malet, gurrat, shpellat e pyjet, plot vrazhdësi e bukuri, plot dritë-hije, por gjithnjë madhështore, të çuditshme, tërheqëse.
Ndërmjet virtyteve më të njohura të trojeve shqiptare, spikasin Nderi, Burrëria e Besa përkrah të cilave, edhe Urtia, Drejtësia, Trimëria e Mikpritja, virtyte, që e kanë dalluar gjithnjë shqiptarin ndërmjet popujve të tjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.