Nisma të shumta në fund të kremtimeve për 800-vjetorin e shugurimit të Shën Kiarës
Të shumta, nismat e këtyre ditëve, në pritje të 11 gushtit, datë, në të cilën Kisha
Katolike kremton festën liturgjike të Shën Kjarës së Asizit. Po në këtë ditë, përfundojnë
edhe veprimtaritë për 800-vjetorin e shugurimit të saj si murgeshë klauzure. Ndër
nismat po përmendim hulumtimin e gazetës në internet “Gëzimi i përkryer” mbi kuvendet
e sotme të Shën Kjarës. Të dëgjojmë një nga redaktoret e saj, Monika Kardareli: Në këtë çast,
në përfundim të 800-vjetorit, deshëm të preknim me dorë trashëgiminë e Shën Kjarës
e të shihnim si e jetojnë klariset sot thirrjen; të shihnim si jetojnë konretisht
klauzurën nga njëra anë dhe, hapjen para botës që kishte Shën Kjara, kujdesin për
marrëdhëniet me të. Si është klarisja e vitit 2012? Me siguri një grua
shumë konkrete, që kujdeset për marrëdhëniet me të tjerët e para së gjithash, për
marrëdhëniet me Zotin, pastaj me simotrat e me të tjerët. Sot murgesha klarise është
shumë mikpritëse, e vëmendshme ndaj nevojave të vëllezërve. Në një botë të
globalizuar, si kjo e sotmja, si mund t’u shpjegohet të rinjve vendimi për t’u bërë
murgeshë klauzure? Po të përgjigjem me fjalët e klariseve, që thonë se “jo
pavarësisht nga klauzura, por falë klauzurës” arrijnë t’i qëndrojnë pranë çdo burri
e çdo gruaje, që troket në kuvendin e tyre. Të jetosh në klauzurë, të marrësh këtë
vendim kaq të jashtëzakonshëm, ka për to vlerë shoqërore: në këtë mënyrë, duke e jetuar
Ungjillin – siç pati bërë shën Kjara, 800 vjet më parë – ato nuk janë larg botës,
por shumë pranë saj. Duke vizituar edhe një kuvend të vetëm të tyre, mund ta kuptosh
sa e vërtetë është kjo, përjetohet aspekti amnor e femëror, tipik i Shën Kjarës. Në
Aktet e procesit të shenjtërimit të Shën Kjarës, pata lexuar dëshmitë e simotrave,
që tregonin si i mbulonte gjatë natës, që të mos kishin ftohtë, ose si i përqafonte,
kur ishin të lodhura. Ky aspekt, krejt i thjeshtë, por shumë i drejtpërdrejtë, shumë
konkret, shumë amnor, mund të gjendet edhe në klariset e sotme.