2012-08-09 12:03:25

Edit Shtain: kthimi i zemrës, ndryshimi i jetës


Në një shkrim, veçanërisht mallëngjyes, në Natën Shenjte të 24 dhjetorit 1936, duke pritur Krishtlindjen, shën Tereza Benedikta e Kryqit, në lutjen drejtuar Zotit, përshkruan rrugën e ndryshimit të brendshëm të shpirtit të saj, nga hebre në ateiste e më pas në katolike, luftën që shoqëroi këtë shndërrim, por edhe lumninë, pasi gjeti Hyjin.
Gjithnjë në kërkim të së vërtetës, ndjente se në jetë ka diçka më të thellë se ngjarjet e përditshme. Dëshironte të gjykonte gjithçka lirisht, e lirë edhe nga parimet racionaliste me të cilat ishte rritur, por nuk arrinte ta shembte murin, i cili nuk i lejonte t’i kuptonte stimujt e vazhdueshëm, që i arrinin nga ambienti filozofik, i frekuentuar prej saj.
Kjo luftë e brendshme i shkaktonte vuajtje. Kuptoi diçka më tepër kur nga xhepi i një ushtari të vdekur doli një letër me një lutje, që e shoqja ia kishte dhënë si mbrojtje e jo më pak, mbeti e mahnitur nga forca me të cilën shoqja e saj, Anë Rajnah pranoi vdekjen e bashkëshortit në front. Ndjeu se forca, që e mbante mikeshën e saj, ishte feja në Jezu Krishtin dhe iu bë e qartë se e vërteta që kërkonte, gjendej në fenë e krishterë.
Këtu filloi ndryshimi i saj, por ajo që ia përmbysi krejtësisht jetën, qe leximi i librit mbi jetën e Shën Terezës së Avilës, dëshmi e gjallë e së vërtetës së Krishtit. Vendosi të pagëzohej e të bëhej katolike, pavarësisht nga kundërshtimet e familjes. Edit Shtajn kishte menduar se të jesh i krishterë do të thotë vetëm të sakrifikohesh, të heqësh dorë e mos jesh pjesë e kësaj bote. E kishte kuptuar këtë si izolim nga realiteti, por tani e ndjente se Zoti nuk na do jashtë botës, por na këshillon të mos e bazojmë jetën vetëm në gjërat e saj, e mori vesh se çdo gjë e kësaj bote është asgjë e se çdo kotësi, që paraqitet si magjia e shekullit, kalon shpejt.
Edit Shtajn gjeti lumturinë e vërtetë e lumnia e shpirtit të saj ishte kaq e madhe, sa kuptoi se jo vetëm Zoti dëshironte që ajo të jetonte në botë, por edhe se duhej t’i thoshte kësaj bote kush ishte burimi i gëzimit, që ia kishte mbushur krejt trupin. Hyri në Karmelin e Këlnit dhe u bë motër Tereza Benedikta e Kryqit, vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit, së bashku me të motrën. U shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II më 1 maj 1987, shenjte, më 11 tetor 1998 e më 1999, Bashkëpajtore e Evropës, së bashku me shën Brigjidën e Suedisë e shën Katerinën e Sienës.
Por ja shkrimi i saj:
“O Zoti im, më vure para një rruge të gjatë e të errët, plot gurë e ferra. Shpesh, s’kisha më forca, nuk shpresoja që drita të shkëlqente sërish. E megjithatë, kur zemra ime u bë gur, në dhimbjen më të thellë, ja ku lindi për mua një yll i ndritshëm, i ëmbël. Më tregoi rrugën me besnikëri – unë e ndoqa, fillimisht me hezitim, pastaj, gjithnjë e më e sigurtë. Kështu, së fundi, mbërrita tek porta e kishës. Ajo u hap – unë desha të hyj. Në gojën e meshtarit, bekimi Yt më përshëndeti. Brenda meje, radhiten një yll pas tjetrit. Yje të kuq gjaku më tregojnë rrugën për tek Ti. Ata presin Natën tënde të Shenjtë e, vërtet, mirësia jote bën që ta ndriçojnë udhën time drejt Teje.
Më thonë “ec përpara”. Sekretin, që m’u desh ta fsheh në thellësitë e zemrës, tani, mund ta them me zë të lartë: “Unë besoj – unë dëshmoj!” Meshtari te shkallët më çon drejt elterit: ul kryet – Uji i Bekuar më rrjedh mbi ballë. A është e mundur, o Zot, që të rilindë, kush e ka kaluar tashmë gjysmën e jetës? Ti the “po” e unë e dëshmoj këtë të vërtetë. Jeta e gjatë, e rënduar nga fajet e nga vuajtjet, më la të lirë.
Me dlirësi, marr mantelin e bardhë, që ma vendosin mbi supe, imazh i ndritur i pastërtisë! Mbaj në duar qiriun. Flakëza e tij i shpall gjithë botës se brenda meje digjet jeta Jote e shenjtë! Zemra ime kthehet në një grazhd, që pret lindjen e Birit tënd. Nuk do të presë gjatë! Maria, nëna jote dhe imja, ma ka treguar emrin e Tij. Në mesnatë, do të më vendosë në zemër, Birin e saj të sapolindur. Oh, asnjë zemër njeriu nuk mund ta kuptojë ç’përgatit Ti për ata, që të duan. Tani je imi e nuk të lë kurrë më! Kudo të shkojë rruga e jetës sime, Ti je pranë meje: asgjë s’mund të më largojë nga dashuria jote”.







All the contents on this site are copyrighted ©.