Më 3 gusht kujtojmë jezuitin Atë Jak Gardin në përvjetorin e vdekjes.
Duke shfletuar kalendarin historik, sot me 3 gusht përkujtojmë një ndër dëshmitarët
e mbrojtësit më guximtar e shembullor të Ungjillit e të vlerave njerëzore në Shqipërinë
e pushtuar nga ateizmi komunist, jezuitin atë Giacomo Gardin (24 shtator 1908 – 3
gusht 1996), të cilin shqiptarët e njohin me emrin Patër Jaku. Atë Jak Gardini lindi
në Prodolone të San Vito Taliamento, në krahinën italiane Pordenone, më 24 shtator
1905. Më 12 nëntor 1923, në moshën 18 vjeçare, hyri në Shoqërinë e Jezusit. Pas dy
vjetëve të noviciatit në Goricë dhe viteve të përgatitjes në filozofi, u transferua
në Kieri (Torino), për të ndjekur kurset trevjeçare të filozofisë, sipas traditës
së jezuitëve. Më 1930 u nis për herë të parë në Shqipëri, ku për disa vite me radhë
dha mësim në Kolegjin Saverian. Gjatë këtyre viteve mësoi mirë gjuhën shqipe e njohu
thellësisht zakonet e vendit. U kthye në Kieri për të vazhduar studimet filozofike
dhe këtu u shugurua Meshtar më 15 korrik 1936 nga Kardinali Maurilio Fossati. Pastaj,
ndërmjet viteve 1937 e 1938 shkoi në Parei-le-Monial në Francë, për të kryer vitin
e fundit të rrugës së gjatë të përgatitjes për Shoqërinë e Jezusit, duke përfshirë
edhe vitin e tretë të provës. Më 2 shkurt 1941 Atë Gardin bëri kushtet e përjetshme.
Me këtë rast, në revistën “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit” (Korrik 1941, fq. 202-205)
u botua vjersha e nënshkruar me inicialet P. Gj., titulluar “Pagjë e dashtëní”, në
të cilën shkruhet. “Ty jetën t’kunorojnë / Pagja, dashtënia e gëzimi/ Ty shpirtin
ta naltojnë/ N’virtyte i shêjtë defrimi,/ E janë për ty dafina/ vuejtjet për qiellë
hyjrina// Për 20 vjet me radhë vazhdoi veprimtarinë e vet misionare në Shqipëri:
dhjetë vjet si meshtar e pedagog, mik i dashur dhe tepër i nderuar i shqiptarëve në
Shkodër e në Tiranë; dhjetë vjet të tjera ndër burgjet komuniste, i akuzuar nga diktatura
si armik i përbetuar i popullit shqiptar. Më 1955, si rezultat i marrëveshjes ndërmjet
Italisë dhe Shqipërisë, mundi të rifitonte lirinë dhe të kthehej në atdhe. Këtu shkroi
librin “Dieci anni di prigionia in Albania” - “Dhetë vjet burg në Shqipni” që u botua
më parë italisht më 1988 në SHBA, e më pas u përkthye në gjuhën shqipe nga Zef Nekaj
e Petro Vuçani dhe u botua në Romë më 1992, taman atëherë kur Jezuiti besnik ndaj
misionit të tij, kthehej përsëri në Shqipëri për t’i shërbyer si Atë shpirtëror rinisë
katolike shqiptare e sidomos asaj rinie që, duke shprehur dëshirën të ndjekë rrugën
e meshtarisë, përgatitet në bankat e seminarit papnor të rilindur, për të vijuar misionin
e shenjtë e martirëve që derdhën gjakun për Krishtin në periudhën e komunizmit. Atë
Jak Gardini nuk është më mes nesh! Vdiq më 3 gusht 1996, në Gallarate të Italisë,
në atdheun e vet, ndonëse dëshira e tij e zjarrtë ishte t’i mbyllte sytë për dritën
e kësaj toke, në atdheun e dytë, në Shqipëri. Shumë gjëra i kujton shqiptarëve
emri i tij. I kujton Meshtarin e devotshëm, me cilësi të jashtëzakonshme për ta predikuar
e për ta jetuar Ungjillin e Krishtit. I kujton misionarin që u bë një me popullin,
të cilit kishte shkuar t’i shërbente, që ndau me këtë popull të mirën e të keqen,
që vuajti për të, që e deshi aq, sa as sëmundja e as mosha e shtyrë nuk e penguan
të ishte ndër të parët që u kthyen, kur u duk se po vinte pranvera e lirisë. Emri
i Atë Gardin-it i kujton shqiptarëve mësuesin e shquar, që për dhjetë vet rresht dha
mësim në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve. I kujton njeriun e ekumenizmit, që edukoi
vëllazërimin e dashurinë ndërmjet njerëzve, pa dallim besimi. E i kujton edhe autorin
e veprës “Dhetë vjet burgim në Shqipní”, një ndër dëshmitë më të njohura mbi martirizimin
e klerit e të popullit shqiptar, që u shkrua e u botua kur Atdheu i dytë i jezuitit
misionar rënkonte ende pas perdes së hekurt. Përmes kësaj vepre Meshtari katolik tregonte
me gisht para botës krimet e diktaturës komuniste. Vepra në gjuhën italiane u
botua më 1986 në Romë nga “Civiltà Cattolica”, në gjuhën angleze, më 1988 në SHBA
dhe në gjuhën shqipe, më 1992, po në Romë. Vepra është përkthyer edhe në gjuhën kroate. U
shkrua pas kërkesave këmbëngulëse të eprorëve, të cilët me të drejtë mendonin se ishte
detyrë e atyre që kishin vuajtur ndër burgje e kampe përqendrimi të dëshmonin me shkrim
para popullit shqiptar e para botës se tmerret e diktaturës nuk kanë qenë një legjendë,
se puthadorët e saj, janë njollosur aq shumë me gjak të pafajshëm, sa nuk i lan dot
as ujët e oqeaneve! E Atë Gardini ishte i fundmi jezuit që delte i gjallë nga
ai kamp përqendrimi, në të cilin e kishin shndërruar komunistët Shqipërinë. Po ndërsa
ai kthehej përsëri në jetë, përtej brigjeve të detit vëllezërit e tij, jezuitët shqiptarë,
jetonin të shkapëndarë, të fshehur, gjithnjë me rrezikun e vdekjes mbi kokë. Nuk kishte
më as shtëpí rregulltarësh, as vepra të rregulltarëve; kishte mbetur vetëm kujtimi
i njerëzve, kujtim tepër i gjallë e ngacmues për një misionar si Atë Gardin-i, që
kishte shkrirë jetën pranë tyre. Provinca rregulltare e Italisë vite me radhë pati
dërguar në Shqipëri njerëz shumë të përgatitur dhe pati nisur vepra apostolike që
kishin një rëndësi të dorës së parë për katolikët dhe për mbarë popullin. Pastaj,
pa pritur gjithçka u ndërpre dhe u shlye nga një ideologji, e cila ushtronte ateizmin
më të pamëshirshëm. Misioni shqiptar u shpërnda. Nuk dihej më kush ishte gjallë e
kush kishte vdekur. Dukej se gjithçka kishte marrë fund një herë e përgjithmonë. Po
në heshtje Zoti përgatiste rikthimin e tij! Edhe Shqipëria u detyrua të ulte kokën
para logjikës së historisë e të hiqte dorë nga marrëzia që për një gjysmë shekulli
e kishte mbajtur të burgosur. Këto gjëra mësojmë nga libri i Atë Gardin-it, që
është konceptuar në pesë kapituj, të cilët flasin për: Arrestimin e procesin; Gjendjen
e Kishës; Burgun; Kampin e përqendrimit dhe përfundimin e burgimit, ngjarje që shtrihen
në vitet 1945-1955. Libri mbyllet me predikim të Gardin-it në Meshën solemne të
Paqes me rastin e përkujtimit të 40-vjetorit të salvimit fetar në Shqipëri, kremtuar
në Kishën e Shën Injacit në Kaliforni më 13 prill 1985, pas të cilit radhitet Letra
që Shenjtëria e Tij, Gjon Pali II i drejton Atë Gardinit si dhe epilogu i veprës. Është
një rrëfim i thjeshtë e i sinqertë, i shkruar me ton të butë, pa kurrfarë ndjenje
urrejtjeje apo dëshire hakmarrjeje për salvimin e padrejtë. Jezuiti nuk mëton të shkruajë
historinë e këtyre viteve të zymta e të përgjakshme, të gjykojë fakte e persona, e
as të analizojë gjendjen e të krahasojë ideologjitë; ai ka për qëllim vetëm të shprehë
përvojën e vet, përshtypjet e veta. E di mirë se nuk është duke treguar ngjarje të
bujshme historike, por beson se tregimi i përvojës së vuajtjeve të tij njerëzore,
do ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se ç’ngjet gjithnjë në botën e sotme. Nga ana tjetër
i kujton detyrën që të përpiqet për të shëruar sëmundjet e rënda nga të cilat vuan
bota e sotme. Gjatë tregimit, autori përshkruan shumë klerikë e laikë të tjerë
katolikë që vuajtën bashkë me te, sidomos ata që flijuan jetën në elterin e fesë,
të lirisë e të atdheut. “Kujtimi i gjakut të derdhur nga martirët e asaj periudhe
të tmerrshme për Kishën katolike shqiptare, si dhe kujtimi i vuajtjeve të pësuara
nga Atë Gardin-i e nga shumë dëshmitarë të tjerë të fesë- siç shkruan Papa Gjon Pali
II më 5 tetor 1980,- i ndihmon Kombit të varfër në kamje, por tepër të pasur në tradita
qytetare e fetare, “të shembur përdhe nga persekutimi i egër dhe i gjatë, por të lartësuar
nga dëshmitë e martirëve të vet , tani që ka kaluar provën e dhimbshme, t’ia hapë
përsëri, pa frikë, dyert Krishtit, për të mirën shpirtërore e materiale të popullit
të shumëvuajtur”.Përfundimi logjik në të cilin arrin Atë Gardin-i pasi rrëfen dhjetë
vjetët e burgimit, tingëllon si ftesë për reflektim, për të mos harruar se “Zoti nuk
e turbullon kurrë gëzimin e bijve të vet, pa pasur si qëllim t’u përgatisë një gëzim
tjetër, edhe më të madh!”
Prifti italian: Aventura ime 10 vjeçare në Burgjet
e Shqipërisë Kujtimet e panjohura të At Giacomo Gardinit, klerikut të famshëm
katolik me origjinë nga krahina e Pordeones në Itali, i cili pasi kishte kryer mbi
20 vjet studime në universitete të ndryshme të Evropës, në vitet ‘30, erdhi për të
shërbyer në Shqipëri. Arrestimi i tij në vitin 1945 me akuzat absurde si agjent i
Vatikanit, dënimi me dhjetë vjet burg dhe riatdhesimi në 1956-ën, pas marrëveshjes
Hrushov-Adenauer
nga Dashnor Kaloçi
Ashtu siç është bërë e ditur
tashmë edhe nga edicionet informative të disa televizioneve e gazetave të ndryshme,
para tri ditëve, në moshën 83-vjeçare, ndërroi jetë në një klinikë të Romës, Padër
Zef Pllumi, kleriku i famshëm katolik dhe njëherazi një nga shkrimtarët, publicistët,
historianët dhe përkthyesit më në zë të Shqipërisë së këtyre 17 viteve të postdiktaturës
komuniste, i cili ishte një nga "të fundit e Mohikanëve" të françeskanëve shqiptarë
të mbetur gjallë nga koha dhe represioni i egër që regjimi komunist i Enver Hoxhës
ndërmori mbi klerin në Shqipëri. Jeta dhe vepra e At Zef Pllumit, këtij martiri dhe
njeriu të madh, që me të drejtë është konsideruar si vazhdues i denjë i Padër Gjergj
Fishtës dhe françeskanëve të tjerë, tashmë është e njohur më së shumti prej librit
të tij të famshëm voluminoz me kujtime, të titulluar "Rrno vetëm për me tregue". Të
cilin ai e botoi fillimisht që në vitet 1997-2000 dhe më pas, për interesin e madh
që ai zgjoi te lexuesi shqiptar, u botua dhe u ribotua disa herë nga shtëpia botuese
"55". Në shenjë nderimi dhe kujtimi të jetës dhe veprës së At Zef Pllumit dhe të gjithë
klerikëve të tjerë katolikë që shërbyen me devocion deri në skajet më të largëta të
Shqipërisë dhe u martirizuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës deri në fundin e
viteve ‘80, ne kemi përzgjedhur për botim disa pjesë nga kujtimet e at Giacomo Gardinit,
klerikut të famshëm italian që shërbeu për vite me radhë në Shqipëri si pedagog e
meshtar dhe vuajti dhjetë vjet burg në skëterrën komuniste. Këto kujtime, të cilat
ne po i publikojmë në dialektin gegërisht, ashtu sikurse janë shkruar nga vetë autori,
janë shkëputur nga libri i tij, "Dhetë vjet burg në Shqipni, 1945-1955", të cilin
at Giacomo Gardini e botoi fillimisht më 24 maj të vitit 1986 në Itali.
KUSH
ISHTE AT JAK GARDINI ?
Jak Gardini, Apo Giacomo sic është emri i tij i
vërtetë, u lind në 24 shtator të vitit 1905 në Prodolone të San Vito Tagliamento,
në krahinën e Pordeone të Italisë. Kur ishte në moshën 18-vjecare, më 12 nëntor të
vitit 1923, ai hyri në Shoqërinë Jezu. Pas dy vjetëve studime të novicjatit në Goricë,
ai u përgatit edhe për disa vjet të tjera në Filozofi dhe më pas u transferua për
në Chieri (Torino) me qëllim që të ndiqte kurset trevjecare të filozofisë, sipas traditës
së Jezuitëve. Pasi mbaroi të gjithë ciklin e studimeve të Jezuitëve, në vitin 1930
Gardini u transferua dhe erdhi në Shqipëri për të shërbyer në radhët e klerit katolik.
Në atë kohë ai u emërua si pedagog në Kolegjin e Fretënve Jezuitë të qytetit të Shkodrës
ku për shumë vjet me radhë krahas gjuhës italiane, ai dha edhe disa lëndë të ndryshme.
Po kështu, krahas mësimdhënies, Jak Gardini u mor edhe me mbledhjen e folklorit, dokeve
dhe zakoneve të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1936, ai u rikthye përsëri në Itali,
për të ndjekur studimet teologjike dhe pas përfundimit të tyre, më 15 korrik të vitit
1936, nga Kardinali Maurilio Fossati, u shugurua si meshtar në provincën e Chierit.
Pas kësaj në vitet 1937-1938, ai shkoi në Francë për të kaluar një vit në Paray-le
Monial, për të mbaruar vitin e fundit të ciklit të gjatë të studimeve të Shoqërisë
së Jezuitëve, i cili konsiderohej si viti i tretë i provës. Menjëherë pas përfundimit
të atyre studimeve në Francë, ai u caktua për të ardhur në Shqipëri si pedagog në
Kolegjin e Shën-Francesk Saverit dhe në Seminarin Papnuer Shqiptar të qytetit të Shkodrës.
Që nga ajo kohë e deri në vitin 1945, At Jak Gardini, i cili zotëronte në mënyrë të
shkëlqyer gjuhën shqipe, dha mësim pranë atij Kolegji duke iu përkushtuar me të gjitha
aftësitë e tija fizike e shpirtërore edukimit të rinisë. Në vitin 1945, kur regjimi
komunist i Enver Hoxhës filloi goditjen e egër ndaj klerit katolik, At Jak Gardini
u arrestua duke u akuzuar si shërbëtor i fashizmit dhe agjent i Vatikanit. Pasi u
mbajt për disa kohë në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai u nxor në
gjyq dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik, të cilat i vuajti në disa kampe të punës
së detyruar në vende të ndryshme të Shqipërisë nga Jugu në Veri. Në vitin 1955, pas
marrëveshjes Hrushov-Adenauer dhe kur Shqipëria komuniste po përmirësonte marrëdhëniet
diplomatike me Italinë, ai u lirua nga burgu dhe u riatdhesua në vendin e tij të origjinës.
Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në një institucion fetar të quajtur Shtëpia
e Ushtrimeve Shpirtërore, në Bassano del Grappa, atij iu besua drejtimi shpirtëror
i studentëve jezuitë të Lonigo-s (Vicenza), ku shërbeu me devocion deri në vitin 1960.
Në atë vit, At Gardini u dërgua si epror në Shtëpinë e Ushtrimeve të Rivalta-s pranë
Reggio-Emilias. Nga viti 1964 e deri në vitin 1976, ai shërbeu në qytetin e Triestes
me detyrën e superiorit të jezuitëve dhe si famullitar. Nga viti 1976 ai vazhdoi të
kryejë detyrën e meshtarit në Parma të Italisë. Edhe pse kishte vuajtur për dhjetë
vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, At Gardini nuk e konfondoi atë
me popullin shqiptar të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri për vite me radhë.
Nisur nga ky fakt, me shembjen e regjimit komunist ai erdhi menjëherë në Shqipëri
duke dhënë ndihmesën e tij në rilindjen e Kishës Katolike dhe lirinë e besimit fetar.
At Jak Gardini u nda nga jeta në vitin 1996, në moshën 89-vjecare. Në fillimin e viteve
‘80, At Jak Gardini kishte shkruar kujtimet e jetës së tij për kohën që kishte shërbyer
në Shqipëri, duke i përmbledhur ato në një libër të titulluar "Dhetë vjet burg në
Shqipni" (1945-1955), i cili u botua në Romë në 24 maj të vitit 1986. Nga ai libër
i At Jak Gardinit, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë veprën e klerikëve
katolikë që u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ne kemi përzgjedhur
disa pjesë të cilat po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i publikuar ato në
dialektin gegërisht ashtu sikurse i ka shkruar vetë autori.
AT GARDINI:
ARRESTIMI IM NË 1945-ëm
Ishte natë kur erdhën me m‘arrestue. Rrethue në
mes ushtarve, mbas nji ecje së shkurtë, më futën në nji banesë private të kthyeme
në komandë ushtarake. Më shtynë në nji dhomë të madhe t‘errët, ku ndigjojshem gjind
(njerzit, shënimi ynë), tue gërhatë mbi shtretnit e shpërthyem qi kërsitshin nga lëvizja
ma e vogël. U shtrina për tokë, mbështolla brezin priftnuer qi më ngjishte belin dhe
e vuna nën krye si jestek, e mbasi ia lash Zotit në dorë fatin tim, u mundova me fjetë.
Por përnjiheri nji ushtri insektesh, pleshta e cimra, ma mbushi e torturoi shtatin
deri më tre mbas mesnate. Kur oficeri i rojës u kujtue për kët gjendje, shty nga mëshira,
më hoqi prej andej, e mbasi shtroi pallton e vet mbi nji rrjetë metalike sipër dyshemes,
më la me marrë pak gjum. Të nesërmen më transferuen në nji nga burgjet e shumta të
hapuna nergut (me ngut), në qytetin e Shkodrës. Përflitej se ishin kund nja tridhetë
burgje e të gjitha të mbushuna plot. Aty kuptova se ishte kah fillonte nji fazë e
re dhe e ndryshme e jetës sime: jeta e të burgosunit, e në cfarë duersh se? E kështu
filloi fjetja për tokë, vuejtja nga insektet, ankthi i pyetjeve, ulurima e të torturuemve,
shtrydhjet e pafund të ndërgjegjes vetjake për të zbulue fajet e pabame, vetmimi,
kërcnimet, fyemjet, shamja, mundimet përme të nxjerrë ndonji sekret, pëshpëritja e
të burgosunve për procese e dënime e pushkatime. Ishte një fund ferri me të ba me
e dishrue vdekjen si nji shlirim, der në tundim të vetvrasjes në qoftë se prangat
do ta kishin lejue. Racjoni i ushqimit: bukë e uj; bukë gruni e uj druni, si thohej
ndër ne të burgosunit; vetëm se buka, të shumtën ishte bukë misri, gatue si mos ma
keq. Ishte një vorbull gjanash të përbindëshme të rrajosuna në nënvetdijen time tue
u mbarsë: ngarkim i tmerrshëm kthye në farkë andrrash përfriguese, ankthesh nate.
Edhe mbas njizetepesë-tridhetë vjetësh herë-herë zgjohem papritur, i tmeruem, tue
m‘u dukë se po më pelset zemra. Ai burg i parë ishte nji dhomë e madhe me dritore
e dyer të ndryme. Mbi dysheme dukeshin mbeturinat e atij qi kishte qenë para meje:
ndytësina gjithkah dhe enë të mbushuna me të dala njeriu. Mes të burgosurve, një ushtar
gjerman Në nji qoshe ma pak të ndyetë, ishin gjind të grumbulluem e në heshtje, si
me dashtë me shqyrtue se cka mund t‘u binte e ardhmja, t‘etshëm me ndigjue nga shokët
tregimet e pëshpërituna të torturave, pësue gjatë pyetjeve. Më kujtohet se ndër ta
ishte edhe nji ushtar gjerman: vuente nga spira, e i dishpriuem, i binte derës së
qelis; mirpo vetëm në nadje e në mbramje ishte e lejueshme me shkue me zbrazë enët
plot ndyetsi. Në dhomën tonë enët ishin gjithashtu plot e përplot. Kur rojet, të mërzituna
nga kambëngulja, vendosshin me hapë derën, zakonisht zbrazshin nji batare shqelmash
mbi fatkeqin qi bante me durim, mjaft qi ta kryente nevojën. N‘at gjendje plot ankthe
pata krejt kohën me mendue për vete: kurr në jetën time s‘i bana aq shqyrtime me aq
imtësi ndërgjegjes sime. E binda veten se "mëkatet e mija" nuk ishin pra faje për
t‘u dënue me burg. Ato kufizoheshin në ndonji fjal qi cdo prift duhet me thanë n‘ushtrimin
e detyrës së vet, sado të papranueshme nga ai qi e ban mjeshtri ateizmin. Por, sa
i pasherr ishem! Ende nuk kishem kuptue se rojeve të mija u interesonte pak e vërteta
ase pafajsija ime dhe e tjerve. Qëllimi ishte me shrrajosë nga Shqipnija, njeri mbas
tjetrit, njerz e institute qi në cfardo mënyre kishin lidhje me fen e Kishën Katolike,
tue zhdukë kështu edhe mundsin e cdo opozicjoni ideologjik e politik.
GARDINI
PARA HETUESVE
U bindja kur filleun me më marrë në pyetje edhe mue. Më vecuen
krejtësisht. U gjeta vetëm para ndërgjegjes sime, me Zotin, përpara të cilit e ndiejshem
veten të pafaj, por edhe me trupin e ligsuem timin. Ndër ato ditë e net të pambarueshme
përjetova pak prej asaj qi duhej t‘ishte në njifarë mënyre nata e Krishtit në kopshtin
e Getseman-it. Ishem krejtsisht vetëm, pa ngushllim, ndërmjet gjindsh anmiq, i pamprojtun
me parapamjen e mundimeve e ndoshta të vdekjes., Engulli i Tenzot, vërtetë se ma ngushllonte
zemrën, porsa trupi u dridhte e djersa më mbulonte. Kur m‘erdhi rradha u hap dera
e qelis. Nji roje m‘urdhnoi me nji ton të vrazhdë: "Cou"! M‘i mbërtheu llanët me hekura
e më coi nëpër disa rrugina të nji zyre ku më pritte nji oficer. Më pranoi me një
përzemërsi të dukshme e më vrejti me nji shikim të gjatë kureshtar: ishem veshë me
veladon! Më tha t‘uleshem e aty filloi marrjen në pyetje. Por para se të tregoi mbi
zhvillimin e pyetjeve, mendoj se asht me vend të thom dicka mbi atë qi kishte ndodhë
përpara arrestimit tim. PSE
U ARRESTUA PRIFTI ITALIAN
Kah gjysa
e vjetit shkolluer 1945, drejtori i kolegjës së drejtueme prej jezuitve në
Shkodër u njoftue se autoritetet ushtarake, qi kishin marrë pushtetin e vendit, dishrojshin
me krijue nga studentat e gjimnazit të naltë e të liceut nji celulë rinije komuniste.
Nuk mbetesh tjetër vecse me u përulë! Kështu cdo javë nji propagandist vinte në kolegjë
me dhanë mësimet e tija. Nji nga profesorët me rradhë ishte i pranishëm në konferencë
me iu qenë afër studentave e njiherit me ndigjue se cka po mësohesh. Aty kah fundi
i majit më takoi edhe mue me marë pjesë në nji nga këto konferenca. Berlini sapo kishte
ra nën presjonin e Armatës së Kuqe. Konferencjeri me afsh lëvdoi fitoren definitive
të komunizmit mbi nazizmin e mbi fashizmin, tue u thellue në përshkrimin e të këqijave
qi këto ideologjina i kishin shkaktue njerzimit të mjerë. Kishte ma se të drejtë,
mirëpo në hov e sipër vente në të njëjtin nivel e ngarkonte me të njëjtat përgjegjsi
si kombin gjerman ashtu edhe italjan. Ndigjova i heshtun, e kur në fund konferencjeri
ftoi të pranishmit me dhanë një kontribut personal mbi paraqitjen e temës, u cova
e kërkova fjalën. "Jam italjan-thash-e nuk m‘intereson nazizmi. Përsa i përket fashizmit
qi e suell Italin në shkatrrimin e tashëm, due me u vu në dukje se nuk e quej të drejtë
me përnjisue kombin italjan me partin qi e ka qeveris ndër këta vjetët e fundit. Gjithashtu,
mue nuk më duket nji metodë e mirë historike me pohue se fashizmi ka ba vetëm të kqija
e me mohue meritat e italjanëve n‘ato raste bashkpunimi ku nisjativat e fashizmit
kanë dalë positive". Rreshtova nji rradhë të kqijash qi, sambas gjykimit tim, fashizmi
u ka shkaktue italjanve, edhe disa të mrrijtuna qi përkundrazi i mendojshem positive.
Ndër tjera pohova se Mussolini-t mund t‘i njihesh merita për zgjidhjen e cashtjes
së mocme romake. Ndërhymja ime e la konferencjerin pak a shum të hutuem: shestoi disa
përgjegje e shpejtoi me përfundue. Tue e shoqnue në dalje e përgëzova për konferencën
e tij, por përnjiherit vuna re se ishte zemrue keq. Për atë vrejtjet e mija ishin
një "sabotazh". Menjiherë i parashtroi prokuoris nji padi aq të randë sa mos me lejue
tjetër dënim vecse një plumb ballit. Hollsinat e tonin e asaj padije i mora vesh ma
vonë nga vetë Prokurori i Republikës, i cili, gjatë nji marrjeje në pyetje, nuk ia
dilte me kuptue se si mund ta projshem (mbrojshim) pafajsin time përball sulmeve si
ato qi ishin rreshtue në padi. Dyshimet mbi mue peshojshin aq randë si nji stuhi,
kur, disa javë ma vonë kremtuem në kolegjë festën e Shën Luigj Gonzagës (21 qershuer
1945). Në meshën solemne, në pranin e krejt studentave naltsova figurën e Shejtit
qi kishte shtri energjit e veta në burimet shpirtnore të besimit të tij në Zotin.
Disa agjenta civila, të pranishëm në meshë, muerën mjaft shënime të fjalëve të mija.
A i mbajtën si fyemje kundër ideologjis marksiste-leniniste? A i quajtën si një prozhmim
kundër regjimit? Kurr nuk mujta me e dijtë. Por aty kah ora 9 e së njëjtës mbamje
erdh nji tubë ushtarësh t‘armatosun e më mori nga shtëpija; e c‘prej atij casti nuk
u ktheva ma në mes bashkvllazënve të mij. Ndër njizet ditët që kaluem ndërmjet të
parit e të dytit episod të sipërtreguem, ishte grumbullue nji sasi materiali kundër
meje. Por nuk ishte veprimtarija ime qi peshonte në kandar: në gjykim padive do të
sillesh krejt procesi e dënimi. Nga ana tjetër, në ndërgjegjen time e para Zotit nuk
gjejshem shkak për me e qortue veten gjatë dhetë vjetve të përkushtuem krejtsisht
për të mirën e rinis shqiptare.
GJYQI NDAJ AT GARDINIT
Gjatë
pyetjeve tregova ndjetin e sinqeriteitn ma të plotë: ndoshta ndokush mundet madje
me thanë se ishem gati naiv: Bashkfolsi im, përkundrazi, ishte krejtsisht i bindun
se kishte punë me "nji spiju të Vatikanit". Pyetje mbas pyetjesh, tue e ndërrue me
aftësi e papritur bisedën, prokurori e përdredhte atë në njiqind mënyra të tjera:
futte hollësina të habitshme tue i lidhë me shprehje banale. U pshtjellue e u qetsue
kush e di sa herë. Ma në fund, me fraza tinzake, m‘u kërcënue se do të më shtinte
n‘aso mundimesh sa me u detyrue me i kërkue si nder të madh me më ra pushkë ballit.
Përpara këtyne kërcnimeve më shpëtoi gjuha e thash: "Në se ju do të guxoni me më shkaktue
vetëm nji torturë të padrejtë, me siguri do të dali Dikush qi do të ju kërkojë llogari,
e do ta pagueni". Mbet si i shtangum e pëshpëriti: "Do të shifemi prap" e më dorzoi
rojeve. Në të vërtetë kurrë nuk kam qenë ekspert në politikë. Jam interesue gjithmonë
për ngjarjet, tue i vleftësue ashtu si më dukeshin ma mirë në bazë të kritereve personale.
Porse, dyshimet, dhelpnit, dredhit me krimet qi shpesh i shoqnojnë nuk kanë ndërhy
kurrë në sferën e interesimit tim. Përkundrazi i kam urryer gjithmonë. Ndoshta kjo
dukesh nga sjellja ime, nga mënyra e arsyetimit dhe e mprojtjes sime. Fakti asht se
as ky oficer, as të tjerë qi më morën në pyetje ma vonë e mbasandej as vetë prokurori
nuk ia dolën me zbulue kundër meje nji padi të saktë qi do të mundte arsyetimisht
me u paraqit si faj. Por un ishem prift e pra duhesh dhanë nji dënim.
AT
GARDINI: PUSHKATIMI I DOM ZADEJËS, SHANTOJËS, ARAPIT E TRACKIT
Në rast
se padinat ishin të paqindrueshme, ato duhesh të mvesheshin me petkun e krimit! Edhe
përpara dënimit tim, e për arsyena qi regjimi shqiptar kurr nuk ia ka shpallë publikut,
kah fundi i ‘44-it ase në fillim të ‘45 -ës qe pushkatue në Sheldi, Dom Ndre Zadeja,
studjoz në za, në famullin e tij në rrethet e Shkodrës. Afërsisht po n‘at kohë në
Tiranë qe pushkatue Dom Lazër Shantoja, mbas torturave të tmerrshme. Po në Tiranë
në muejt e parë të 1946-ës qe pushkatue franceskani At Anton Harapi bashkë me nji
rradhë ministrash të shtetit, sepse kishte ba pjesë në qeverin e imponueme nga forcat
gjermane të pushtimit. E më 1944-ën kishte vdekë në konop prifti Alfons Tracki, për
të vetmin faj se ishte i kombsis gjermane. Por tue u kthye te procesi im, më bjen
ndërmend se aty kah gjysa e muejit gusht të 1945-ës filloi me funksionue i ashtuquejtuni
"gjyq i popullit". Deri n‘at cast proceset u zhvillojshin, si t‘i thomi, me dyer të
mbylluna, porse populli ishte i ftuem vetëm për t‘u gjetë aty në dënimet me vdekje
të vendosuna shpejt e shpejt. Ishte periudha në të cilën duhesh t‘u zbatonte dënimi
sa më shpejt kundra krejt "kriminelave e trathtarëve". Shpesh herë n‘agim të dritës
u ndigjonte krisma e mitralozave e mandej plumbat e fundit. Ma vonë mbi murret e qytetit
shpalleshin emnat e të pushkatuemve.
PSE U ARRESTUA AT GARDINI
Me
arrestimin e dënimin me burg, cashtja ime mund të quhesh e kryeme. Por unë nuk ishem
i vetmi qi rash për pakujdesi në kurthën e "pushtetit të popullit". Un bajshem pjesë
në nji bashkësi të madhe qi mbarshtronte grupe të mëdha institutesh. Shoqnija e Jezuitve
atëhere drejtonte Seminarin Papnuer, Kolegjën Saverjane, jetimoren, shtypshkrojën
me dy revista; nji grup jezuitësh gjatë dimnit kujdesesh për të mirën shpirtnore të
malsorve, tue pajtue gjaqet ase hakmarrjet; mandej drejtonte nji rradhë veprimtarish
t‘Aksjonit Katolik. Misjoni i Jezuitve në Shqipni përmblidhte nji kompleks t‘organizuem
mjaft mirë qi jo pa arsye mbahesh si nji pararoje e krishtenimit në nji vend kryesisht
musliman. Simbas mentalitetit të njerzve të regjimit të ri, selija e veprave të ndryshme
të jezuitve ishte njifarë krahu i gjatë i Vatikanit, njifarë kështjelle e shikueme
me dyshim e madje edhe me frigë. Qyshse trupat partizane të clirimit kishin zavendsue
ato gjermane (nanduer 1944), veprat e misjonit qenë shkas hetimesh rrajsore; ma se
njiherë gjatë kontrollimeve cdo gja u suell posht e përpjetë e u shqyrtue me kujdes
se mos po gjejshin ndonji shkak të mjaftueshëm për t‘i dhanë zjarr nji sulmi qi do
të conte n‘ajr gjithcka. Në shekujt e histories së tyne kundër jezuitve nuk kanë mungue
kurr shpifje, edhe shnderuese, paragjykime, e Shqipnija nuk bante nji përjashtim:
shprallime qarkullojshin edhe ma parë; por ndër vjetët për të cilët po flitet, kishte
ndërhy edhe ndonji spijunllëk ase tradhti "miqsh". Megjithatë kurrgja konkrete ase
e vërtetë nuk kishte dalë në shesh.
KËSHILLAT E AT GJON FAUSTIT
Mbas
arrestimit tim e dënimit me burg, bashksija jetonte si pa frymë e me parandjenjën
e afrimit të nji stuhije. Krejt rinija e kolegjës ishte e prekun. At Gjon Fausti,
qi kishte detyrën e nënprovincjalit, kur i kallxova se cka kishte ndodhë në konferencën
e famshme, më pat thanë: "Duhesh të kishe qenë ma i matun! Por ti je vetëm i pari;
nuk do të vonojë me ardhë edhe ora jonë. Jemi në duert e Perendis!". Përpara e mbrapa
dënimit tim ndonji bashkvlla vinte me më vizitue në burg; porse biseda zhvillohesh
gjithonë në pranin e nji roje të gatshme me diktue cdo shej ase shprehje, qi mund
të na merrte në qafë. Nga shkaku i rrethanave, rasa ime nuk kishte ngatrrue bashkvllazën
të tjerë të mij ase ente katolike. Për tashti ishem vetëm nji subjekt i padishruem
mbi të cilin pushteti kishte mujtë me vu dorë me njifarë përligjsimi. Kjo mund të
quhet si nji gja e vogël, por gjithmonë nji hap i parë qi ma vonë do të mundte me
cue te qëllimi i dishruem. Në burg ishem natyrisht në padijeni të plotë se cka u ndodhte
bashkvllazënve të mij jezuitë. Kah gjysa e dhetorit 1945 kuptova fluturimthi nga buzët
e njenit qi kishte ardhë me më vizitue: "Xhakojt arrestue!" Mbeta si të më kishte
ra rrfeja e i kapërthyem prej pikllimi, sepse ato fjalë posa të pëshpërituna lijshin
me kuptue shum gjana. Tue e vu veten në rrezik, nënprovincjali At Fausti erdhi me
më vizitue për Krishtlindje. N‘at rast ai vërtetoi lajmin, tue dhanë nji shej ftyre:
"Në duert e Zotit:" Ajo qe hera e fundit qi e pash e i fola. At muej të dhetorit ishin
caktue zgjedhjet për krijimin e Frontit Populluer. Në qytet forcat kundërshtare të
regjimit kishin vendosë msheftas me e njoftue popullsin mbi vështrimin qi kishte ajo
votë, randsin e saj e rrjedhimet qi mund të ndodhshin. U dukte se deri n‘at cast fuqinë
në dorë e kishin trupat e clirimit, formue me elementa të cdo besimi fetar e politik,
qi ishin bashkue me dëbue pushtuesit e vëndit. Në të vërtetë Fuqitë e Armatosuna ishin
të kontrollueme nga komunistat, e zgjedhjet synojshin vetëm me i dhanë njifarë pamje
ligjore atyne qi e kishin marrë pushtetin e dojshin me e ruejtë vetëm për vete. Kaq
asht e vërtetë sa kur, ma vonë, u mundue me organizue kuadrot drejtuese, zanat e qindresës,
qi me cdo të drejtë urojshin nji qeveri koalicjoni, së pakut me socialistët, u vunë
në heshtje e mandej qenë shtypë. Asht e dijtun se në kët klimë ato zgjedhje nuk do
të mundeshin me u zhvillue në mënyrë me të vërtetë të lirë. Qysh me kohë ishte parapa
sekuestrimi i tipografive, ciklostileve, rezervave të letrës, maqinave të shkrimit,
e gjithckahes qi mund të bahesh vegël e propagandës. Edhe në shtëpin e jezuitve u
sekuestuen krejt mjetet e tilla.
HEDHJA E TRAKTEVE ANTIKOMUNISTE
Megjithatë,
disa seminarista ia kishin dalë me gjetë, në sekretin ma të madh, disa pjesë të nji
ciklostili të vjetër e me e ba në njifarë mënyre me punue. Pa dijeni t‘eprorve e dakord
me disa elementa të qytetit, me at vegël fillestare, natën, shumzuen fletushka e i
përhapën nga pak gjithkah. Policija qi nuk flinte, ndaloi nji djalosh të ngarkuem
për shpërndamje e me të rrahuna, ia duel me zbulue prejardhjen e atyne fletëve. Kështu
ata mrrijtën ke xhakojt e seminarit tonë. Katër u arrestuen. Tue i nënshtrue torturave
të ndryshme, policija synonte me i shtrëngue me pohue se organizatorët e atij komploti
antiqeveritar ishin eprorët e jezuitve. Por, me gjith shtrëngimet, premtimet, torturat,
seminaristat mbetën të patundshëm në pohimin se përgjigjsija ishte krejt e vetëm e
tyne. Me gjithë këtë dy etnit, Fausti e Dajani, u arrestuen njisoj. Nënshtrue keqpërdorimeve,
për krejt muejin e kallnorit e të frorit mbetën të mbyllun ndër nevojtore grafullue
me ndyetsina, pa u ballafaque kurr me seminaristët. Asnji za, bile as prej njerzve
miq të parties, qi ishin në favor të etënve, nuk u ndigjue. Advokati Dhimitër, i mbajtun
si juristi ma i mirë shqiptar, u përpoq t‘i mprojë tue theksue: "Do t‘i bani vetëm
martijës në rast se i dënoni", por atë e fishkulluen. Gjithcka ishte sajue, e në gjyq
prokurori kërkoi dënimin me vdekje për seminaristët e burgun e përjetshëm për të dy
etnit. Ky vendim qe ndryshue nga gjyqi i naltë qi tetë ditë mbrapa dekretoi: dënim
me vdekje për dy etnit e nji seminarist, burgim të përjetshëm për të tjerët. Për gjashtë
ditë me rradhë të pandehunit të lidhun dy nga dy e me At Faustin vetëm në krye, shkojshin
në gjyq e parakalojshin ndërmjet dy anësh të popullit qi bërtitte: "Me vdekje trathtarët",
tue hjedhë pështyma e shpoti sidomos kah "kryetari i cetës" qi ecte i kthjellët si
nji "krisht i shkretë". Në mëngjesin e pushkatimit, tue dalë nga qelit me dritë qiriu
e gjatë kalimit, ishte pikërisht ai, "kryetari i cetës" që u drejtue me fjalë ngushlluese
shokëve për falje e shpresë për të gjith: "Po shkojmë te shtëpija e Zotit!". Besoj
e më bjen mirë në mend: ishte 4 mars 1946. N‘agim u ndigjue nji krizëm tmeruese e
mitralozave. Kufomat qenë hjedhë në nji vorr të përbashkët mbas mureve të vorrezave
katolike të Shkodrës. Kah ora nandë po e atij mëngjesi, dera e shpellës ku ishem ndry
me priftën të tjerë, u hap e në valë të dritës qi hyni njofta fytyrat e dishprueme
të tre seminaristave qi kishin mbetë gjallë. Me pushkatimin e etënve Fausti e Dajani,
vepra e jezuitve në Shqipni, e ndërtueme me durim gjatë krejt shekullit të fundit,
mori grushtin shkatrrimtar. Nuk ishte cudi qi, sado në kundërshtim të përgjithshëm
e të mjerë, e ende në mungesë të disa degëve, prapsepra gjithnduershmenija ndërtuese,
në të cilën ishte zhvillue vepra e jezuitve me ngulmenin e njerzve të vendosun të
fortë e gjallnikë, mund t‘epte përshtypjen e nji "kështjelle". Përkundrazi pushtuesit
e rij me fare pak përjashtime, kishin nji kulturë thuajase të kufizueme. Nji antagonizëm
i tillë padyshim mund të shkaktonte nji ndjenjë të fortë frige. Ishte mjaft logjike
pra se qysh nga fillimi do t‘u mendonte seriozisht për zhdukjen e kësaj kështjelle.
E tashti "kështjella" mund të quhesh e pushtueme: veprimtarit e ndryshme pezullue,
shkollat mbyllë, mjetet si tipografija, biblioteka, muzeu e laboratori i fizikës shtetzue,
seminaristat dërgue nëpër shtëpijat e tyne, jezuitët shqiptarë shpërnda e ata italjanë
riatdhesue. Ishte një operacjon i përkryem me të vërtetë në mënyrë të vendosun e rrajsore.
EKZEKUTIMI
I KLERIKËVE TË FAMSHËM
Partija komuniste shqiptare e dinte mirë se ndër
pozitat doktrinore të Kishës e të vetat nuk mund të kishte marrveshje. Nga ana tjetër
n‘ato fillesa, përpara se ta futshin krejt gjendjen në dorë, nuk ishte i udhës një
sulm ball për ball. Nuk mund të lihej mbas odre se nji numër i mirë katolikësh, dashje
ase padashje tashtima ishin inkuadrue n‘ushtrinë e rregullt. Mandej zona malore, tue
fillue nga liqeni i Shkodrës mbi nji vijë qi mrrinte deri në kufijt e Dibrës, gati
nji e treta e Shqipnis, ishte në shumicë e banueme nga katolikë, e ende jo mirë e
kontrollueme nga fuqit qeveritare. Nga nji cast në tjetrin kjo zonë mund t‘u shndërronte
në nji qendër kundërshtare. Prandej shpalljet e përhapuna në vend nga organet qendrore
e sigurojshin ende lirin e fes. N‘ato shpallje u theksonte edhe se "tradhtarët e anmiqt
e popullit" duhet t‘ishin të kujdesshëm ndaj "drejtsis popullore". Por kush ishin
ata se? Në cfarë pikëpamje e pse quheshin ashtu? Filluen me qarkullue fjalë për njerz
të vumë qysh me kohë në nji listë të "të zhdukunve" e tash të pushkatuem. Në Shkodër,
gati në kufi me Jugosllavin, menjiherë mbas hymjes së trupave partizane, u folte për
arrestimin e disa priftënve e për pushkatime në masë. "Ishin tradhtarë", por m‘anë
tjetër u tha se nuk u donte n‘asnji mënyrë me e sulmue Kishën. Kështu u zhdukën Dom
Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Alfons Tracki, Dom Nikollë Gazulli, Dom Pjetër
Cuni e disa franceskaj. Duket se autoriteteve të Kishës katolike iu ba nji grishje
nga Qeveria komuniste, por në të vërtetë nuk u mrrijt n‘asgja. Nji përgjegje e asnjanshme
e Kishës qi ndoshta tingllnte si nji "jo" për nji bashkëpunim të drejtpërdrejt- a
mos qe interpretue si nji shej anmiqsije? Nuk mundem me e pohue me siguri, por në
fakt shtrëngata qi qysh prej kohe shkonte tue u dendsue përfundoi tue shpërthye egërsisht
si nji duhi.
HUMBJA E IMZOT THACIT DHE KRERËVE TË TJERË KATOLIKË
Tashma,
ndërmjet mbarimit të 1945-ës e marsit të 1946-ës qenë shkatrrue jezuitët e veprat
e tyne, si kam tregue ma sipër. Në maj po të njëjtit vjet 1946, i ndrydhon nga ngjarjet
u shue argjipeshkvi metropolit i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaci. Kështu Kisha e Shqipnis
humbi njenin prej barijve ma të përkryem. Delegati apostolic, Imzot Giovanni B. Nigris,
mbas kthimit të tij nga nji udhtim në Romë qe deklarue "person i padishruem" e qe
dëbue. Argjipeshkvi i Durrësit, franceskani Imzot Vincenc Prenushi, mekesh në burgjet
e qytetit të vet ku mbaroi jetën më 1949. Ipeshkvi i Pultit, franceskani Imzot Bernardin
Shllaku, ishte tue ba burg në Shkodër me të dënuemit ordinerë, sepse i ishin gjetë
në shtëpi disa kile misri "jashtë ligje". Nga Kisha shqiptare, tashma e thërmueme,
kishin mbetë ende për t‘u rrenue dy elemente për deri në zhdukjen e saj të plotë:
bashkësija e franceskajve me veprat e drejtueme prej tyne e njisit e mbetuna t‘ipeshkvis
të përbame nga Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Lezhës e Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv
i Sapës në Zadrimë. Prandej përpjekjet e qeverisë së Tiranës u përqindruen kundër
ktyne objektivave. Në fillim të 1947-ës, qenë arrestue e mandej pushkatue provincjali
i franceskajve, At Mati Prendushi e guardjani i kuvendit At Ciprian Nika. Ata qenë
paditë se kishin mjaftë armë të mshehuna në kuvendin e tyne të Gjuhadolit, qi ishte
shtëpija amë e franceskajve. Pasunit e Urdhnit qenë konfiskue. Ma vonë do të mirret
vesh se armët, për shkak të të cilave u pushkatuen, qenë mshehë në kuvend nga vetë
agjentat e policis gjatë një kontrollimi. Këtë do t‘a deklaronte para gjyqit nji agjent
qi kishte humbë besimin e parties. Ky ishte Pjerin Kqira e për at deklaratë atij iu
desht me përballue dënimin me vdekje. Në të njëjtin vjet 1947, afër Pashkëve, mbas
torturave të pabesueshme, qenë dënue me vdekje e pushkatue dy ipeshkvit qi kishin
mbetë bashkë me Dom Nikollë Dedën. E lista do të mundte me u zgjat tragjikisht me
priftën diocezanë e rregulltarë qi un pata njoftë personalisht, e të cilët u pushkatuen
ase vdiqën nën tortura, ase si rrjedhim i mundimeve të psueme. Ishim rreth njizet
priftën në burgun e vjetër të Shkodrës e kishim mjaft kohë me ba së bashku lista emnash
e grimca informatash. Bajshim llogari të gjata e t‘imta rreth atyne qi sigurisht kishin
vdekë e t‘atyne qi mund të vdiqshin nga nji cast në tjetrin.