2012-08-08 15:48:35

Faqja e kalendarit kujton Shën Domenikun, shqip, Shën Deda.


Domeniko di Guzman, Domingo a Dominiko në Spanjisht, Deda në shqip, rregulltar e meshtar, lindi rreth vitit 1170; vdiq më 6 gusht 1221; u shpall shenjt më 2 korrik 1234, përkujtohej më 4 gusht, festë që më pas u caktua më 8 gusht, sepse pikërisht në këtë datë e kremtojnë shumë nga vendet, që e zgjodhën si pajtor.
Shenjat dalluese të Shenjtit janë ylli në ballë, simbol i dritës hyjnore, që ndriçon mendjen; zëmbaku i bardhë, simbol i pastrisë virgjërore dhe qeni, simbol i besnikërisë. E pikërisht nga fjala ‘cane’- “qen” e jo nga emri Domenik, vjen edhe vetë emri i Urdhërit të Vëllezërve Predikatarë, domenikanëve, që synojnë besnikërinë e plotë, pa asnjë kusht, deri në mundime e në vdekje, ndaj Zotit!
Ngjarja më e rëndësishme në jetën e Murgut Predikatar ishte dukja e Zojës së Bekuar, që i dorëzoi Rruzaren Shenjte për të luftuar, pa dhunë, herezinë albigjeze, gjë që e shikojmë në figuret e Zojës Rruzare, qe cila paraqitet pikërisht në aktin e këtij dorëzimi. E Rruzarja u bë një nga lutjet më tradicionale katolike.
Urdhëri i domenikanëve, miratuar më 22 dhjetor 1216 nga Papa Onori III, i shtoi aq radhët, sa shumë shpejt i nisi murgjërit e vet në të gjithë Evropën, posaçërisht në qendrat universitare të kohës. Urdhëri u prit me simpati të madhe e pati shumë njerëz që deshën ta mbështesnin me dhurata të pasura. Po Shenjti themelues nuk i pranoi. Deshi që ndjekësit e tij të mos kishin asgjë mbas shpirtit e të jetonin me lëmoshë.
Predikim, studim, varfëri lypsarësh, jetë e përbashkët, përhapje gjeografike, veprimtari misionare: këto kërkesa janë në bazë të Regullës domenikane, për të cilën shën Domeniku shkriu gjithë jetën. I lodhur për vdekje nga puna apostolike, në sa përgatiste një mision të ri në Kumani e për këtë arsye studionte gjuhën e këtij populli, e i këputur nga pendesat e shumta, Domeniku mbylli sytë për dritën e kësaj bote më 6 gusht 1221, në kuvendin e shumëdashur të Bolonjës, sot bazilika e Shën Dedës, në një qeli, që nuk ishte e tija, sepse ai, themeluesi, nuk pati kurrë qelinë e vet. S’pati qeli, po pati shumë vëllezër, që e rrethuan me lot në sy, në sa ndahej prej tyre, jo përgjithmonë, duke u hapur rrugën kah ‘kuvendet domenikane’ qiellore.







All the contents on this site are copyrighted ©.