2012-08-08 12:08:58

Biografi e shkurtër e atë Zef Bishës


Ja një biografi e shkurtër e atë Zef Bishës, jezuit, i cili sapo ka përkthyer për herë të parë në shqip Ushtrimet Shpirtërore të Shën Injacit të Lojolës. Ky Corruculum Vitae na është dërguar nga vetë autori.

Kam lindur në Vau Dejës (Shkodër) nga një familje e varfër me 09.06.1973. Studimet e para i kam bërë në fshatin tim dhe më pas shkollën e mesme e vazhdova në Shkodër.
Pas ardhjes së demokracisë dëshira ishte të filloj studimet universitare. Pasi nuk arrita të filloj menjëherë studimet, fillova të angazhohem në kishën e Shën’Kollit, fshati ku jetoja. Për arsye të ndryshme fillimi i universitetit u bë i vështirë.
Në vitin 1994 kërkova të hyj në seminar duke mos qenë krejt dakord me familjen time. Pasi mbarova studimet e filozofisë në Seminarin Interdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë” kërkova të hyj në Urdhrin e Jezuitëve, duke dashur diçka më tepër, që akoma nuk e gjeja. Provinciali Jezuit i atëhershëm më tha që duhej të mendohesha për një vit për ta kuptuar thirrjen time. Në vitin 1997 shkova në Bologna të Italisë ku fillova t’i njoh më mirë Jezuitët. Në vitin 1998-2000 bëra Novicjatin në Genova, po në Itali. Më pas në vitin 2000-2002 bëra studimet filozofike në Padova duke thelluar më tepër studimet e bëra në Shkodër.
Nga viti 2002 deri në vitin 2004 shërbeva si mësues në Seminarin e “Zojës së Këshillit të Mirë” në Shkodër duke ndihmuar gjithashtu edhe në kolegjin “Atë Pjetër Meshkalla”, i drejtuar prej Jezuitëve, gjithmonë në Shkodër.
Nga viti 2004-2007 studiova teologji në Napoli dhe më pas në periudhën 2007-2009 bëra studimet e dyvjeçarit te teologjisë në Madrid. Në vitin 2008 u shugurova meshtar në Dioqezën e Sapës nga imzot Lucjan Avgustini. Pas mbarimit të studimeve në Madrid u ktheva në Shqipëri me misionin si zëvendës Famullitar i Kishës famullitare “Zemra e Krishtit” në Tiranë e në të njëjtën kohë, ndihmoja edhe në aktivitete të tjera si baritoria e universitarëve... Formimi im si jezuit nuk ka mbaruar akoma, pasi pres të bëj vitin e tretë dhe të fundit të formimit tim, pas të cilit do të marr kushtet solemne përfundimtare në Urdhrin e Jezusit.








All the contents on this site are copyrighted ©.