2012-08-07 12:03:09

Koncili i vitit 516 në Ilirikum


Në vitin 516, në jug të Epirit të lashtë, në Ballkan, ndoshta në Nikopolis (Prevezë), një grup ipeshkvijsh të Ilirisë u mblodhën përsëri në Koncil. Nikopolis sapo kishte varrosur metropolitin Alcyson, vendin e të cilit e kishte zënë Gjoni, emëruar titullar i selisë ipeshkvnore. Në Koncil, kryesuar nga metropoliti i ri, i sapozgjedhur, merrnin pjesë shtatë ipeshkvijtë sufraganë. Në përfundim të punimeve, Etërit konciliarë, ndërmjet tjerash, ngarkuan diakonin Rufino të njoftonte Papën Ormisda (514-23) për emërimin e ipeshkvit të ri, që nuk mund ta ushtronte detyrën, pa miratimin e Pasardhësit të Shën Pjetrit.
Kujtojmë se Ormisda papnoi nga viti 514 deri më 523. Në çastin kur u ul në fronin e Shën Pjetrit, ishte diakon, i vejë e baba i një djali me emër Silver, që do t’i zinte vendin në papni, rast tepër i rrallë për historinë e Kishës Katolike. Në qendër të vëmendjes së kësaj papnie, qe përpjekja për t’i dhënë fund ndarjes me Kishën Lindore, duke rikrijuar përsëri një Kishë të vetme.
Me Ormisdën u ngarkua të takohej Diakoni ilirik, i pajisur me një letër, përmes së cilës ipeshkvijtë e siguronin Papën se ndiqnin me besnikëri të plotë vendimet e katër Koncileve ekumenike: të Nikesë (325), Kostandinopojës (381), Efezit (431) dhe Kalçedonisë (451). Për më tepër, dënonin ashpër monofizizmin, duke pranuar pa asnjë kusht Letrën dogmatike ad Flavianum të Leonit I, mbi dy natyrat e Krishtit, që njihet edhe si Simboli i Kalçedonisë.
Përmes një letre të dytë, Etërit konciliarë njoftonin Papën për vdekjen e Alcyson-it dhe për emërimin e pasardhësit, Gjonit, duke e siguruar për ortodoksinë dhe besnikërinë e tij ndaj Selisë Apostolike e duke i kërkuar miratimin e këtij emërimi. Papa Ormisda iu përgjigj Etërve koncilarë ilirikë me tri letra apostolike, datuar përkatësisht: 15 nëntor 516, 19 nëntor 516 (metropolitit të sapozgjedhur) e 19 nëntor 516 ( Etërve koncilarë).
Në letrën e parë Papa e këshillonte Gjonin t’i mbetej gjithnjë besnik Kishës katolike, duke e njoftuar, njëkohësisht, se po i dërgonte një Indiculus, udhëzues mbi rrugën që duhej ndjekur për t’i pritur në ortodoksi heretikët, monofizitët dhe enotikët.
Në letrën e dytë, Ormisda e porosiste metropolitin që ipeshkvijtë sufraganë të nënshkruanin një Libellus (dokument), dërguar në Nikopoli, me anën e subdiakonit romak, Polionit, të cilit i qe dorëzuar, pasi qe nënshkruar nga Papa më 18 mars 517. Libellus, Rregull Feje, propozuar nga Ormisda, nuk duhet ngatërruar me Indiculus, apo udhëzuesin. Më qartë, ishte dëshmim i fesë, kundër Nestorit, Eutikut e Dioskorit, që u njoh më pas me emrin ‘Formula Hormisdae’. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj, kjo formulë kujtohet edhe nga Koncili I i Vatikanit, mbledhur në vitin 1870. Aktuale, që nga fjalët e para: «
Prima salus est, regulam rectae fidei custodire et a constitutis Patrum nullatenus deviare. Et quia non potest Domini Nostri Jesu Christi praetermitti sententia dicentis: Tu es Petrus et super hanc petram aedificabo ecclesiam meam. Haec quae dicta sunt rerum probantur effectibus, quia in sede apostolica immaculata est semper Catholica conservata religio »
“Kushti i parë për shëlbim është të ruash normën e drejtë të fesë e të mos dredhosh në asnjë mënyrë. E të mos harrohet shprehja e Zotit tonë, Jezu Krishtit, që thotë: Ti je Pjetër (shkëmb) e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj Kishën time. Ky pohim është provuar nga faktet sepse në selinë apostolike feja katolike u ruajt gjithnjë e panjollë”.
Në letrën e tretë apostolike, shën Ormisda u kërkonte etërve konciliarë t’i dënonin kategorikisht, siç kishte bërë edhe metropoliti i tyre, Gjoni, heretikët, sidomos ndjekësit e Enotikut. e, në mënyrë të veçantë, Eutikun, Dioskorin, Timoteun, Elurin e Akacin. Në përfundim u kërkonte ta nënshkruanin letrën e dërguar.
Nuk mund ta kuptojmë kërkesën e Papës dhe qëndrimin e etërve konciliarë në Illyricum, pa shpjeguar më parë termat, që përdoren në letër e që kanë të bëjnë me situatën në Romën e vjetër e të re. Sepse ishin gjithnjë trazirat e mëdha në njërën nga dy Kishat e lashta, që krijonin trazira jo të vogla, në kishat vartëse, përhapur në të katër anët e botës, që njihej deri më atë kohë. Po e nisim nga Enotiku apo Henotikon (mjet i bashkimit), një dokument, shpallur nga perandori bizantin Zenoni, (425-491), sipas këshillës së patrikut të Kostandinopojës, Akacius (484-519) për t’u dhënë fund grindjeve kristologjike, që i kishin ndarë të krishterët në ‘kalçedonianë” (Roma e Kostandinopoja, nënshkruese të dekreteve të Koncilit të Kalçedonisë) e në ‘monofizitë” (kishat disidente të Antiokisë e të Aleksandrisë së Egjiptit, që nuk i pranonin vendimet e Koncilit). Me synimin të rikrijonte bashkimin fetar në të gjithë perandorinë, edikti i shpallte të vlefshme vendimet e tre koncileve të para; hidhte poshtë mësimet e Eutikut e të Nestorit, vlerësonte 12 mallkimet e Çirilit të Aleksandrisë kundër doktrinave të tyre dhe e quante gjithnjë Marinë “Nënë e Zotit”.
Enotiku, si përpjekje për ta ribashkuar Kishën duke krijuar gjendjen parakalçedoniane, pa e mohuar Koncilin që u mbajt në këtë vend, por duke e injoruar, u hodh poshtë nga Perandori Justiniani I (518-527), në përpjekjen për të rivendosur lidhjet e bashkimit ndërmjet Kishës së Kostandinopojës e asaj të Romës, duke e mbyllur plasën e krijuar.
Papa iu përgjigj duke nisur menjëherë në lindje legatët e tij, kasnecë që do të sheshonin rrugën e papërfunduar të bashkimit fetar ndërmjet të krishterëve. Legatët, të pajisur me të ashtuquajturën “Formula e Ormisdës”, u mirëpritën në Kostandinopojë. Kjo formulë i konsideronte të dyja kishat e shenjta, atë të Romës së vjetër e asaj të re, si një Kishë të vetme. Ishte data 28 mars e vitit 519, skizma kishte marrë fund. Me të, edhe shqetësimet e etërve konciliarë në Ilirikum. Për pak kohë, natyrisht!Kujtojmë se në përpjekjen për bashkimin e Kishës në një të vetme, luajtën rol të dorës së parë Letrat e Papës Ormisda, të cilat ruhen edhe sot në dy koleksione kryesore: Thiel: 140 letra, nga të cilat, 82 të Ormisdës e 67 drejtuar atij; Avallana: 135 letra: 75 të shkruara nga Ormisda e 60 drejtuar atij. Kujtojmë se në koleksionet mund të gjinden shumë të dhëna edhe për Koncilin, që u mblodh në Nikopoli, në vitin 516 e, në përgjithësi, për gjithë organizimin e Kishës Katolike në Illyricum. Mund të jenë objekt i gërmimeve të ardhshme nga ana e studiuesve, në përpjekjen për ta plotësuar e për ta pasuruar historinë e Kishës në trojet e sotme shqiptare, duke nisur nga zanafilla e krishterimit. Harta e sotme historike ka shumë zona të bardha, që presin shkencëtarin e zellshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.