Më 3 gusht kalendari kishtar përkujton shën Lidien. Lidia është fryti i parë
i pjekur nën rrezet e diellit të krishterimit në Evropë. Ishte prozelite hebraike
e jetonte në Filipi të Maqedonisë, ku Shën Pali Apostull, i shoqëruar nga Sila, Timoteo
e Luka, pati shkuar gjatë shtegtimit të tij të dytë misionar, ndërmjet viteve 50 e
53. Shtëpia e Lidies u bë qendra e parë e bashkësisë të ndjekësve të Krishtit, pra
Kisha e parë në Evropë, në të cilën apostujt takoheshin dhe u jepnin zemër vëllezërve.
Ndonëse mungojnë të dhënat për kultin e Shën Lidies, që kujtohet në Martiriologun
Romak, shenjtëria e saj është e qartë, sepse Lidia qe ndër të parat që iu përgjigj
me gjithë zemër hirit hyjnor. “Të shtunën – rrëfen Shën Luka në Veprat e Apostujve
- dolëm jashtë portës dhe ecëm gjatë brigjeve të lumit, ku mendohej se do të gjendej
një vend për lutje. U ulëm e filluam t’u flisnim grave, që ishin mbledhur për të na
dëgjuar. Njëra nga ato, e quajtur Lidia, tregtare purpure, nga qyteti i Tiatirës,
grua me frikën e Zotit, po na dëgjonte. Zoti ia hapi zemrën që ta kuptonte çka po
thoshte Pali. Atëherë ajo kërkoi të pagëzohej, e bashkë me të u pagëzuan edhe njerëzit
e tjerë të familjes, të cilët nisën t’i prisnin misionarët në shtëpinë e tyre si miq
të dashur. Kështu Lidia u bë prototip e simbol i të gjitha grave, që ndezën brenda
mureve shtëpiake, flakën e fesë në Krishtin.