2012-08-08 15:48:46

Kryeipeshkvi i Nagasakit: të mbyllen centralet bërthamore, Japonia të veprojë si Gjermania


Pas Hiroshimës, Nagasaki. Nesër, qyteti japonez do të kujtojë 67-vjetorin e bombardimit atomik të 9 gushtit 1945. Me këtë rast, do të kremtohet një meshë për viktimat e për paqen në botë, në të cilën do të bashkëkremtojë edhe imzot Pier Luigji Çelata, Sekretar nderi i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Përkujtimi i ngjarjeve të hidhura të Hiroshimës e të Nagasakit, që për disa, i dhanë fund Luftës II Botërore, ndërsa për të tjerë, qenë vetëm një kasaphanë e vërtetë me 250 mijë viktima, shfrytëzohet për të protestuar kundër centraleve bërthamore në Japoni. Edhe ipeshkvijtë janë shprehur kundër përdorimit të energjisë bërthamore, një nga burimet kryesore të furnizimit me elektricitet në vend. Të dëgjojmë kryeipeshkvin e Nagasakit, imzot Jozef Mitsuaki Takami:RealAudioMP3
Aktualisht, ka mobilizim të madh kundër centraleve bërthamore. Qeveria e Japonisë mund të ndërrojë rrugë dhe të ndërmarrë nisma konkrete për t’i mbyllur plotësisht ato. E dimë se do të jetë e vështirë të bëhet shpejt, por edhe Gjermania po punon gradualisht për këtë ndryshim rrënjësor, mjafton të vendoset.
Cilat janë arsyet, që duhet të çojnë drejt mbylljes së centraleve bërthamore?
Në fund të fundit, centrali bërthamor është pak a shumë si bomba atomike: përdoret po ajo energji, madje edhe më e rrezikshme! Vërtet që sasia e madhe e energjisë së prodhuar i sjell përfitime shoqërisë, por njëkohësisht, përdorimi i saj është me rrezik të madh, sepse mund ta ndotë tokën, natyrën e të ndikojë në vetë jetën. Kemi në dispozicion burime të tjera energjitike, që vijnë nga natyra, si dielli dhe era. Duhet t’i shfrytëzojmë e të gjejmë tekonologji për të prodhuar energji nga natyra.







All the contents on this site are copyrighted ©.