2012-08-07 12:03:36

Gjon Pali II, Papa i Lum e sportist


Jemi mësuar t’i përfytyrojmë të Lumët e Shenjtorët me Bibla e objekte të tjera të përshpirtshme në duar. E sidomos, me mjetet e torturës, mbi të cilat i përfunduan ditët, për dashuri të Krishtit. Por tani Kisha katolike ka një të lum jo të zakonshëm, që rrëshqiste me ski, ushtronte sportin e kanotazhit e ngjitej shtigjesh malore si alpinist i pasionuar, me këpucë të rënda malësori. E jo më pak, dhe notonte. Shenjt, figura e të cilit mund të zërë një vend më se të merituar, në mjediset ku këto ditë zhvillohen Lojërat XXX Olimpike të Londrës. E edhe më tej.
Karol Vojtila nuk e fshehu kurrë pasionin e tij për sportin. U mor drejtpërdrejtë me sporte, takoi, gjatë papnisë së tij shumëvjeçare, sportistë nga vise e disiplina sportive të ndryshme, duke vijuar të merret me sport, edhe atëherë kur kishte veshur veladonin e bardhë të mëkëmbësit të Krishtit. Madje vijon të kujtohet kështu, edhe tani, kur koka e tij rrethohet me aureolën e të Lumëve.
Prej këndej, Gjon Pali II mund të quhet “Papa i lum e sportist”. Po mund të quhet edhe, e sidomos, Papa, që la pas më shumë reflektime për sportin.
Po i përsërisim disa nga mësimet e tij, në një kohë kur sportistët më të njohur të botës matin forcat në Olimpiadën e Londrës, duke i ngritur në lartësi të reja aftësitë fizike të njeriut.
Po e kujtojmë, pra, jo vetëm për praktikimin e veprimtarive sportive, por kryesisht për fjalimet e paharrueshme, kushtuar sportit. Nuk ka aspekt të veprimtarisë sportive, tek i cili Gjon Pali II nuk u ndalua, duke e shikuar në një këndvështrim vërtet origjinal e modern.

Me vdekjen e Karol Vojtilës, sporti humbi një mik të madh, të vëmendshëm e të sinqertë, ndonëse të papajtueshëm me shfaqje të padenja për sportin e të aftë për të gjykuar rreptë, kur ishte nevoja.
Nuk është i vetmi Papë, që u interesua për sportin, si shenjë e qartë e kohëve moderne, por ndërmjet paraardhësve, vetëm Gjon Pali II mund ta meritojë titullin “Papa i sportit’, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.
Kur Karol Vojtila u ul në fronin e Shën Pjetrit, në jetëshkrimet e tij të para u vu, pa ngurrim, në dukje, se Papa i ri praktikonte disa lloje sporti, nga të cilat nuk e kishte aspak në mend të hiqte dorë. Në vitet, që pasuan, bota mbarë u çudit duke parë fotografitë, në të cilat meshtari i ri Karol Vojtila, më pas Papa Gjon Pali II, rrëshqiste me ski, lundronte në barkë me rrema a ngjitej në shtigjet e thepisura malore. Po Papa sportist do ta meritonte këtë emër jo aq për barkat e alpinizmin, sa për mësimet, që na la për sportin, shpesh herë edhe shqetësuese për shumëkënd.
S’la sferë sportive pa prekur, që nga dinjiteti i trupit, tek mbrojtja e vlerave edukative, nga rëndësia e sportit për njerëzit me kufizime fizike, tek nevoja e një praktike, të aftë për të respektuar karakteristikat psiko-fizike të moshave të ndryshme. E nuk ka aspekt problematik të sportit, mbi të cilin Gjon Pali II nuk shqiptoi fjalë vërtet moderne, duke nisur nga rreziku i humbjes së vlerave humane të sportit bashkëkohor, tek kujtimi i detyrës për ta vënë gjithnjë sportin mbi baza të shëndosha etike.
Disa nga thëniet e Papës sportist duhet t’i ketë parasysh çdo njeri, që merret me sportin:
“Sporti është, sidomos, vlerësim i trupit, përpjekje për të arritur kushte sa më të mira fizike. Sporti është shpirt luftarak, garë për të fituar një kupë, një pari. Sporti është gëzim i të jetuarit, është lojë, është festë, e si i tillë edhe duhet vlerësuar e, ndoshta, edhe duhet shpëtuar, sot, nga teprimet e teknicizmit e të profesionizmit, duke i rikthyer natyrën e tij të vërtetë, si veprimtari që nuk ka të bëjë me interesin, si rrugë për lidhjen e miqësive të reja, si forcë shtytëse, që favorizon dialogun e aftësinë e njerëzve për t’ia hapur zemrën njëri-tjetrit, si shprehje e një pasurie të pashoqe, që të mbush me gëzim, të kujton se je, e jo se ke, duke të lartuar mbi ligjet e prodhimit e të konsumit e mbi çdo prirje tjetër, me bazë thjesht fitimin a kënaqësinë e zbrazët”.
(Jubileu Ndërkombëtar i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 12 prill 1984).
“Sporti do parë në dinamikën e shërbimit, jo të fitimit”
(Takim i KII mbi temën “Sporti etika e feja për zhvillimin e shoërisë italiane, 25 nëntor 1989)
E akoma: “Duhen dalluar e duhen kapërcyer rreziqet, që kërcënojnë sportin modern; nga kërkimi me çdo kusht i fitimit, tek komercializimi i çdo aspekti të tij, nga karakteri i tepruar spektakular, tek fryma acaruese e garës; nga përdorimi i dopingut dhe formave të tjera të mashtrimit, tek dhuna.Vetëm duke kryer me sukses detyrën e vet, si veprimtari me ndikim të fuqishëm mbi edukimin dhe shoqërizimin, sporti mund ta luajë rolin e tij tejet të rëndësishëm dhe të ndihmojë për të ngjallur shpresat, që venë në lëvizje zemrën e njerëzve, posaçërisht të të rinjve”.
(Përurimi i Stadiumit Olimpik, 31 maj 1990).
“Ndjenja e vëllazërisë, e bujarisë, e ndershmërisë, e respektit për trupin, virtyte pa dyshim të domosdomshme për çdo atlet të mirë, japin ndihmesën në ndërtimin e një shoqërie civile, ku antagonizmi zëvendësohet me garën, ndeshja, me takimin; kundërvënia, me ballafaqimin e ndershëm. I kuptuar kështu, sporti nuk është qëllim në vetvete, po mjet: mund të bëhet udhë qytetërimi e çlodhjeje të vërtetë, duke e nxitur njeriun të japë në fushën e sportit ç’ka më të mirë nga vetvetja e të ruhet nga gjithçka, që mund të jetë e rrezikshme ose e dëmshme për të e për të tjerët”.
(Takimi “Fytyra e shpirti i sportit, organizuar nga CSI, 28 tetor 2000).
“Nuk janë, për fat të keq, pak, e sa vjen e bëhen më të dukshme shenjat shqetësuese, që nganjëherë i vënë në diskutim vetë vlerat etike, në bazë të praktikës sportive. Pranë e pranë sportit, që e ndihmon njeriun, është edhe një tjetër që e dëmton; pranë sportit, që e larton trupin, është një tjetër, që e poshtëron, e tradhton; pranë sportit, i cili frymëzohet nga ideale të fisme, është edhe një tjetër, që shikon vetëm fitimin; pranë sportit, që bashkon, është një tjetër, që përçan”.
(Takimi “Fytyra e shpirti i sportit, organizuar nga CSI, 28 tetor 2000)
“Të mëdha janë përgjegjësitë e sportistëve në botë. Ata janë të thirrur ta bëjnë sportin rast takimi e dialogu, duke kapërcyer çdo pengesë, të krijuar nga gjuha, nga raca, nga kultura. Sporti mund të sjellë një ndihmesë shumë të çmuar për mirëkuptimin paqësor ndërmjte popujve e të kontribuojë për të ndërtuar në botë qytetërimin e ri të dashurisë”.
(Jubileu i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 29 tetor 2000).
Së fundi, urimi, që tingëllon kaq aktual, në sa Olimpiada XXX e epokës moderne vijon, me dritë-hijet e veta, për të cilat sapo dëgjuam të na flasë i Lumi Gjon Pali II, Papa Sportist:
“Uroj që ky Jubile t’u krijojë të gjithëve, drejtuesve, teknikëve e atletëve, rastin për një hov të ri krijues e shtytës, kështuqë sporti t’u përgjigjet, pa e humbur natyrën e vet, kërkesave të kohëve tona: të jetë sport, që mbron të ligështit e që nuk përjashton askënd, që i çliron të rinjtë nga kurthet e amullisë e të indiferencës e që zgjon në shpirtin e tyre dëshirën e bukur për t’i matur aftësitë në fushat e garave; një sport, që t’i japë shtytje të re emancipimit të vendeve më të varfëra; të ndihmojë për të shlyer intolerancën e për të ndërtuar një botë më vëllazërore e më solidare; sport që të ndihmon ta duash jetën, që të edukon të mos zmbrapsesh para flijimesh, të mëson ta respektosh përgjegjësinë, duke të ndihmuar ta vlerësosh lart çdo njeri”
(Jubileu i Sportistëve, Stadiumi Olimpik, 29 tetor 2000).

Nuk jemi mësuar t’i përfytyrojmë Shenjtorët e të Lumët me ski e këpucë alpinisti. Por si kemi njohur një papë sportist, si Gjon Pali II, e kuptojmë menjëherë se Krishti e përfshin edhe sportin, duke e shenjtëruar.







All the contents on this site are copyrighted ©.