2012-08-08 15:48:06

Njëqind vjet Pavarësi. Virtytet tradicionale të shqiptarit: Hyrje


Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, po i kushtojmë një cikël të veçantë dokeve e zakoneve tradicionale të shqiptarëve, duke i parë në dritën e vlerësimit e të shndërrimeve të tyre gjatë një shekulli.
Kanë kaluar njëqind vjet nga 28 Nëntori 1912, kur u shpalos Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare në Vlorë e Shqipëria doli më vete. Gjatë kësaj kohe realiteti shqiptar pësoi shndërrime rrënjësore. Shumë nga doket e zakonet tradicionale të shqiptarit, që kishin mbetur të patrazuara deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar, u tjetërsuan. Shërbimi i detyruar ushtarak, krijimi i kooperativave bujqësore e blegtorale, alfabetizimi ideologjik dhe asgjësimi, me të gjitha mjetet që dispononte sistemi totalitar, i traditave më autentike të malësorëve, në veçanti, e të shqiptarëve, në përgjithësi, krijoi një zbraztësi problematike, në të cilën lulëzuan tepër pak virtyte, për ta lidhur fillin e artë, të këputur.
Vitet dymijë nisën nën shenjën e një debati të mprehtë mbi identitetin kombëtar dhe etnik shqiptar, mbi vendin e shqiptarit, në një Kontinent, në gjirin e të cilit zjen, gjithashtu, debati, pikërisht mbi identitetin e qytetërimit evropian. Rinis, kështu, nga rrënjët, paradigma evropiane, që po prodhon një valë studimesh mbi jetesën, doket, zakonet e fenë e popujve indo-evropianë, duke i parë në përgjithësi e edhe në vlerat e veçanta, që krijuan gjatë shekujsh, përmes gërmimeve arkeologjike, filologjike, etnologjike e antropologjike-kulturore .
E gjithë kjo ka vlerë të veçantë për shqiptarët, posaçërisht në këtë 100-vjetor të Pavarësisë. Shqiptarët kanë nevojë ta dinë kush ishin e, për pasojë, kush janë, në gjeografinë e re politike të Ballkanit e të Evropës, larg Lindjes. Prej këndej, kanë nevojë të rikujtojnë virtytet, por edhe veset e tyre në rrjedhë shekujsh, për të parë ç’ka humbur, ç’mbeti e ç’mund të përtërihet, duke nxjerrë nga kujtesa të dhënat e domosdoshme për kohët e reja. Është, prandaj, e nevojshme, që zakonet, doket, tiparet e Kombit shqiptar, me të mira e me të këqija, t’i vlerësojë vetë shqiptari, me kriter të drejtë paanësije. Njohja e virtyteve në shekuj mbetet, për shqiptarin edhe mjeti më i mirë për mbrojtjen e vet para të huajve e para historisë.
Po i rikujtojmë, prandaj, duke u mbështetur kryesisht mbi veprën “Doke e zakone shqiptare”, shkruar nga atë Donat Kurti, Botime Françeskane, 2010, aktuale edhe për sot, kur shqiptari po rizbulon me një farë befasie, se bota e legjendave e larmia e zakoneve po vlerësohet gjithnjë e me shumë, në sa zhytemi në epokën dixhitale, kur flitet për zbulimin e shenjave të rigjenerimit të historisë, për të krijuar mundësitë e një fillese të re.
T’i njohësh doket e zakonet e lashta, do të thotë të krijosh mundësi të reja, për të bërë zgjedhje të reja.







All the contents on this site are copyrighted ©.