2012-08-07 12:34:32

Imzot Varduni: edhe të krishterët e Irakut presin me gëzim vizitën e Papës në Liban


Edhe një muaj, e Benedikti XVI do të shkojë në Liban, nga 14 deri më 16 shtatorin e ardhshëm. Vizita ka si qëllim kryesor publikimin dhe dorëzimin e Nxitjes Apostolike pas-sinodale për Lindjen e Mesme, prandaj Papa pritet me padurim jo vetëm në Liban, por në të gjitha vendet e rajonit, ku ka të krishterë. Edhe në Irak, bashkësia e krishterë sheh me shpresë këtë udhëtim të rëndësishëm, siç thotë, në mikrofonin tonë, ipeshkvi ndihmës i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni:RealAudioMP3
Megjithë vështirësitë e rrethanat shqetësuese në Lindjen e Mesme, edhe Kisha irakiane pret me shpresë vizitën e Atit të Shenjtë në Liban. Është vizita e atit, që i do bijtë e vet, të cilët e ndjejnë shqetësimin e tij për ta, kudo e në çdo situatë. Edhe ne, në Irak, presim me dashuri e shpresë Nxitjen apostolike. Ka akoma shumë vështirësi, sidomos përsa i përket sigurisë. Prandaj, shpresojmë që vizita të na sjellë ngushëllim, guxim e përkrahje.
Papa nuk do të takohet vetëm me të krishterët e me ipeshkvijtë e Libanit, por edhe me bashkësitë myslimane. Kjo është e rëndësishme për dialogun me to, apo jo?
Sigurisht! Edhe në Sinodin për Lindjen e Mesme u fol për dialogun ndërmjet myslimanëve e të krishterëve. Të gjithë ne jetojmë në të njëjtin vend: këtu jemi rritur bashkë, jetojmë bashkë e sidomos ne – dëshmitarë të Ungjillit – përpiqemi t’u qëndrojmë afër vëllezërve tanë, duke u dhënë të kuptojnë se feja duhet t’i afrojë shpirtrat, duhet të na thotë se Shpirti i Zotit është kudo. Nëse nuk e respektojmë njëri-tjetrin, nëse nuk e ndihmojmë njëri-tjetrin, do të jetë e vështirë të ecim përpara në këto rrethana – me luftë – sepse nuk kuptohet dashuria për Zotin e dashuria për vëllezërit.
Udhëtimi i Papës, ndoshta, do t’u japë guxim të krishterëve të Irakut, që të mos largohen nga vendi. A ndjehet ky shqetësim i Benediktit XVI nga vetë të krishterët?
Sigurisht! Siç na kërkon Papa, duhet ta duam tokën tonë; duhet “të kapemi” fort pas fesë, pas Kishës e pas vendit tonë. Kjo është ora e shpresës së madhe e të fuqishme, që të gjithë të kthehen në shtëpitë e tyre: aty do ta gjejnë lumturinë e vërtetë. Shpresojmë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe e në siguri!








All the contents on this site are copyrighted ©.