2012-08-06 13:15:19

Meshë në Hiroshimë, në kujtim të viktimave të bombës atomike. Imzot Çelata: krim i shëmtuar


Ishte ora 8.14 e 6 gushtit 1945: bombardieri amerikan “Enola Gay” hedh bombën e parë atomike në histori mbi qytetin japonez të Hiroshimës, duke shkaktuar 250 mijë viktima, përfshirë të vdekurit e mëvonshëm nga rrezatimet. Pas tri ditësh, bombë tjetër në Nagasaki.
Për të kujtuar 67-vjetorin e këtij tmerri, dje në katedralen katolike të Hiroshimës, u kremtua një meshë në kujtim të viktimave. Kryesoi Sekretari i nderit i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Pier Luigji Çelata, i cili ndodhet për vizitë në Japoni. Foli për “krim të shëmtuar”, lavdëroi sjelljen e japonezëve para kësaj tragjedie, ftoi të kapërcehet frika ndaj të tjerëve, pasi të gjithë njerëzit janë pjestarë të së njëjtës familjeje njerëzore, me fat të përbashkët. Është e nevojshme, theksoi imzot Çelata, ta pranojmë e ta respektojmë njëri-tjetrin “…duke e konsideruar jetën të shenjtë, duke vendosur sipas ndërgjegjes, sidomos në çështjet fetare e ato të dinjitetit të çdo njeriu. Jemi të thirrur të bashkojmë energjitë tona shpirtërore e materiale për të bashkëpunuar, me besim e shpresë, për ndërtimin e shoqërive më të drejta e solidare, që të mund të jetojmë në paqe e në harmoni”. Jezusi është paqja jonë, përfundoi imzot Çelata, Krishti na jep paqen e vërtetë. Të lum janë ata, që përpiqen për paqen, sepse do të quhen bij të Zotit.
Po dje, imzot Çelata vizitoi Muzeun e Bombës Atomike dhe mori pjesë në Marrshimin për Paqen në Hiroshimë.








All the contents on this site are copyrighted ©.