2012-08-03 16:50:21

Takimi i Malit Hiei. Papa inkurajon impenjimin e krerëve fetarë për paqen


“Impenjimi i krerëve fetarë për çështjen e paqes është me rëndësi të jashtëzakonshmë” në shoqërinë aktuale: kështu shkruan Papa Benedikti XVI në mesazhin për të nderuarin Kojun Handa, me rastin e 25-vjetorit të takimit ndërfetar të lutjes në Hieizan, në Malin Hiei, pranë Kiotos. Në këtë vend të Japonisë ngrihet manastiri budist tendai. Mesazhi u lexua sot paradite nga Sekretari i nderit i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, imzot Pier Luigji Çelata, që këto ditë, ndodhet për vizitë në Japoni.
Ati i Shenjtë përmend faktin se takimi i Hieizanit, i përvitshëm tashmë, organizohet sipas frymës së takimit të Asizit në Itali, promovuar që më 1986 nga Papa i lum, Gjon Pali II. Edhe këtu, krerët fetarë kanë organizuar një simpozium për të diskutuar mbi përgjigjen që mund t’u japin fatkeqësive natyrore, me anë të solidaritetit dhe të ndihmës së ndërsjelltë. “Sipas perspektivës së krishterë – vazhdon mesazhi i Benediktit XVI – dashuria, që u dhurohet nevojtarëve, është pasqyrim i dashurisë së Zotit, i cili e ka dashur aq shumë botën, sa të dërgojë Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin”. Papa përmend tërmetin dhe tsunamin, që goditën vitin e kaluar Japoninë, duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të krerëve fetarë për të ndihmuar të dëmtuarit e për t’u dhënë atyre shpresë të re. Kjo tregon, përfundon Benedikti XVI, se njerëz me bindje të ndryshme mund të bashkëpunojnë ndërmjet tyre për të mirën e njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.