2012-08-06 16:09:38

Kërcënime të papara kundër lirisë së Kishës: kështu Papa, Kalorësve të Kolombit


Në një epokë, në të cilën e drejta e lirisë fetare pëson gjithnjë e më tepër kufizime, Papa lavdëron dëshminë e Kalorësve të Kolombit, organizatë kishtare, që do të mblidhet në Kaliforni të SHBA-ve, nga dita e nesërme deri më 9 gusht. Në mesazhin për Këshillin e 130-të të Lartë, Benedikti XVI shkruan se tema e asamblesë “Ta shpallim lirinë në të gjithë vendin”, i kujton idealet biblike të lirisë e të drejtësisë, bazë e themelimit të SHBA-ve. Gjithashtu, ajo u bën thirrjeve brezave të rinj t’i ruajnë, t’i mbrojnë e të luftojnë për to.
“Në një epokë, në të cilën zbatohen akte të organizuara për të ripërkufizuar e për të ngushtuar fushën e ushtrimit të së drejtës së lirisë fetare – vë në dukje Ati i Shenjtë – Kalorësit e Kolombit kanë punuar pa pushim për ta ndihmuar bashkësinë katolike t’i njohë e t’u japë përgjigje këtyre kërcënimeve të rënda e të papara kundër lirisë së Kishës dhe dëshmisë së saj morale e publike”. Kështu, vazhdon Papa, ata kanë mbrojtur të drejtat e të gjithë besimtarëve dhe kanë punuar me përgjegjësi për ndërtimin e një shoqërie të vërtetë demokratike. Duke pasur parasysh se Kalorësit e Kolombit kanë qenë pionierët e punës me laikët, Benedikti XVI e inkurajon Këshillin e tyre të Lartë të vazhdojë katekizmin dhe formimin shpirtëror të besimtarëve, veprimtari këto, që e kanë karakterizuar Urdhërin gjithnjë. Ati i Shenjtë i siguron Kalorësit se do të lutet, që secili prej tyre ta dëshmojë fenë e Krishtit me jetën e vet dhe i falenderon për lutjet e tyre me rastin e 35-vjetorit të shugurimit të tij ipeshkvnor. “Një akt solidariteti shpirtëror – shkruan Papa – dëshmi e dashurisë për Pasardhësin e Shën Pjetrit, shenjë besnikërie, besimi e përkrahjeje në këto kohë të vështira”.







All the contents on this site are copyrighted ©.