2012-08-06 13:10:32

Ilirikum: Ndikimi i Papës Gjeloshi I, që ndau Kishën nga shteti.


Kujtuam, në emisionin e kaluar, atmosferën që sundonte mbi Lindjen bizantine e rolin vendimtar të papëve, në luftën kundër herezive. Një nga burimet kryesore për ta kuptuar këtë kohë të largët, e me të, edhe shkaqet e mbledhjes së Koncileve në Ilirikum e të vendimeve të tyre, është, pa dyshim, letërkëmbimi ndërmjet Perandorit bizantin, Anastasi I dhe papës Gelasius apo Gjeloshi I.RealAudioMP3
Gelasius I lindi në një datë të panjohur e vdiq më 19 nëntor të vitit 496. Është i 49-ti papë i Kishës katolike, e cila e nderon si shenjt. Papnia e tij zgjati nga 1 marsi i vitit 492, deri në vdekje. Ishte Romanus natus, siç shkruan ai vetë në një nga letrat drejtuar perandorit bizantin (Ep XII). Por ka shumë mundësi të ketë qenë me origjinë nga Algjeria, mbasi ishte tepër i zeshkët. Zuri vendin e Feliksit III, për të cilin kishte shkruar një mori dokumentesh, prandaj shpesh herë shkrimet e këtyre papëve ngatërrohen. Sapo u ul në fronin e papnisë, dëshmoi forcën e karakterit dhe vlerësimin e lartë që kishte për misionin papnor. Përballoi me sukses patrikun monofizit të Kostandinopojës, Eufemin, polemizoi me të, duke shkruar veprën “De duabus in Christo naturis’(Mbi dy natyrat e Krishtit), u doli zot selive të lashta të Aleksandrisë së Egjiptit dhe të Antiokisë së Sirisë e, sidomos, me ndihmën e Ambrozit e të Agostinit, në vitin 494, formuloi doktrinën e dy pushteteve, bazë politike për Kishën katolike të perëndimit, që i dallon dy pushtetet, simbas së drejtës romake. Kështu Papa Gjeloshi I ishte edhe i pari që i ndau veçmas dy pushtetet: të Kishës e të shtetit, një gjë e vetme në Perandorinë e Lindjes, ndarje, që e karakterizon edhe sot e kësaj dite kulturën perëndimore.
Po kujtojmë vetëm një fragment të njërës nga Letrat e Papës Gelasio drejtuar perandorit bizantin, Anastasit: “Mbi botë sundojnë dy pushtete; pushteti i meshtarëve dhe pushteti mbretëror. Ndër to, është më i rëndësishëm pushteti i meshtarëve, sepse meshtarët do të përgjigjen para gjykatores hyjnore për gjithçka bënë mbretërit mbi tokë”.
Sipas kësaj doktrine të Papës Gjeloshi I, si pushteti shpirtëror, ashtu edhe ai tokësor, janë të dy të caktuar nga Zoti; në se janë të pavarur njëri nga tjetri, atëherë shteti nuk ka pse të ndërhyjë në punët e Kishës. Ndërsa Kisha do të ndërhyjë në punët shtetërore, vetëm aty ku e lypë shëlbimi i shpirtrave.
Kjo doktrinë, që e pati shkoqitur më përpara Shën Augustini, gjeniu më i lartë i teologjisë perëndimore, u bë themel i organizimit të jetës në Perëndim.
Përballë shtetëzimit të sferës shpirtërorte në Lindje, në Perëndim kemi dy pushtete, të cilat shpesh u ndeshën, pikërisht për të shpëtuar lirinë, gjënë më të çmuar, më themelore, për kulturën perëndimore!








All the contents on this site are copyrighted ©.