2012-08-03 16:10:10

Kalendari i Vitit të Fesë: muaji tetor


Na ndajnë vetëm dy muaj nga fillimi i Vitit të Fesë, i cili do të hapet me një kremtim solemn, të kryesuar nga Papa Benedikti XVI, paraditen e së enjtes, më 11 tetor, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Kalendari i këtij Viti, i cili do të përfundojë më 24 nëntor 2013, parashikon disa ngjarje me praninë e Atit të Shenjtë, por edhe një sërë takimesh, kuvendesh dhe nismash, për të reflektuar mbi tema fetare e kulturore. Kalendari u paraqit javën e kaluar në Vatikan.
Do të kemi rastin të flasim më tej për të gjitha veprimtaritë kishtare gjatë Vitit të Fesë, por sot po ndalemi në veprimtaritë e fillimit, ato të tetorit. Më 6 tetor, nisma e Këshillit Papnor të Kulturës, “Oborri i jo besimtarëve”, që ka qenë edhe në Tiranë në nëntor të vitit të kaluar, zhvendoset në Asizi, në qytetin e Shën Françeskut, për një dialog ndërmjet besimtarëve dhe jo besimtarëve mbi temat e fesë.
Nga data 7 deri më 28 tetor, në Vatikan, do të zhvillohet asambleja e 13-të e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve, me temë “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”.
Më 11 tetor, siç e thamë më parë, në orën 10.00, në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Benedikti XVI kremton Meshën Solemne për hapjen e Vitit të Fesë, së bashku me etërit sinodalë dhe me kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore nga e gjithë bota. Po atë ditë, nga ora 18.30 deri në orën 21.30, anëtarët e Veprimit Katolik Italian do të përshkojnë, me qirinj të ndezur në duar, rrugën nga Kështjella e Shën Engjëllit deri në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në kujtim të 50-vjetorit të Koncilit II të Vatikanit.
Të nesërmen, më 12 tetor, në kishën e Jezusit në Romë, në orën 21, Këshilli Papnor i Kulturës, Rektoria e Emrit të Shenjtnueshëm të Jezusit në sheshin Argjentina dhe Shtëpia e Dantes në Romë, organizojnë një mbrëmje kulturore dhe artistike me temë “Feja e Dantes”. Do të recitohet kënga XXIV e Parajsës, e cila përmban besojmën e poetit të madh italian të “Komedisë Hyjnore”.
Më 20 tetor, Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve organizon një shtegtim në kodrën e Xhanikolos, pranë Vatikanit dhe mbrëmjen e lutjes për misionet.
Më 21 tetor, Papa Benedikti XVI kremton në Vatikan, meshën e shenjtërimit të gjashtë martirëve dhe besimtarëve të shquar të fesë katolike.
Nga data 26 deri më 30 tetor, në Romë zhvillohet Kongresi i Bashkimit botëror të mësuesve katolikë, në të cilin do të diskutohet mbi rolin e mësuesit e të familjes në formimin e përgjithshëm të nxënësve e të studentëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.